Kujtime nga një kohë e shkuar, krahasuar me “ekipet” politike që u dyndën në Dibër pak javë më parë
Nga Illo Foto
Ngjarja e fundit për zgjedhjen e Kryebashkiakut më zgjoi kujtimet e një periudhe të shkuar në gjysmën e dytë të viteve ‘80 të shekullit të kaluar. Kryebashkiaku aktual i zgjedhur ka qenë diku tek 10 vjeç.
Mbaj mend dy ekipe të mëdha: Njëri për zonën agroindustriale dhe tjetri për fermën e Bulqizës. Këto dy ekipe me specialistë nga të tëra fushat kishin objekt të studionin dhe të vinin në punë të tëra resurset natyrore të rrethit për të garantuar punësimin e të gjithë dibranëve të aftë për punë. Shkresa, ligje, projekte, tryeza, debate dhe së fundi raporti përfundimtar që do ta shqyrtonte Plani i shtetit. Dy ekipe ndërministrore me 10 veta secili grup punuan në Peshkopi nga 10 ditë secili. Ndihej se qytetit i kishin ardhur miq dhe secili mundohej t’i sajdiste sipas mundësive që u jepej. Specialistët e qendrës ndiheshin si në gosti në gjirin e Peshkopisë mikpritëse. Çdo fshat u bë pjesë e studimit.
Po i përmend në vija të trasha konkluzionet e studimit.
Ferma e qytetit të thellonte drejtimin e frutikulturës, me varietete dhe lloje të tjera drurësh frutorë, sipas kërkesave të teknologjive konservuese. Të dyfishohej numri i lopëve në fermën e qytetit. Të rriteshin treguesit cilësorë të prodhimit, si në fermën e qytetit dhe në atë periferike. Të dyfishohej kapaciteti i pularisë që funksiononte prej dy vjetësh dhe kishte tregues shumë të mire. U vu në plan ndërtimi i një kombinati ushqimor që do të përpunonte me teknologji kohore, bulmetin, mishin, frutat. Bilanci i fuqisë punëtore dilte i barazuar qysh në vitin e dytë të studimit dhe për 10 vjeçarin, duke paraparë rritjen e popullsisë.
Paralelisht me këtë studim u krye tjetri, për të ngritur një fermë blegtorale në Bulqizë. Ne Bulqizë ekzistonte një ndërmarrje e furnizimit të punëtorëve, që ishte e vogël dhe pa përvojë në prodhimin bujqësor. Grupi i studimit studioi mundësinë e shkripëzimit të fushës që gjendej afër Dambës, duke përcaktuar afatet e futjes së kësaj toke nën kulturë. Do të rritej dimensioni i fermës së lopëve, viçave të majmërisë dhe një pularie me baza gjysmë industriale, krahas fermës të bagëtive të imta, që funksiononte.
Këto studime besoj gjenden në arshiva. Mua nuk më kujtohet vlera e investimeve që kërkohej të realizohej për 10 vjet, por më kujtohet një gjë. Specialistët e Komisionit të Planit na thanë se nuk besohej që ky plan investimesh të kalonte në Qeveri, sepse trondiste buxhetin e Republikës. Në fakt u miratua menjëherë dhe u vu në veprim. Efektet e këtyre studimeve u dukën qysh vitin e dytë. Brenda furnizimit të keq ushqimor që kishin qytetet e Shqipërisë moniste në rrënim, Peshkopia dhe Bulqiza ishin më mirë dhe pritej përmirësim progresiv. Dibra mori tiparet e një kombinati gjigant bujqësor dhe ushqimor. Papunësia ishte e nivelit zero, kur ke parasysh që puna në frutikulturë është e preferuar dhe e mundshme për çdo moshë. Drejtor i fermës së madhe ka qenë Jovan Popi dhe Sekretar i Parë i Peshkopisë ishte Xhelil Gjoni.
Ekipet tona studimore ishin 2 herë nga 10 veta, 200 ditë/njerëz dhe dukej se Peshkopia ishte e invaduar nga Tirana. Në buzë mbrëmje bulevardi mbushej me njerëz që shëtisnin. Na thoshin se grupi ynë i ka dhënë gjallëri qytetit.
I krahasoj grupet tona studimore me grupet partiake që u ndodhën në Peshkopi për fushatën e zgjedhjes së Kryebashkiakut. Me funksionarë dhe shoferë mund të kenë qenë jo më pak se 100 për nga 10 ditë, 1000 ditë/njerëz. Sa dieta u paguan, sa rroga të larta, sa benzinë dhe automjete me 4 rrota. Ne jo vetëm ishim 20 ditë/njerëz, por shumica lëviznim me motoçikleta. Kishim vetëm një gaz kinez. Dietat dhe rrogat as që duhen zënë në gojë.
Ç’i dha Dibrës pelegrinazhi i Shtatorit 2016? U zgjodh një kryebashkiak që do të ishte zgjedhur edhe po të vinin vetëm 20 ditë/njerëz me dieta dhe shpenzime modeste, por le të bëheshin 40 ditë/njerëz, por jo kaq sa u bënë. U bë Peshkopia si Meka!
Kush i miraton këto shpenzime kolosale të shtetit tonë të varfër që s’ka fuqi të bëjë një urë e një shkollë? Kush i jep rrugë këtyre shpenzimeve, pa paraqitur një raport se ç’punë u krye? Asnjë gram bukë nuk shtuan ekipet zgjedhore në Dibër dhe shpenzuan miliona. Qoftë pozita, qoftë opozita, janë nëpunës të kësaj administrate, që detyrimisht duhet t’i shohë shpenzimet me lupë zmadhuese.
Në rast se e gjykon vetë, i lutem Kontrollit të Shtetit të ndalojë pagesat e tepërta për dieta, karburant dhe hotele. Shteti nuk është teqe, në kuptimin kontabël. Leku që del nga banka lipset të arsyetohet me qindarka. Monizmi konsiderohej shtet për vete dhe paret i quante të popullit. Ky është shtet i popullit dhe nuk duhet të lejojë edhe një njollë të shpenzimeve pa argument financiar.
Nuk është kjo vetëm arsyeja. Është koha që studime të ngjashme të kryhen për të tëra zonat bujqësore të vendit, për kushtet specifike që janë krijuar nga braktisjet e fshatit, nga shkatërrimet e infrastrukturës dhe nga rrënimi i bujqësisë këto 26 vite që shteti ka qenë inekzistent. Nuk duhet të imitojmë atë shtet të dështuar, por shqiptarët janë po ata që drejtuan atë shtet dhe duhet të gjejnë racionalen për shtetin që e zgjedhin periodikisht me votën e lirë.

E njoh mirë studimin ashtu siç njoh edhe Dibrën dhe Bulqizën. Me vlerë ishte por fatkeqësisht tërë ajo punë, tërë ato fabrika ushqimore që kishin një kapacitet përpunues prej 10 mijë kuintal fruta, fabrika e qumshtit me teknologjinë bashkëkohore, ndërmarrja bujqësore e Dibrës që në atë kohë numronte 500 mijë rrënjë pemë frutore shumica në prodhim, tërë ajo punë e djersë e dibranit punëtor u shkatërruan duke bërë që mollët e Dibrës të merreshin nga Maqedonia me 600 lekë kilen për ti shitur në tregun e Peshkopisë me 1200 lekë kilen. Bashkohem me ju z. Ilo me përjashtim të një fraze kur thua për tokën e Bulqizës që duhet të shkripzohej. Është tip tjetër toke dhe jo tokë e kripur.
Nje shkrim brilant dhe shume domethenes. Iu lumte autorit. Lexojeni poitikane dhe vurini gishtin kokes! Po me ke e ke? Jane te pakte ata poitikane qe “dine te lexojne”.
Eshte magneziale . Bashkimet e Magnezit quhen kripra . Magnezi dhe Natriumi , kane valenca te njejta , por cilesi te vecanta . Te falnderoj per vemendjen dhe saktesine . I. Foto