Profesori i ekonomisë, Selami Xhepa, tha se ekspertët e kësaj fushe po kërkojnë që qeveria të rishohë dhe njëherë politikën e taksimit të punës. Në momentin që taksa e të ardhurave personale është progresive, ajo nuk duhet të dekurajojë individët që të punojnë duke i taksuar njëherë në burim, dhe njëherë gjatë plotësimit të deklaratës vjetore të të ardhurave për ata që janë të dypunësuar ose që realizojnë të ardhura më të larta se 2 milionë Lekë në vit.
Eksperti Eduart Gjokutaj për çështjet fiskale, tha se reforma e taksimit progresiv nisi në vitin 2014, por u la në mes, ndërsa vendi ynë rezulton me barrën më të lartë fiskale mbi punën nëse krahasohet me vendet e rajonit, çka e bën atë jo konkurrent.
Në rastin kur individi taksohet për pagën 23%, biznesi taksohet për të njëjtat të ardhura 15%, madje i njihen dhe shpenzimet për efekt tatimi. Ata thonë se taksa 23% për pagat mbi 150 mijë lekë takson shtresën e mesme dhe jo të pasurit.
E pyetur për këtë çështje, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se qeveria nuk do të heqë dorë nga progresiviteti as në programin e saj dhe se i qëndrojnë kësaj formule edhe për një mandat të 3-të, por pa zbuluar nëse do të ketë një zbutje të taksës mbi pagën në të ardhmen.
