Java që sapo ka filluar pritet të ofrojë një panoramë më të qartë për shëndetin e ekonomisë globale për muajin maj, dhe masat që do të marrin politikëbërësit. Ndërsa investitorët bankarë presin një përmirësim të aktivitetit ekonomik në pjesën e dytë të këtij viti. Të dhënat zhgënjyese mbi prodhimin dhe shërbimet për prillin, sidomos në Eurozonë, por gjithashtu edhe në SHBA dhe Kinë, sugjerojnë për një ekonomi globale të ngadalësuar, pas një rritje të lehtë në tremujorin e parë. Këtë javë do të publikohet të dhënat mbi indeksin e manifakturës në Kinë, Eurozonë dhe SHBA dhe pritet të tregojnë për një ringritje të lehtë në krahasim me prillin, por jo të mjaftueshme për të larguar frikën për ngadalësim. Ekonomistët parashikojnë se ekonomia globale u rrit me 2.9 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, dhe do të rritet me 3 për qind përgjatë gjithë vitit 2013, një ndryshim i vogël në krahasim me 2012. Në Europë, nëse do të kemi një ngadalësim tjetër në maj, do të rritet presioni mbi Bankën Qendrore Europiane për të ndërmarrë lëvizjen e radhës, pasi Presidenti Mario Draghi, siguroi se banka është e gatshme të ulë sërish normat e interesit, nëse parashikimi për rritjen e ekonomisë në bllokun e monedhës së përbashkët përkeqësohet.