Për shumë qytetarë në Shqipërinë e sotme ekonomia informale është punëdhënësi edhe burimi kryesor i konsumit. Aktualisht më shumë se 50% e ekonomisë shqiptare është informale. Përkufizimi i ekonomisë informale ka evoluar në kohë, por përkufizimi i përdorur gjerësisht nga ekonomistët përfshin në termin ekonomi informale të gjitha transaksionet apo aktivitetet ekonomike ku shteti nuk ka kontroll, por as nuk i ndalon ato. Ka disa lloje të informalitetit në ekonomi: biznese tërësisht apo pjesërisht informale, punësim informal, kontrata informale, pronësi informale, huadhënie informale. Në të gjitha këto raste transaksionet, posedimi i të mirave, financimi dhe puna kryhen jashtë sistemit legal formal. Ekonomia informale zhvillohet kur dhe aty ku mund. Kjo nuk është e vërtetë vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e zhvilluara.
Liria dhe shkalla e zhvillimit të ekonomisë informale varet shumë nga kapaciteti rregullativ i shtetit si dhe nga legjitimiteti dhe autoriteti i tij në shoqëri. Shteti e manifeston pushtetin e tij në tre forma: si ligjvënës, garantues, zbatues i ligjit, dhe si mbledhës i taksave me të cilat financohet gjithë aktiviteti dhe përmbushja e detyrave të tij. Është detyrë e shtetit që të garantojë që të gjithë e zbatojnë ligjin, dhe paguajnë detyrimet e tyre. Karakteristika dominuese e çdo ekonomie apo aktiviteti informal është shmangia e detyrimeve dhe moszbatimi i ligjit duke anashkaluar shtetin ose duke bashkëpunuar me zyrat e tij, nëpërmjet bakshisheve apo mënyrave të tjera të përfitimit. Kjo është një e vërtetë e hidhur që lidhet me dështimet dhe shtrembërimet që pësoi procesi i zhvillimit në Shqipëri dhe vazhdon të jetë një nga faktorët kyçë për zhvillimin e mëtejshëm të saj.
Marrëdhënia e shtetit me shoqërinë është përcaktuesi kryesor i qëndrueshmërisë dhe strukturës së informalitetit. Kjo është një marrëdhënie afatgjatë dhe shumë e vështirë për të ndryshuar. Ndryshimi gjeometrik i kufirit formal dhe informal varet nga konturet e vëna nga e kaluara dhe autoriteti i perceptuar i shtetit. Nuk ka asnjë mister për mënyrën se si bashkëveprojnë ekonomia informale, ekonomia formale dhe shteti. Çdo shembull informaliteti ka si karakteristikë shkeljen e rregullave dhe ligjeve të shtetit, por qëndrueshmëria e ekonomisë informale në vende te ndryshme varet nga lidhja dhe qëndrimi që shteti mban karshi këtij sektori.
Ekonomia informale ka kryer dy funksione kyçe në Shqipërinë e këtyre 20 viteve të fundit;
1- Ajo ka qenë punëdhënësi kryesor për një numër të madh të qytetarëve sidomos të shtresave shumë të varfra dhe të paarsimuara, të cilët nëse do të privoheshin nga të ardhurat e ekonomisë informale do të privoheshin nga mbijetesa. Kjo mbështetje që ka ardhur nga ekonomia informale ka siguruar qetësinë relative mbi destabilitetin politik.
2- Të mirat dhe shërbimet e ofruara nga informaliteti prodhojnë kosto të ulët të konsumit për gjithë shoqërinë përfshirë këtu dhe sipërmarrjet formale. Ndërkohë niveli i ulët i pagave të ofruara nga ekonomia formale kompensohet pjesërisht nga produktet dhe shërbimet më të lira të ofruara nga ekonomia informale. Ndërkohë që kompanitë formale për të ulur kostot përdorin si furnizues të tyre ekonominë informale, dhe përfshihen në transaksione informale.
Me anë të këtij mekanizmi ekonomia informale ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në stabilitetin politik të Shqipërisë dhe kjo është një nga arsyet përse ekonomia informale ka qenë dhe vazhdon të tolerohet nga qeveritë shqiptare në kontradiktë direkte më qëllimet e manifestuara të shtetit për forcimin e tij. Shteti shqiptar ka zhgënjyer në 20 vitet e fundit, jo vetëm me paaftësinë e tij për të zbatuar ligjet e veta, por dhe nga varësia e tij e zakonshme për të mbijetuar nga sektori informal. Ata që e kanë “kritikuar” ekonominë informale, nuk kanë marrë në konsideratë që këto aktivitete sjellin mirëqenie me kosto të ulët duke dhënë një zgjidhje për mbijetesën e pjesës më të varfër dhe më dobët të shoqërisë, që fatkeqësisht është pjesa dërmuese e shoqërisë. Meqënëse ekonomia informale i ka kryer dy funksionet e sipërpërmendura, çdo qeveri që ka ardhur në pushtet, e ka pranuar dhe përdorur atë si zgjidhje afatshkurtër. Nuk ka dyshim që ajo është lubrifikant dhe një formë masive e arbitrazhit social, por një trajtim i tillë pengon gjenerimin e politikave efektive sociale dhe ekonomike, duke sjell mungesën e investimeve, vazhdimësinë e një shteti të dobët, dhe pabarazi të theksuar sociale.
Është shumë e nevojshme të njohim kostot afatgjatë të përhapjes së ekonomisë informale. Ajo ka qenë faktori kryesor në prapambetjen afat gjatë ekonomike si dhe në prapambetjen politike, dy cilësi këto që e klasifikojnë Shqipërinë në vendet e pazhvilluara. Funksionet që ka kryer ekonomia informale në Shqipëri, kanë çuar në inefiçencën e vazhdueshme të shtetit si dhe stanjacionin ekonomik.
1- Ekzistenca e sektorit informal limiton shumë kapacitetin e shtetit për të gjeneruar burime të cilat janë të domosdoshme për të pasur autoritetin e nevojshëm në kryerjen e detyrave dhe funksioneve të tij. Nga ky limitim shteti ka shumë më pak mundësi për të krijuar kushtet e nevojshme për zhvillimin e kapitalizmit modern i cili do të ofronte më shumë punësim dhe zhvillim. Shteti e ka të pamundur të krijojë besimin e nevojshëm, dhe kjo dekurajon investimet në sektorët produktivë. Nga ana tjetër informaliteti nuk i ofron mundësi biznesit të rritet. Bizneset në kushtet e informalitetit e kanë të shumë të vështirë të gjejnë burime financiare dhe të përdorin teknologji të reja. Në këto kushte biznesi është i destinuar të mbetet i vogël dhe jo konkurues, ekonomia në tërësi e pazhvilluar dhe shoqëria tepër e varfër.
2- Ekonomia informale pengon zgjidhjen e problemeve kolektive duke krijuar kosto të fshehura të larta për individin, i cili paguan për të gjithë ato çështje, që në kushte të tjera do të zgjidheshin nga shteti. Këtu kam parasysh kostot e shërbimit shëndetësor, pensionet, sigurinë sociale dhe shërbimet sociale. Ekonomia informale ka edhe kosto të tjera të fshehura si degjenerimin mjedisor si dhe përvetësimin e të mirave publike.
3- Për shkak të mungesës së të të ardhurave të shtetit dhe përhapjes së ekonomisë informale është e vështirë për shtetin të këtë një rol të besueshëm si një hartues dhe zbatues universal i ligjeve dhe i rregullave. Mungesa e burimeve çon në një korrupsion masiv duke filluar nga polici i keq-paguar deri tek mungesa e vullnetit të drejtësisë për të vendosur drejtësi. Në vakumin e lënë nga shteti, shoqëria përdor mekanizmat e veta të rregullimit. Në mungesë të shtetit dhe zbatimit të ligjit shqiptarët i kanë marrë në duart e tyre “frenat” për zgjidhjen e problemeve. Shpesh mbrojnë veten duke u përfshirë dhe në sipërmarrje kriminale e duke viktimizuar të tjerët.
4- Mungesa e rregullave të mirëpërcaktuara ku para tyre duhet të jemi të gjithë të barabartë rrit koston e të bërit biznes sepse shpesh të funksionosh dhe të vazhdosh të jesh qoftë edhe pjesërisht informal të duhen “mbrojtës” në zyrat e shtetit. Këta “bodyguard” të ekonomisë informale në skenarin më të keq mendojnë vetëm për veten e tyre.
5- Së fundi përjetësimi i ekonomisë informale është shkaktari kryesor i pabarazisë sociale të thellë që vihet re në Shqipëri. Pjesa më e madhe e forcës aktive të punës punon pa mbrojte sociale ose pa mundësinë e prezantimit kolektiv (kontratat kolektive të punës) . Kjo gjendje ofron avantazh konkurues për disa industri, të cilat shpesh proklamojnë me zë të lartë punësimin, por është sinjali më i qartë dhe i keq që tregon për pabarazinë dhe varfërinë në vend. Funksionaliteti që ofron ekonomia informale për shtetin dhe ekonominë formale varet katërcipërisht nga ekzistenca dhe përmasat e varfërisë.
Shumë lexues e sjellin ndërmend se sa shumë arritje janë servirur për luftën kundër informalitetit, ku arritja më e madhe ishte lehtësia dhe shpejtësia e regjistrimit të biznesit. Por eksperienca tregoi se reduktimi i hapave dhe i kostove për të regjistruar një biznes nuk çon domosdoshmërisht në ulje të informalitetit. U rrit numri i bizneseve të regjistruar por nuk u ul aktiviteti informal. Heqja e barrierave nuk mund të jenë kura e vetme për formalizimin pasi është e nevojshme të adresohen problemet strukturore të informaliteit.
Asnjë analizë e Shqipërisë së sotme dhe asnjë politikë nuk mund të hartohet dhe zbatohet efektivisht nëse nuk merret parasysh ekonomia informale. Megjithëse për të flitet shumë, apo nga shumë politikë-bërës, ajo konsiderohet thjesht si evazion fiskal. Si e tillë mjafton që të kesh vullnetin ta luftosh, dhe e bën. Ekzistenca për një kohë të gjatë e ekonomisë informale ka pikturuar një tablo të dhimbshme shqiptare ku dallohet qartë një elitë e vogël e fuqishme dhe e pasur, një shtet i pafuqishëm dhe i paftë për të krijuar burimet e nevojshme për të përmbushur detyrat dhe qëllimet e veta dhe një masë e madhe e varfër, që mbijeton duke ofruar shërbime me kosto të ulët për ata pak të privilegjuar.
Fatkeqësisht nuk ka një recetë unike, e cila të konvertojë ekonominë informale në formale. Çdo rast është i ndryshëm. Kështu që është i nevojshëm një diagnostikim i rrethanave, strukturës dhe sektorëve të përfshirë në ekonominë informale. Por si çdo udhëtim sa do i vështirë dhe i gjatë, hapi i parë është i rëndësishëm. Hapi i parë shumë i nevojshëm dhe në dukje i pamundur, është heqja dorë nga kompromisi politik me informalitetin. Të gjitha qeveritë shqiptare që do të mbështeten tek ky kompromis do ta qeverisin Shqipërinë e varfër për 4 apo edhe 8 vjet, por asnjëra nuk do të hyjë në histori si qeveri e ndryshimit apo rilindjes.
Në artikullin e tij “Ferri i Kompromisit” Wenbell Berry shkurante: “Për hir të krijimit të vendeve të reja të punës ne hoqëm dorë nga paratë publike, duke ua lënë ato sipërmarrësve, të cilët shfrytëzuan burimet dhe njerëzit duke i paguar më lirë se kudo tjetër. Qëllimi kryesor i ekonomisë nuk është të shfrytëzojë, por të ushqejë, krijojë dhe zhvillojë”.

Problem i shtruar per zgjidhje
Pa njerez te cilet nuk mendojne ne menyre afat gjate nuk mund te behet Shqiperia. Zgjidhja eshte e vetem nje. Shqiptaret duhet te mendoje jo vetem mikro por me shume makro . Kjo vlen me shume politikanet. Nuk ka zgjidhje qe mund ta marresh si recete gatimi e ta vesh ne vend. Autoria ka shume te drejte qe thote na duhen politikane qe nuk bejne kompromis me informalitetin . Na duhen njerez qe mendojne per te ardhmen nuk mendojne per karriken e tyre por per Shqiperine. Ate Shqiperi qe do ua lene femijeve dhe niperve te tyre.
Me duket se autorja ben nje vezhgim shume interesant! Dhe thote nje te vertete te madhe por me shume kujdes! Qe edhe keto qe kemi tani ne pushtet qe flasin per per shtet po bejne ne njefare menyre kompromis me informalitetin! Rama takon fasonistet qe vetem shfrytezojne! Po cuditemi me keto metoda populliste duke dale ne foto perqafe e per beli, por duhet te levize sepse 4 vjet ikin shpejt, dhe do te mbetet dhe rilindja nje ender ne sirtar
Jam nje lexuese e regullt e gazetes, dhe vezhguese e komenteve. Nuk ka problem qe zgjidhet Nga nje gazetar, ekonomiste, sado I zgjuar Te jete ai! Gazetaret shkuajne dhe shume mire bejne! Por ketij populli I intereson Te lexoje per pamjen e anxhela martinit, dhe librin e desades sesa Te kuptoje se ku eshte zhytur! Kot je lodhur moj zonje e mencur, publiku do sharje nese nuk shan mos shkruaj me! Edhe zgjidhjen qe ti jep vlonjati nuk eshte ne gjendje ta lexoje
faleminderit bravo