Ekonomia mbetet nën potencial, inflacioni bie 1.3%

Dita

Inflacioni ra sërish gjatë muajit korrik në nivelin 1.3%, nga 1.4% që ishte në qershor, duke treguar edhe njëherë se ekonomia ngelet nën potencialet e veta të rritjes. Përcaktuese ishte ulja e inflacionit në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, që në muajin korrik zbriti në 2.4%, nga 2.7% që ishte gjatë muajit qershor. Në këtë mënyrë as rritja e konsumit dhe as politikat lehtësuese të Bankës së Shqipërisë nuk po sjellin rezultatet e projektura në inflacion nga Banka e Shqipërisë të cilat ishin për nivelin e inflacionit 3% .

Grupet kryesore, si kanë ndikuar në indeks

Rritja vjetore në muajin korrik  është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,93 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,24 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me -0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Transporti” kanë kontribuar me nga -0.05 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Mallra e shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me nga -0.03 pikë përqindje secili.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 10,1%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,6%, grupi “Komunikimi” me 1,7%. Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 2,4%. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 10,8%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 9,4%, “peshk” me 1,7%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 1,0%. Çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë e vezë” u ulën me 3,4% pasuar nga nëngrupi “kafe, çaj e kakao” me 0,7%, nëngrupi “vajra dhe yndyrna” me 0,5%, etj. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë me 1,0%, pasuar nga grupi “Transporti” me 0,9%, grupi “Shëndeti” me 0,8% etj.

Ndryshimi mujor i indeksit,  -0,7%

Krahasuar me muajin qershor, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkolike” me 1,5%. Rritja më e madhe mujore vërehet në grupin “Transporti” dhe “Shëndeti” me 0,4%. Krahasuar me një muaj më parë çmimi i eurodiezelit u rrit me 0,7% dhe çmimi i benzinës u rrit me 0,9%.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *