Fondi Monetar Ndërkombëtar në dhjetor 2012 e parashikonte rritjen ekonomike të Shqipërisë vetëm 1 përqind. Tani, tre muaj brenda 2013-ës, e ka përgjysmuar këtë parashikim, vetëm 0.5 përqind. Praktikisht mosrritje, stanjacion. Me lidhjet e ngushta me Italinë dhe Greqinë që ekonomia jonë ka, pasojat dhe tronditjet tek ne do të vijojnë. Viti 2013 filloi me një situatë të vështirë të motit, me përmbytje, që po ndikojnë në uljen drastike të ekonomisë. Kjo, e ndërthurur me klimën financiare në Evropë, me krizën e fundit të bankave në Qipro, ndikon gjithashtu në uljen e besimit të investitorëve dhe të konsumatorëve në Shqipëri, në ngadalësimin ekonomik. Greqia ishte një faktor i rëndësishëm. Shumë shqiptarë emigrantë nuk kanë dërguar më aq shumë të ardhura në vend. Italia është një partnere e ngushtë e Shqipërisë. Gati dy e treta e eksporteve shqiptare shkon në Itali. Situata e paqëndrueshme politike, mungesa e një qeverie nga zgjedhjet dhe problemet bankare në këtë vend në vetvete paraqesin rreziqe për rritjen tonë ekonomike në të ardhmen e afërt. Problemi tjetër është se gati gjysma e borxhit publik të Shqipërisë, më i larti në rajon, është afatshkurtër. Ai maturohet brenda 12 muajsh. Qeveria në çdo kohë është përpara presionit për të gjetur para për të shlyer interesat e borxhit. Një faktor tjetër që ndikon është se borxhi i brendshëm, 70 përqind e tij mbahet nga sistemi bankar, që në vetvete është në pronësi të lartë të bankave të huaja, krejtësisht te ekspozuara dhe nën presionin e krizës financiare evropiane. Klima financiare në Evropë mund të sjellë një rrezik më të madh me këtë përqindje kaq të lartë të borxhit publik shqiptar. Ulja e borxhit duhet të vijë përmes buxhetit, por ajo s’po ndodh. Në të kundërt. Fondi Monetar Ndërkombëtar në janar 2013 rekomandonte që qeveria të mos ulte taksat. Por qeveria, po i ul sot ato për të blerë vota, duke sjellë një mungesë 150 milionë euro në vit në buxhet. Presionet fiskale do të rëndojnë shumë mbi shpenzimet kapitale këtë vit. Kjo është problematike për ekonominë tonë, pasi ka shumë nevoja zhvillimi, ka nevojë për infrastrukturë. Të zvogëlosh kapitalin në një kohë si kjo është shumë negative për rritjen në një periudhë afatgjatë. Qeveria ka disa fatura të papaguara me biznesin. Fondi Monetar Ndërkombëtar i llogarit në 1 apo 2 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP-së), pra të paktën 90 milionë euro. Kjo ka ndodhur në pjesën më të madhe për arsye të projekteve të ndërmarra nga qeveria për të fituar vota. Kompanitë që kanë kryer punimet nuk janë paguar dhe kjo ka shkaktuar efektin domino në ekonomi. Praktikisht ka penguar rritjen ekonomike të vendit. Shqipëria nuk ka një ekonomi që mund ta rrisë shumë borxhin publik. Me këtë borxh të lartë, qeveria nuk mund të stimulojë më ekonominë. Stimulimi përmes borxhit është shumë i vështirë për shkak se huadhënësit shqetësohen për mundësinë për t’i paguar. Ulja e interesit të Eurobondit shqiptar është shenjë domethënëse. Nga ana tjetër, sistemi ynë bankar ka patur rritje të qëndrueshme të huave të këqija. Në Shqipëri sistemi financiar po vuan nga kriza në pjesë të tjera të ekonomisë, si në ndërtim, energjetikë, etj. Raporti mes kredive të këqija dhe numrit total të kredive është shumë i lartë, ndër më të lartit në rajon. Likuidimi i kolateralit që kanë kreditë e këqija nuk është i lehtë për t’u kryer, kryesisht për shkak të pengesave ligjore tek ne. Bankat gjenden gati në pamundësi për të marrë kolateralin. Dhe nëse kreditë e këqija qëndrojnë në bilancin e bankave, mundësia e tyre për të dhënë hua gjatë këtij viti do të jetë tejet e kufizuar. Bankat kanë likuiditet. Ato mund të japin hua, por është mungesa e prespektivës së investimeve dhe mundësia e sektorit privat për t’i kryer këto investime që ka ngecur. Në këtë vit elektoral nuk po ruhet disiplina fiskale dhe kjo është katastrofike. Kemi probleme me reformat strukturore, për të cilat kemi shumë nevojë për rritjen në të ardhmen, duke filluar me zbatimin bazë të kontratave, problemet me të drejtat e pronësisë që janë pengesë për investimet e huaja. Këto reforma sot janë harruar krejt nga qeveria, për hir të garës zgjedhore. Kjo gjendje po e zhyt vendin edhe më shumë drejt krizës.