Debati i mëposhtëm është zhvilluar ato ditë të stuhishme kur byroja politike e Komitetit Qëndror vendosi me shumicë votash që shoku S.B të dalë me hozrashot si parti më vete, për të vënë në jetë porositë e shoqes Kato Vica. Gojët e Liga kanë mundur të nxjerrin këtë dialog tre vetësh, pra trialog, duke lexuar lëvizjet e buzëve nga kjo fotografi.
Doktori: Aaaa erdhe me vonesë or shok, vendet u zunë. Ne të kërkuam, se kishim dhe porosi. Nga ishe fut?
I Gjati: Isha në Korfuz doktor, pastaj në Athinë. Askush nuk më njoftoi se ishit mbledh. Po ç’rëndësi ka kjo. Në byronë e re dua një vend, mos kemi llafe.
Publicisti: Gjeja një vend doktor, ca ditë vonesë nuk prishin punë. Pastaj ne po vijmë me ide të reja. Kena bo ca refleksione… janë të papame.
Doktori (ndërron regjistrin e dialektit): Digjo mueee! Vendet janë zanë. Elementat jan përzgjedh. Kena caktu dhe kodet e veshjes, lene tash at muhabet!
I Gjati: Ore jatrua! Mua më tregon kodet ti? Po kjo pardesy që kam vesh ca është? Ho me?
Doktori (befas ndërron dialekt): More shejtan! Na e more vesh që pardesyja është kodi? Ç’o bëjëm me këtë zevzek mo? Paske qenë verzevul fare!
I Gjati: Kshu pra. Unë pardesynë e kam. I gojës jam, pedagog jam. Ngjo ktu, ngjo: Varim nga një komunist në çdo shtyllë them unë. Pastaj njoftojmë që populli s’ka bukë me hongër…
Doktori (kërcen përpjetë): Ptuuu tradhtar! Për ideal të partisë unë të fus në birucë që tani! Kë do varësh ti more zuzar, mua? Tët atë? Shokun Ramiz dhe shokët e tjerë të partisë dhe të pushtetit në qendër dhe në rrethe? Veteranët tanë të nderuar? I poshtër, ballist!
I gjati: S’më kuptove dok. Gjejmë disa nga ata idealistët, ata koqet e kandarit që s’i prishin punë njeriu, sa për shembull. Meqë më kujtove ballistët: I thërrasim të gjithë kalamajtë e tyre nga jashtë shtetit. Bile unë them të rivarrosim eshtrat e kumandarëve të tyre, me ceremoni, me fjalime… Mithat beun të parin. Ose e lëmë për ëmbëlsirë, në fund. Se harrova, u japim edhe dekorata diversantëve, se tek e fundit, ata për kët ditë luftuan.
Doktori: Ato gjëra i bëj vetë. Pastaj duhet mejtuar kjo punë. Do flas me shokun Ramiz njëherë, ehuhaaa, ti merr flakë si kashta more djalë!
Publicisti: Po ça Ramizi mor burrë! Hala ti me Ramizin? Na fut mua dhe të Gjatin se e palosim Ramizin tak fak.
I gjati: Mirë thotë publicisti. Si i thonë anglezët, tuck-fuck. Edhe ata të përpjekurit politikë i nxjerrim nga burgjet, u japim ca poste të dorës së dytë. Burgjet i kthejmë në atelie, në studio. E kam menduar: Muret i lyejmë me një bezhë në okër; të kuqen e Onufrit nuk e dua fare, do ta heqim me kushtetutë…
Doktori: Jo! Jo dhe jo. Dhe prapë jo. E para, janë të përndjekur, jo të përpjekur. E di, se i kam ndjekur me këto duar. Na paske gjetë një pardesy ti dhe do na bëç ligjin tani! Partinë e bëj vetë, burgaxhinjtë i liroj vetë, pronat i shtetit i prish vetë, diversantat i dekoroj vetë! Ik tani, hajt.
I Gjati: Mirë doktoro, ta mbash mend. Ke për t’pa ça kam për të punu! Ti bëj parti të re po deshe, unë do marr të vjetrën dhe do ta bëj fringo. Do ta kombinoj me perdet dhe me kravatën, ke për të pa…
Publicisti: S’bëre mirë doktor. E vrave në sedër. Kuadrot duhej ruajtur…
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike, por trialogu më lart ka ndodhur vërtet, hiqeni nga mendja që është sajesë.

Me dialektin e Dokrra-Torrit te Gjatit i thone “Zdapi”
Humorin anglez e lexon sot dhe qesh neser. Për të qeshur me këta kllounë cirku besoj se do na duhen vite.
Ja pra, doli me ne fund dhe pardesyja misterioze qe mungonte kur muarrem plackat e italianeve….
Kristaq mavria c`ka vuajtur kur erdhi ky nga Grqia dhe e gjeti PD te formuar pa te!