Nga Bardhyl Mahmuti
Nuk e di nëse isha në gjumë apo kisha rënë në kllapi nga tronditja emocionale që kisha përjetuar, por nuk e kisha dëgjuar as zhurmën e shulit, as hapjen e derës, as ndezjen e dritave dhe as futjen në qeli të majorit dhe të dy beretëkuqve. Bërtitjet dhe sharjet e tyre të sinkronizuara më tmerruan.
– Çohu, bir bushtre, se nuk ke gjetur njerëz të tallësh herdhet me ta! – shkumonte si i çartur majori.
Brofa më këmbë dhe, sapo fillova të mbathja këpucët, majori më këputi një shkelm në kyçin e këmbës së majtë me aq forcë, saqë këpuca fluturoi si top futbolli amerikan dhe u përplas në qoshen e qelisë.
– Nxito, se do të ta nxjerr gabzherrin dhe do të të rrah me të si me kërbaç! – bërtiti majori me sa zë kishte.
U ngrita shpejt e shpejt nga dera-krevat, mora setrën që e kisha bërë si jastëk dhe, në qoshe të qelisë, pranë nevojtores, mbatha edhe këpucën tjetër. E ndoqa majorin që doli i pari, ndërkaq beretëkuqtë më vinin nga pas, të gatshëm që të më vërsuleshin si qen të stërvitur. U ngjitëm shkallëve dhe u futëm në zyrën e kolonelit. Pashë që ora shënonte 7:15.
Koloneli qëndronte më këmbë, në mes të zyrës së tij. Më hodhi një shikim përbindësh me sy të skuqur si të ujkut që ka ndjekur gjahun tërë natën, ndërkohë që majori dhe beretëkuqtë dolën nga zyra.
– Nuk kam parë njeri më të pacipë se ti, Mifi L.! – filloi të fliste me një zë të lodhur dhe, për habinë time, pa bërtitur. – Mendoje se do të na bësh të sorollatemi kryq e tërthor Serbisë dhe se nuk do të takohemi më?!
I trishtuar nga zgjimi i zhurmshëm, nuk e kuptoja ku donte të dilte. Më urdhëroi të ulesha në të njëjtin vend ku shkrova dëshminë time. Në mes të tavolinës kishin lënë gazetën “Politika”, në ballinën e së cilës shihej fotografia ime. Drejtova sytë që të shihja se çka shkruhej, por koloneli më kërkoi ta shihja në sy kur më fliste. Megjithëse nuk munda të lexoja asgjë, në atë çast ndjeva një lehtësim, që opinioni publik ishte informuar për arrestimin tim, qoftë edhe nëpërmjet gazetës që kontrollohej nga pushteti politik. Kureshtjen time për përmbajtjen e shkrimit e ndërpreu zëri i kolonelit, që vinte si një bubullimë e fortë:
– Dëgjo këtu, Mifi L.! Lexo çfarë kanë shkruar gazetat për rastin tënd. Ndoshta të ndihmon të kuptosh ku e ke futur kokën! – më tha në mënyrë telegrafike, duke e shtyrë gazetën me kurrizin e dorës.
Gjysmën e faqes së parë të gazetës “Politika”, të datës 9 maj 2000, e kishte zënë shkrimi bombastik: “Agjentë të Shërbimit Inteligjent Ushtarak të Mbretërisë së Bashkuar rrëmbyen gazetarin Mifi L.”.
M’u duk e pabesueshme. Një titull skandaloz! Hëm! Edhe më skandaloze ishte përmbajtja:
Kralevë
TANJUG, më 8 maj 2000
Nëpërmjet një kumtese zyrtare, Gjykata e Qarkut në Kralevë njoftoi se në orët e pasdites së datës 8 maj është arrestuar gazetari Mifi L. Arrestimi i tij është bërë për arsye të dyshimeve të bazuara, se kishte qenë i përfshirë në një rrjet spiunazhi. Kumtesa saktëson se, përveç asaj që ishte gazetar i “Danasit”, Mifi L. bashkëpunonte me IËPR-në, me qendër në Londër. Gjatë rrugës për në Burgun Qendror në Beograd, veturat e policisë janë sulmuar nga një veturë e markës BMV, me targa të Kralevës. Gjatë këtij sulmi terrorist janë vrarë tre policë dhe janë plagosur rëndë dy të tjerë. Ndërsa nga terroristët që sulmuan forcat e rendit është vrarë një shtetas anglez, tek i cili është gjetur kartela e Shërbimit Inteligjent MI6. Sipas burimeve të policisë, sulmuesit kanë ikur në drejtim të Bullgarisë dhe kanë marrë me vete Mifi L. Në kafazin e “Maricës” janë gjetur gjurmë gjaku, gjë që lë të nënkuptohet se gazetari është plagosur gjatë shkëmbimit të të shtënave. Në bazë të informatave që ka siguruar agjencia jonë, batalioni kufitar ka përforcuar kontrollin e vijës kufitare me Bullgarinë…
—–
Vërtet e pabesueshme! E lexova edhe një herë dhe mendja filloi të më vinte vërdallë. Më paskan shpallur spiun, të plagosur dhe nuk paska mbetur gjë tjetër, pos të publikojnë fotografinë e kufomës sime dhe të vendit ku është gjetur ajo! Do të jenë çmendur Llavica dhe fëmijët kur e kanë lexuar shkrimin… A thua e ka marrë vesh nëna, meqenëse gazetat nuk shkojnë në fshat?…
M’u prenë këmbët. Gënjeshtrën e kishin ambalazhuar aq bukur, sa më bënë të dyshoja edhe vetë! Iu drejtova kolonelit me fjalët që mezi i nxora:
– Zoti kolonel, nëse nuk e keni ditur më parë, ky njoftim duhet t’ju ketë bindur se çfarë janë në gjendje të bëjnë njerëzit e këtij pushteti… Ju nuk jeni agjent i MI6-ës. Por edhe sikur të ishit, ju e shihni se nuk jam i plagosur… Kjo kumtesë duhet t’ju bindë se gjërat që kam shkruar në dëshminë time janë të vërteta, ndërkaq juve ju kanë ofruar shtrembërime të ngjarjeve, siç kanë shkruar në këtë kumtesë…
– Dëgjo këtu, Mifi L.! – më ndërpreu gjithë tërbim. – Nuk do të luamë si macja me miun! Dëgjo me vëmendje fjalët e fundit që po të them… Je në teh të shpatës dhe gabimi më i vogël do të jetë fatal për ty! – tha dhe u ngrit nga tavolina e filloi të endej nëpër zyrë.
– A e dije se para një muaji Rade M. ishte ulur te shinat e hekurudhës dhe kishte pritur trenin ta bartte nga kjo botë? Pse na gënjeve se “Borisi” dhe “Drazheni” ishin pseudonime të Rade M-së? Pse e fshehe identitetin e mikut të Rade M-së, Dragan T., i njohur si “Drazheni”? A ishte arsyeja e kësaj fshehjeje fakti se “Drazheni” kishte vrarë gruan dhe veten një javë pas transmetimit të intervistës televizive për “Channal 4”? Jam i bindur se e ke ditur që Milan F. ishte vetëvrarë në dhomën e gjumit me granatë dore… Madje, jam i sigurt që ke qenë edhe për ngushëllime te familja e tij! Dhjetë ditë para përfundimit të luftës, në fshatin Carrallukë të komunës së Rahovecit, vetura e nënkolonelit Zoran Petrusheviqi, Zokit, u hodh në erë nga shpërthimi i një mine kundërtanke, që i kishin vendosur terroristët e UÇK-së! Vetëm të vrarë dhe të vetëvrarë në dëshminë tënde!
Pastaj u afrua rreth 1 metër pranë meje dhe m’u drejtua:
– A ka mbetur ndonjë dëshmitar i gjallë, nga ata që të kanë rrëfyer për krimet që paskëshim kryer në Kosovë, apo të gjithë kanë shkuar të të presin në atë dynja?
Në atë moment kur desha të flas, koloneli më ktheu shpinën dhe vazhdoi të endej nëpër zyrë. Nguroja nëse duhej t’i përgjigjesha apo të prisja urdhrin e tij, ngase nuk e dija nëse e kishte përfunduar fjalën. Përsëri erdhi te tavolina, mori një letër dhe stilolapsin me të cilin kisha shkruar mbrëmë, dhe tha:
-Mifi L., ne i përfunduam bisedat që kishim. Tani me ty do të merret majori. Sidoqoftë, majori do ta marrë vesh të vërtetën. E vetmja mundësi që të mbetet për t’iu shmangur duarve të tij, është të tregosh emrat e atyre që të kanë gënjyer për luftën e Kosovës. Kjo do të impononte ballafaqimin me ta përpara gjyqit dhe, në këtë mënyrë, do të shpëtoje kokën tënde. Nëse vendos të tregosh të vërtetën, atëherë kërko nga majori të më takosh. Në të kundërtën, e paç veten në qafë!… Udha e mbarë të qoftë dhe t’u bësh të fala Rades, Drazhenit, Milanit, Zokit dhe atyre që do të takosh në botën tjetër…
Pas këtyre fjalëve, u afrua te qoshja e tavolinës dhe shtypi zilen. Kur hyri majori dhe beretëkuqtë, koloneli më dha fletën dhe stilolapsin dhe i urdhëroi të më zbrisnin në terrinë. Para se të dilnim nga zyra e tij, ai i urdhëroi të mos i fiknin dritat në qelinë time dhe, pas një ore, nëse nuk ka asgjë të re nga ana ime, të vepronin “butësisht”, ashtu siç dinin vetëm ata. Porosia ishte e qartë dhe e merrja me mend për çfarë “butësie” e kishte fjalën. Zbrita shkallëve si i hutuar duke tërhequr këpucët pa lidhëse, ndërkaq dhembja që kisha nga goditja te kyçi i këmbës sa vinte e shtohej.
Në korridorin përpara qelive jehoi zëri i majorit:
– Mos i tërhiq këmbët zvarrë si breshkë, se do të t’i mbath patkonjtë para kohe!
Pastaj ma ngjiti për gryke dhe më shtyu brenda qelisë sime. Ndërsa njëri nga beretëkuqtë hoqi batanijen si çull kali, ngriti derën-krevat dhe e mbërtheu me dry për muri, majori m’u drejtua me dhëmbë të shtrënguar:
– Më duken shumë të gjatë 60 minutat që të dha koloneli! Nuk dëshiroj asgjë më shumë, sesa të kalojë kjo kohë dhe të kem mundësi të t’i mbath patkonjtë. Atëherë do ta kuptosh se çka është operacioni “Patkoi”, për të cilin ke shkruar në artikujt e tu… Sado e madhe të jetë dhembja kur të t’i ngul gozhdët, përballohet disi. Më e rënda vjen pas disa ditësh, kur hiqen patkonjtë nga shputat e infektuara! Atëherë do të dalësh nga samari yt dhe do ta përjetosh golgotën në stilin e “Beretave të kuqe”. Do të bindesh se e ke bërë kot argatin e MI6-ës: askush nuk do të mund të të shpëtojë! Mirupafshim, trimi im! – më tha me një ton sarkastik dhe doli jashtë.
II.
E lashë fletën dhe stilolapsin mbi tavolinë, u ula në stol dhe e mbështeta shpinën te dërrasa e tavolinës. Dreq o punë, edhe këtë kisha mangët! Do të më mbathnin patkonj për të më poshtëruar! Mendoja për mënyrën se si do të mund të ecja me patkonj në këmbë. Më dukej e pamundur. Madje edhe në nevojtore do të më duhej të shkoja këmbadoras!
“S’kam ç’të bëj! E paskam pasur taksirat!” – thashë me vete.
Teksti i kumtesës së gjykatës nuk më hiqej nga mendja. Kërshëria ime për të kuptuar se nga erdhën krismat që “sulmuan” veturat e policisë, u plotësua tërësisht. Për të krijuar përshtypjen se vërtet më kishin rrëmbyer agjentët e MI6-ës, çdo gjë ishte planifikuar në detaje. Sajimi i një rrëfimi të tillë i jep mundësi të panumërta imagjinatës së tyre kreative, që të zgjidhnin mënyrën se si do të më përcillnin për në “botën tjetër”.
Megjithëse dënimi me vdekje ishte hequr nga Kodi Penal i Jugosllavisë, ekzekutimet pa gjyq vazhdonin. Nuk e kisha hapur bisedën me askënd, madje as me Llavicën, por kisha menduar rreth tri varianteve të mundshme për likuidimin tim. Gjasat më të mëdha ia jepja atentatit nga afër, si në rastin e Sllavko Quruvijës, për arsye se përdorej më së shumti për të hequr qafe kundërshtarët politikë dhe për t’ia prezantuar opinionit publik si “qërim hesapesh të grupeve rivale të interesit”. Varianti i dytë ishte vrasje nga distanca, me pushkë me dylbi, si variant që mban nën presion të vazhdueshëm kundërshtarët politikë, ngase nuk e dinë nga do t’u kërcasë tepja e kokës. Dhe, në fund, mundësia të më hidhnin në ajër bashkë me makinën më kishte bërë vesves ta kontrolloja veturën çdoherë para se të nisesha… Mirëpo asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja, se vdekjen do të ma linin në duart e mia! Shprehja e kolonelit, “Paç veten në qafë”, nuk do të thoshte asgjë tjetër, pos fajësim për “vetëvrasje”!
Për të shpëtuar nga kjo situatë, koloneli kërkoi nga unë emra të tjerë të atyre që më kishin dhënë informatat rreth krimeve në Kosovë. Jo vetëm që nuk vërehej fije keqardhjeje për atë se Rade, Drazheni dhe Milani kishin hequr dorë nga jeta, për arsye se nuk kishin mundur të duronin dot peshën e pafuqisë së tyre për të pamundësuar atë që ishte bërë në Kosovë, por emrat e veteranëve të luftës u përmendën me përbuzje. Kam bindjen e plotë, se edhe nga varri do t’i nxirrnin, nëse do të kishin mundësi të vërtetonin të kundërtën e asaj që kisha shkruar.
U ngrita nga stoli dhe shkova të shpërlaj fytyrën dhe të pi ujë. Uji në lukth të thatë më nxiti të vjella. U ktheva ngadalë, e vura këmbën mbi stol dhe hoqa çorapin: kyçi i këmbës ishte skuqur dhe ënjtur.
– Eh, ç’bëra, që rashë në duart e këtyre! Ec e merre vesh çfarë kanë parashikuar të bëjnë me mua…
Këto fjalë që sillja e përsillja në mendje, që nga çasti kur filloi të më merrte në pyetje koloneli, më kujtuan takimin e fundit me Raden, një javë para se vetëvritej. U gëzua shumë kur më pa në qytet. Kishte bërë një vizitë te psikiatri dhe shfaqi dëshirë të pinim nga një gotë. Meqë ishte kohë dreke, i propozova që të shkonim në restorantin “Kavana kod mira”, i njohur për specialitete tradicionale. Dhe ashtu bëmë.
Sado që Rade këmbënguli të merrte vetëm një birrë dhe nuk dëshironte të hante, unë porosita dy meny dite dhe nga një birrë.
Më tha se kisha porositur kot drekë për të, ngaqë nuk kishte fare oreks. Ndiente plogështi të madhe, nuk vinte gjumë në sy, kishte marrje mendsh dhe zemërohej për hiçgjë. Kishte kërkuar ndihmë te psikiatri, mirëpo e kishte braktisur seancën, tejet i pakënaqur.
– Në vend të ndihmës që kërkova, m’i ngriti nervat! – filloi të rrëfente me zë të mekur.
Fjalët që tha, bartnin me vete tronditjen e madhe shpirtërore që po përjetonte dhe shihej qartë që Rade kishte nevojë ta zbrazte kupën. Prandaj vendosa ta dëgjoj dhe të mos e ndërpres fare.
– Pasi i tregova për hallet që kam, “psikiatri” deshi t’ia shtronte muhabetit! – më tha, duke e shqiptuar me përbuzje fjalën “psikiatër”.
– Me sa dukej, kishte kohë për biseda. Më kërkoi t’i rrëfeja jetën time dhe pata përshtypjen se kujtonte që ajo shpaloset si shiriti i një filmi kinematografik, të cilin mund ta shihte nga kolltuku i butë.
Pastaj ndezi një cigare dhe, pasi e thithi tymin me tërë forcën që kishte, filloi të kafshonte filtrin e cigares.
– Meqenëse isha i interesuar të merrja ilaçet e nevojshme për t’u qetësuar, i tregova se kam qenë në luftë në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë. Pa një, pa dy, nisi të më udhëzojë të mbyllja faqen e historisë së shkuar dhe të hapja një faqe të re të jetës! Nuk ma merrte mendja se mund të ishte aq hajvan! Ai mendonte se kujtimet janë fjalë të shkruara në letër dhe, për t’u harruar, mjafton t’i mbyllim faqet! Hëm! Hajvan i vërtetë! Sikur të ishte aq e lehtë, jo vetëm faqet, por edhe kapitujt do t’i grisja dhe librin do ta digjja të tërin… Ai nuk kishte vesh për të dëgjuar! Edhe pse i thashë që kam qenë në tri lufta, nuk e kuptoi që jeta ime nuk ishte një pasqyrë e rrafshët, që do të reflektonte një jetëshkrim linear. Pasqyra e jetës sime është thyer, Mifi! Është bërë copash! Kujtimet e mia kapërcejnë nga Vukovari në Sarajevë, nga Srebrenica në Prekaz, nga Reçaku në Izbicë, nga Podujeva në Krushë, nga një tmerr në një tmerr tjetër… Në shpirtin tim nuk parakalojnë nota të një romance dashurie, por përplasen vaje fëmijësh dhe grash, shpërthime raketash dhe granatash… Ai e gjeti të tallej me faqe librash! Hëm! Mjek më hajvan se ai nuk kisha takuar më parë! Madje ka edhe diplomë universitare për këtë punë!
Pasi heshti pak i menduar, shtoi:
-Mifi, i thashë se të vrarët më rrinë pezull në shpirt. Sidomos ata që i kemi zhvarrosur, të cilëve ua kemi tretur eshtrat dhe i kemi lënë pa varr. E di se çfarë më tha ajo shtazë e gjallë? “Të vuash për të vdekurit është e pakuptimtë, prandaj hiqe mendjen prej tyre! Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët!”… Nuk munda ta duroja më tepër! U ngrita nga karrigia dhe, para se t’ia përplasja derën, i thashë se ata nuk kanë vdekur, por i kemi vrarë në shtëpitë e tyre. Dëgjo, Mifi, nuk mund të ngushëllohem me faktin që nuk vrava nga afërsia! Megjithatë, unë godisja pareshtur me tank në drejtim të fshatrave shqiptare, sepse më ishte thënë që civilët ishin larguar dhe se në shtëpi kishte vetëm terroristë, që kishin vrarë dhe djegur civilë serbë… Më vonë kuptova të vërtetën… Krahas bëmave të mia që nuk më lënë të qetë, në kujtimet e skalitura thellë në shpirt kanë hisen e tyre edhe veprimet e të tjerëve. Kujtime të gjërave që kam bërë unë; kujtime të gjërave që kanë bërë të tjerët; kujtime, kujtime, kujtime! Nuk di ku të fshihem nga kujtimet, miku im! Kërkoj qetësinë në fëmijërinë time, në kohën kur loznim pa brenga dhe kënaqeshim me fare pak, por, në retinën e syve, si në një ekran që transmeton imazhet e kujtesës, më shfaqen fëmijët e vrarë; më del Valmir Deliu me cucëll në gjoks dhe me trup të bërë shoshë nga plumbat. Shoh fytyrën e asaj foshnje në Abri, që nuk kishte moshën të kuptonte domethënien e përkatësisë së një kombi të veçantë, e megjithatë duhej të vdiste pse ishte shqiptar… Më shfaqet fytyra e një plake, së cilës para 25 vjetësh i kishin vrarë burrin. Ndërkaq, tani, përpara syve i ekzekutuan djalin e vetëm që kishte dhe tre nipat e saj. Rrudhat në ballë i dukeshin si pentagram, ku xhelatët kishin gdhendur notat e një melodie të trishtueshme… Sytë nuk gënjejnë asnjëherë, Mifi! Ah, sikur të kishim mundësi t’i prisnim kujtimet e këqija, ashtu siç priten gjymtyrët e sëmura në një sallë operimi! Do të shpëtoja… Fatkeqësisht, edhe kur e kthejmë të kaluarën në retinën-ekran, që vetëm sytë e shpirtit e shohin, jemi të pafuqishëm të fshijmë atë që s’na pëlqen… Alkooli më ka mbetur i vetmi ilaç, që përkohësisht më bën t’i harroj sadopak tmerret! Por, sapo bëhem esëll, nga thellësia e shpirtit shfaqen kujtimet, që më shkaktojnë dhembje dhe më përplasen në fytyrë, me tërë trishtimin e tyre. Kam frikë se edhe në varr nuk do të jem i qetë… – më tha me sy të përlotur.
Ishte vërtet në gjendje shumë të rëndë psikike. I propozova një mjek që njihja dhe u përpoqa ta bindja se nuk ishte “hajvan” si ai që kishte takuar atë ditë dhe se “kishte vesh për të dëgjuar”, por Rade refuzoi në mënyrë kategorike. Ishte zhgënjyer nga mjekët, nga njerëzit, nga jeta…
Për drekë mezi hëngri dy-tri kafshata, sa për të më bërë qejfin, ndërkaq piu tri birra. Ishte hera e fundit që e takova.

Po luani teater me duket?
Mos e keni me burgjet e xhachit enver?
O sa gabime ka bere xhaxhi Enver qe te la te gjalle ti dhe shume si ti.
Komentues të nderuar ky shkrim është pjese e një libri që bën flet për arrestimin dhe torturime që i bëjnë njësit speciale të sigurimit të Serbisë ndaj gazetarit serb pse ka shkru realisht për krimet e gjenocidin e strukturave shtetërore të milicise e ushtrisë serbe në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998/99…
Lexone shkrimin e pastaj komentone !
Se kam përshtypjen nga komentet që nuk e keni lexu shkrimin të tërin….!