Personaliteti poliedrik, dmth shumëfaqësh, Fendi Blevziu ka vizituar sot kryeqytetin shqiptar në kuadër të një turneu për të çuar nëpër rajon të falat e Rudi Xhulianit.
Një pikë e veçantë, e shënuar me laps blu në axhendën e tij shumëfaqëshe, ishte takimi me ish kryeministrin Sabile Risha, me insistimin e mjerë të këtij të fundit.
Takimi i Fendit me z.Sabile zuri faqet e shtypit shumëfaqësh të Tiranës, që ka qenë shumë kurioz nëse Sabilja do arrinte të përmbante lotët dhe emocionin në këtë takim të pashpresuar që i ra si dhuratë pashkësh.
“Me zotin Sabile diskutuam për çështjet e rajonit tuaj, i çova të falat e zotit Xhuliani dhe e përgëzova për arritjet dhe sukseset e Shqipërisë së vogël. Ai më tha se nuk është kryeministër prej shumë vitesh, por unë përgëzimet nuk mund t’i merrja mbrapsht se kam një hale punë të tjera,” deklaroi Fendi Blevziu.
Vlen të kujtojmë këtu se ndër shumë faqet që janë shkruar për personalitetin shumëfaqësh spikasin dithirambet që i janë kushtuar atij nga një bard legjendar popullor, ku Fendi është i krahasueshëm vetëm me udhëheqës të mëdhenj të historisë së këtij kombi, konkretisht me hallatin e më të shquarit prej tyre.
Siç mësojnë Gojët e Liga, Fendi Blevziu nuk ndenji shumë në Tiranë, sepse ishte i ftuar në emisionin e vet në Kinostudio dhe nuk mund t’ja prishte vetes.
“Më ka ftuar, s’kam ç’bëj,” tha poliedriku me përtesë lozonjare, “pastaj kam për t’i çuar shumë të fala drejtuesit të emisionit”.
Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike që u bën të fala gjithë lexuesve

Njeri fend, tjetri sa bile, kombinim i persosur. Kushedi cfar lloj dialogu mund te bejne????
Epo sic thote Redi Drama “Qente le te lefin, Kar-Vani shkon perpara”.