Ekskluzive/ Kujtime të shkrimtarit Kiço Blushi për Dritëro Agollin

Leda Hysa

 

Dritëro Agolli nuk kishte frikë nga e kaluara, nga e sotmja dhe nga e nesërmja

Kjo veçanësi e emrit Dritëro nuk vjen nga “shënjimi” profetik i bërë 66 vjet më parë, por nga jeta publike që ka bërë ky burrë tashmë i thinjur, kryeneç, kokëfortë, krenar, inatçor, zemërmadh e mbi të gjitha i urtë prej veprës të të cilit, bota shpirtërore është dritëruar për gati pesëdhjetë vjet…

Tri ditë më parë në Tiranë shtëpia ku ka banuar shkrimtari Ismail Kadare u kthye në muze, në një atraksion të ri turistik të kryeqytetit. Me këtë rast Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi se të njëjtin fat do të ketë së shpejti edhe shtëpia e shkrimtarit Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta më 3 shkurt 2017. Fati e ka sjellë që dy shkrimtarët e shquar kanë qenë për shumë vite komshinj, banorë të të njëjtit pallat në rrugën e Dibrës, Ismaili në katin e tretë, ndërsa Dritëroi një kat më sipër.

Në vijim të kujtimeve dhe vlerësimeve që janë botuar për shkrimtarin Dritëro Agolli herë pas here në faqet e gazetës, DITA po boton sot këto shënime të shkrimtarit Kiço Blushi (i cili u nda nga jeta disa muaj më parë). Këto shënime, që janë me shkrimin origjinal, Blushi i ka shkruar 22 vite më parë më 26 gusht 1997. Mbase ngjarjet tragjike të atij viti, rebelimi i armatosur dhe ajo pranverë e përgjakshme, për të cilat shkrimtari Dritëro Agolli mbajti një qëndrim të prerë dhe të qartë, e kanë shtyrë Kiço Blushin të bëjë këto shënime, që botohen sot për herë të parë.

Në vijim, shënimet e plota të Blushit.

***

Nuk e di se si mund të ketë ndodhur që në një fshat të Devollit (Menkulas) është shënjuar me emrin Dritëro një foshnjë që destini historik nuk do ta lejonte të ndiqte trashëgiminë e të bëhej bujk, por shkrimtarin më të madh e më shqiptar të këtij shekulli.
Nuk e kam për zakon të flas në mënyrë kategorike për askënd e për asgjë, pasi e di fort mirë që kjo veti, në mos është shenjë budallallëku, së paku është shenjë servilizimi. Nga kjo e dyta nuk kam frikë.

Kur Dritëroi ka qenë kryetar i Lidhjes disa herë jam ndeshur me të e prapë ne mbetëm këta që jemi: Kuvendarë të respektuar e për këtë ka meritë fisnikëria e Dritëroit.

Nuk ka qenë vetëm një rast kur Dritëroi është sulmuar në mënyrë të turpshme pikërisht nga ata letrarë shkarrashkrues gazetash të cilëve ai u ka bërë ndere të mëdha jo vetëm duke i përkrahur për botime, por edhe duke i sjellë nga periferitë në qendër të Tiranës, pasi atëherë, siç dihet nuk ekzistonte qarkullimi i lirë i njerëzve si sot. Por në asnjë rast, në shtyp jo se jo, (dhe dëshmi janë edhe këto libra me publicistikë), por as me gojë ai nuk ka dëshirë të shprehet “për ata”. “Shkrimtari nuk e shan shkrimtarin”, thotë ai shkurt, duke u skuqur, për të treguar se ai jo vetëm që nuk e ka për zemër të flasë për mëkatin e mosmirënjohësve, por edhe se ata ai i ka falur, pasi si zhbirues i lindur i shpirtit njerëzor e di fort mirë se shumë njerëz të rëndomtë bien kollaj pre e tundimit për shkak të varfërisë shpirtërore e materiale, gjë që prish karakterin dhe moralin njerëzor.

Nuk njoh asnjë personalitet tjetër të letrave e të kulturës sonë që të mos ketë frikë nga e kaluara, nga e sotmja (nevojat materiale, marrëdhëniet shoqërore, me partitë, me publikun, etj) por edhe nga e nesërmja (ç’do të thonë lexuesit nesër?). Sidomos në këto shtatë vitet e fundit kemi patur fatin të shohim lakuriq shumë personalitete që hermetizmi i çdo lloj diktature  vesh me një vel fals. Të trembur nga e kaluara e tyre, duke dhënë prova mashtruese për gjoja disidencë, ata nuk e kuptuan se kësisoj përfitimi nga e sotmja do të sjellë pashmangshmërisht rrënim të së nesërmes (të emrit të tyre). Kthimi i vlerave në antivlera dhe anasjelltas, dukuri kjo mjaft e prekshme në këto vite ka sjellë prishje të ekuilibrit moral në shoqërinë shqiptare e është kjo prishje ekuilibri që solli rrënimet e shkatërrimet e fundit. Emri Dritëro është padyshim ndër ato emra që jo vetëm për sot por edhe për nesër do të shërbejë për të kuptuar se historia e Shqipërisë ka patur edhe burra të vërtetë që vlerës intelektuale i japin karakter universal e të pavarur nga koniunkturat kohore.

Nuk gjen në Shqipëri në asnjë kadastër e zyrë civile ndonjë person me emrin Dritëro. Kjo veçanësi e emrit Dritëro nuk vjen nga “shënjimi” profetik i bërë 66 vjet më parë, por nga jeta publike që ka bërë ky burrë tashmë i thinjur, kryeneç, kokëfortë, krenar, inatçor, zemërmadh e mbi të gjitha i urtë prej veprës të të cilit, bota shpirtërore është dritëruar për gati pesëdhjetë vjet.

Jam i bindur që sa thashë më lart, po edhe intervistat që i kam marrë unë e jo më pastaj gjithë korpusi i publicistikës së tij, vërtetojnë vetëm pjesërisht si analiza laboratorike e një pike uji të marrë nga një lumë i madh që nuk ka të shterrur.

Kiço Blushi

26.8.1997

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *