MOIKOM ZEQO
DAVIDI, GJENIU I IKONOGRAFISË SHQIPTARE I 1000 AFRESKEVE
Është momenti kur dijetarë shqiptarë dhe të huaj po lartësojnë vizionin shkencor, traditën 30-vjeçare të një qyteti kaq të habitshëm si Voskopoja. Voskopoja është një Kostandinopojë e Vogël në mes të Ballkanit, një kryeqytet i vogël kulturor, pa një të dytë në Shqipëri, shkatërrimi i së cilës u vajtua sipas një kënge psallmike, që ende ruhet në një kodik njësoj si vajtimi për Jerusalemin apo Kostandinopojën nga kronistët. Voskopoja është një nga mrekullitë më të mëdha të Shqipërisë, një dimension origjinal dhe shumëkulturor për Ballkanin dhe Europën. Tashmë Voskopoja është si një qytet gati si i vdekur, por me përjetshmërinë e pamohueshme dot të monumenteve.
Në Voskopojë janë gërshetuar kulturat ballkanike, por thelbi dhe substanca e hapësirës dhe e mjedisit etnik ka qenë Shqipëria. Voskopoja lindi në mjedisin shqiptar, por nëse do të përdornim një përcaktim të filozofit Karl Poper, Voskopoja qe një “shoqëri e hapur”. Kjo ide është tepër moderne dhe ndoshta ideja kryesore për bashkësinë e popujve në fundin e mijëvjeçarit të dytë. Tezat e skajshme dhe metafizike që i mohojnë shqiptarësinë Voskopojës, që mbivlerësojnë elementët grekë apo vllehë janë të papranueshme, ashtu siç është absolutisht e papranueshme edhe mohimi i ndikimeve të grekërve apo vllehëve në historinë kulturore të Voskopojës. Një optikë ekuilibruese, një logjikë pranuese dhe jo përjashtuese do të bënte të mundur dhe do të shpjegonte enigmën kolosale të Voskopojës si një qytet apo një qendër kulturore e shumëfishtë. Pyetja pse ndodhi që dukuria e Voskopojës të sendërtohej pikërisht në Voskopojë dhe jo në Greqi, apo në Serbi, apo dhe në Azinë e Vogël etj., është një pyetje që nuk mund të anashkalohet me përgjigje të thjeshta dhe aq më tepër të politizuara. Unë nuk besoj që Shqipëria është Greqi, madje as Vllahi (një shtet vllah nuk u arrit të bëhej kurrë). Është fakt i pamohueshëm se Voskopoja është një sintezë e kulturave ku paraprin një iluminizëm i vërtetë jo vetëm filozofik me ndikim të qartë nga Perëndimi dhe sidomos nga Franca dhe nga protestanizmi gjerman apo anglo-sakson si dhe nga një humanizëm i krishterë, i cili duhet kuptuar jo aq në rrafshin e dogmës sesa si një metaforë e ringjalljes kundër pushtimit shekullor islamik otoman. Një mjedis jetëdhënës për këtë sintezë kulturore ishte pikërisht Shqipëria dhe çuditërisht një zonë e thellë malore si Voskopoja.
Voskopoja u bë kështu një qytet i klasit të parë dhe një thesar i njerëzimit. Voskopoja të kujton deri diku kryeqytetet kozmopolite të ndërfutjes së kulturave të popujve tek njëra-tjetra, por jo në boshllëk dhe nëhava, por në një kronologji të saktë, të vijueshme të mjedisit kulturor shqiptar, në një kontekst të qartë ballkanik dhe europian. Vetëm ky syshim është objektiv dhe nuk na lejon që ta shikojmë në mënyrë të njëanshme apo të absolutizojmë të veçantat kur studiojmë historinë kulturore të Voskopojës së Shqipërisë.
Dy gjenitë e mëdhenj të Voskopojës, janë padyshim Teodor Kavalioti, filozof dhe mendimtar i madh shqiptar dhe piktori i shkëlqyer David Selenica.
Duke mos dashur të bëj tablonë enciklopedike të Voskopojës, dua të ndalem te figura opusi madhështor i piktor Davidit. Davidi në 1721 pikturon kryeveprat e tij, afreske dhe ikona të pazakonta në Voskopojë.
Në 1720 në Voskopojë qe ngritur dhe një shtypshkronjë, e dyta në gjithë territorin e Perandorisë Osmane. Davidi në Voskopojë dekoron kishën e Shën Kollit. Ai së bashku me dy bashkëpunëtorë të shkëlqyer, piktorët Konstandini dhe Kristo punoi për pikturimin e bazilikës për gati 5 vjet.
Punën e përfundoi më 18 tetor 1756, pra 272 vjet më parë, siç shënohet edhe në mbishkrim. Mbishkrimi na jep edhe një vlerësim estetik. Aty thuhet se këto piktura janë bërë “nga peneli i hollë dhe shumë elegant i piktor Davidit”. Ky bazilik i Voskopojës mund të quhet si një KAPELE SIKSTINE e pikturës tonë mesjetare. Deri vonë studiuesit kanë menduar se Davidi është nga fshati Selenicë në afërsi të Korçës. Është meritë e padiskutueshme e studiuesit M.B.Sakellorion, i cili në një libër të tij të botuar më 1983 bën një zbulim të madh dhe unikal. Ky studiues shënon se narteksi i kapeles me emrin Virgjëresha kukuzelike në Manastirin Laora e Madhe, në malin Athos është plot piktura me cilësi shumë të larta, ku ka dhe një mbishkrim që thotë se autori është “Davidi nga Vlora”. Mbishkrimi mban datën 1715. Është pikërisht M.B.Sakellarioni, që bën identifikimin stilistik dhe morfologjik të piktorit David nga Vlora me piktorin David të Shën Kollit të Voskopojës. Enigma e origjinës së Davidit u zgjidh kështu përfundimisht. Dihet se në Vlorë është fshati i Selenicës, ku është edhe miniera e famshme e bitumit, përmendur nga autorët antikë edhe si një minierë nga më të vjetrat e Europës, por edhe si qendër Orakullit e kultit pagan të zjarrit. Pra, Davidi ynë ka lindur në Selenicë të Vlorës dhe talenti i tij i fuqishëm e bëri atë që të linte kryeveprat e tij në Athos dhe në Voskopojë.
Është dhe një pikë e tretë e gjeografisë, pikërisht në një kishë të Kosturit, ku ka pikturuar Onufri ynë i madh dy shekuj më parë se Davidi nuk ka lindur në Voskopojë dhe as nuk është nga Voskopoja. As shumë intelektualë të tjerë që u shquan në rrafshin kulturor të Voskopojës nuk kanë qenë me origjinë nga Voskopoja, ashtu siç ka dhe të tjerë që janë me origjinë nga Voskopoja.
Davidi është një piktor i përmasave të mëdha. Ai ka pikturuar afro 1000 afreske me një fuqi artistike të jashtëzakonshme. Nëse Onufri është një gjeni dhe patriark i artit ikonografik shqiptar, që zë kreun e vendit në artin e vendit tonë, Davidi është gjithashtu një gjeni dhe një kryemjeshtër i dytë i madh i ikonografisë. Davidi e theksoi konvencionalitetin e ikonografisë bizantine duke e formalizuar skajmërisht sistemin dogmatik. Davidi krijon një pikturë të ngjashme me stilin rilindas europian, por pa humbur veskun e artit bizantin lindor, gjë që përbën një ekzotikë të posaçme dhe një sinkretizëm kulturor shqiptaro-ballkanik. Arti i Davidit është Kënga e fundit e mjellmës së ikonografisë shqiptare në shekuj.(21.11.1998)
STEFAN GASPER EPIROT DURRSAKU – POET SHQIPTAR I SHEKULLIT XVII
Stefan Gaspëri, i mbiquajtur më vonë, si Epirot Durrsaku, ka lindur në qytetin e Durrësit në fillim të shekullit XVII. Ai ishte biri i Nikollës dhe i Marisë, prindër që më vonë u konvertuan në fenë islame. Që në fëmijëri, tek ai spikati një zgjuarsi e pazakontë, prirje për kulturë dhe janë të njohura tri letra të Frang Bardhit që ai ia rekomandon Stefan Gaspërit për të studiuar në kolegjin LORETO të Italisë. Këtu, në këtë kolegj, ka studiuar vetë, përpara Stefanit, Frang Bardhi, i cili në fakt ishte vetëm dy vjet më i madh se sa shoku i tij. Miqësia midis Stefanit dhe Frangut qe e madhe, me një vlerësim të ndërsjellë intelektual dhe vazhdoi deri sa rrojtën që të dy. Pas mbarimit të kolegjit Loreto, po me anë të ndihmës që i dha Frang Bardhit Stefani, pas vitit 1637 shkoi në Romë, ku studioi filozofi, vetëkuptohet dhe teologji, duke fituar gradën e doktorit. Në një libër të shkollës në Romë, për Stefan Gaspërin shënohen këto të dhëna: “Zotëron gjuhën shqipe, latine e italiane, është me shtat të shkurtër dhe me sy ngjyrë ulliri, ka shumë talent dhe një inteligjencë të mirë. Përsa i përket moralit, është i përshtatshëm për të qenë një punonjës i mirë i fesë në qytetin e Durrësit, në Shqipëri. Moshën e ka rreth 27 vjeç”. Këto shënime mbajnë datën e vitit 1635, vit kur Stefani duhet të ketë mbaruar në fakt kolegjin Loreto. Vetëkuptohet që vlerësimi është tepër pozitiv dhe e tregon 27-vjeçarin shqiptar si një shpresë intelektuale për të ardhmen. Për shumë kohë Stefan Gaspëri jetoi në Itali. Në vitin 1644, siç na njofton arkipeshkvi i Durrësit, Mark Skura, Stefani ndodhej në fshatin e Luzit, pranë Durrësit dhe Kavajës, dhe akuzohet në Selinë e Shenjtë, për faktin që prindërit e tij janë kthyer në ritin muhamedan, ndërsa i biri ishte kuadër i kishës katolike. Ky fakt flet për atë që Stefan Gaspëri shihej me dyshim nga eprorët e tij, dyshim që patjetër binte edhe mbi vetë Frang Bardhin, si të thuash tutori, propozuesi dhe inkurajuesi i Stefanit. Më 18 korrik të vitit 1671 e deri në fillim të vitit 1672 Stefan Gaspëri ndërmerr një udhëtim të gjatë nëpër Shqipëri, me mision nga Propaganda fide. Përshtypjet e udhëtimit, vëzhgimet e tij ai i sendërton në një relacion të gjatë, ku ka shumë të dhëna ekskluzive me karakter historik, gjuhësor dhe shoqëror, relacion ky gati 150 faqe, që përbën në thelb një libër të tërë. Ky libër është shkruar në italisht dhe pjesërisht është botuar në vitet ’30-të te Hylli i Dritës në Shkodër. Ka ardhur koha që ky libër të përkthehet në gjuhën shqipe dhe të botohet si një nga librat më interesantë dhe më substancialë të një autori shqiptar në krejt kulturën e shekullit. Më 28 maj 1637 Stefan Gaspëri vendoset në Zadrimë, si titullari i lartë fetar, ku edhe vdes, në vitin 1680, në moshën 72-vjeçare. Për fat të keq, nuk dimë asgjë për reliket dhe varrin e tij, si dhe për dorëshkrimet dhe librat e mbetura të pabotuara. Stefan Gaspëri përmendet në kulturën shqiptare edhe për dy poezi, që i ka botuar në vitin 1635 për nder të shokut të tij të ditur Frang Bardhit, brenda botimit prej këtij të fundit të “Fjalorit latinisht-shqip”. Fakti që Bardhi e quan për nder të veçantë vlerësimin e Stefan Gaspërit, duke i përfshirë poezitë e Stefanit në këtë fjalor, ky fakt, përtej njohjes intime dhe shoqërore në rrafshin kulturor dhe shkencor, merr një peshë të posaçme antologjike. Të dy poezitë, poeti ynë nga Durrësi, i nënshkruan me emrin katërgjymtyrësh Stefan Gaspër Epirot Durrësaku, që do të thotë se emri i tij familjar, Stefan Gaspëri, është përcaktuar qëllimisht nga autori me emrin Epirot, që në këtë shekull përkthehet-shqiptari dhe durrsaku për të shpallur botërisht vetëshqiptarinë e qytetit të Durrësit. Po botojmë të dy poezitë:
Poezia e parë:
Porsa lindi Titani i ri, gëzime të reja iu dhanë tokës
Me dritë të artë pikturoi ujrat gjenia jote
Frang, i dhe shumë të mira dheut
Fara e zgjedhur që hodhe meriton lëvdata
Kuptohet se lëvdatat e pavdekshme thurin krenarinë
Duke patur të pavdekshëm emrin tonë
Poezia e dytë:
Ashtu si Virgjili, Augusti dhe Homeri, që përjetësoi Akilin,
Po të mund të shkruanim prapë për ty do të ishte pak ose asgjë
Të dy poezitë janë shkruar në latinishten humaniste të shkëlqyer të kohës dhe kanë karakter të mirëfilltë laik. Poezitë reflektojnë kulturën shumë të lartë të Stefanit dhe njohjen nga ai përsosmërisht të kulturës së dyfishtë greko-romake. Stefan Gaspëri e quan Frang Bardhin një titan të ri, dhe kjo figurë mitologjike i përshtatet shkëlqyeshëm epokës së titanëve të Rilindjes Italiane dhe Evropiane. Kështu Stefani citon dy kryepoetë të njerëzimit, Homerin dhe Virgjilin. Është gati një fatalitet dhe profeci e çuditshme që Stefan Gaspëri i drejtohet Frang Bardhit duke bërë një paralele të Akilit, “kryepersonazh i Iliadës”, lartësuar nga Homeri, i cili dihet që pati një jetë tepër të shkurtër, po me lavdi shumë të madhe. Edhe Frang Bardhi, si Akili, pati një jetë të shkurtër, vdiq 36 vjeç, por e pasoi pasvdekjen e tij një lavdi e madhe. Siç shihet, Stefani në mënyrë apologjike e ngre lart rolin e Frang Bardhit në kulturën kombëtare shqiptare. Nuk dimë nëse ka shkruar poezi të tjera poeti ynë nga Durrësi. Sidoqoftë dy poezitë e tij janë nga më të spikaturat në shekullin XVII në krejt kulturën e vendit tonë, por të denja për t’u futur në çdo antologji të poezive latinisht, më saktë të epigrameve të latinitetit mesjetar, latinitet i cili lëvrohet deri në ditët tona. (1987)
TRI HARTA, DY TË VITIT 1688 DHE TJETRA E VITIT 1695
Tri harta të rëndësishme të 1688 dhe 1695 janë dorëzuar para pak ditësh në Muzeun Historik Kombëtar. Afërsisht të një kohe me hartën e zbuluar në Harvard nga studiuesi Zamir Shtylla, këto tri harta, që tani janë pjesë e fondit të hartave shqiptare në Muze, konsiderohen me vlera të rralla. Hartat i ka dorëzuar në Muzeun Kombëtar koleksionisti nga Elbasani, Vangjel Kapedani. Hartat janë të fotokopjuara dhe të marra nga botime që i përkasin kësaj kohe.
Harta e parë e përcaktuar “Albania” që i përket vitit 1688 është zbuluar në Harvard nga studiuesi Zamir Shtylla. Harta e punuar nga italiani Giacomo Cantelli da Vignola shënon emërtime në shqip, të cilat ruhen ende si Dukagjin, Kanina, Drini etj.
Vetë Shtylla e cilësoi si një hartë të rëndësishme përsa i përket emërtimit të krahinave që përfshin. Harta që ka qenë fillimisht pronë e një profesori gjerman, është marrë pas vdekjes së tij nga disa njerëz të lidhur me Harvardin, të cilët e kanë blerë fondin dhe ia kanë dhuruar Harvardit. Që atëherë është publikuar për herë të parë si hartë e emërtuar nga mesi i shekullit 19, si pjesë e fondit të hartave të Harvardit. Kjo hartë përfshin pothuajse tërësisht trevat shqiptare. Toponimia në një pjesë të madhe të krahinave është po ajo që përdoret edhe sot, p.sh. aty është Mirdita, Tomorrica, Kanina, përcaktohet Epiri i Shqipërisë, paraqiten emrat e lumenjve, emrat e qyteteve etj. P.sh. për Krujën shënohet se është qyteti i Skënderbeut. Duke u nisur nga fakti se emërtimi i kësaj harte është “Albania” hartë e Shqipërisë dhe duke u nisur edhe nga koha e punimit të saj, rrethanat historike, nga toponimia, por edhe nga evidentimi i rajoneve shqiptare, sepse atje përcaktohet, mund të thuhet se ka vlera të shumanshme. Kjo hartë është si një libër që tregon njohjen dhe kapacitetin e evropianëve për Shqipërinë, për qytetet, malet, lumenjtë etj.
Njëra nga hartat që shënon vitin 1695 ka të zmadhuar posaçërisht hartën e Shqipërisë. Në këtë hartë, Shqipëria, nis që në zonën e Dalmacisë, që nga Budva deri në Jug, në Butrint. Këtu shënohen disa toponime shumë interesante.
Në këtë hartë pranë Petrelës jepet qyteti Albanopolis. Dihet se ky qytet me këtë emër është shënuar për herë të parë në hartën e Ptolemeut, i cili ka qenë një gjeograf dhe kozmograf nga qyteti i Aleksandrisë, në shekullin e dytë të erës sonë, i cili shënon për herë të parë qytetin e Albanopolis, qytetin e Albanëve, nga vjen edhe emri Albania. Janë bërë kërkime për qytetin e Albanopolis dhe, sipas disa dijetarëve, ky ndodhet në qytetin e vjetër antik Zgërdhesh afër Krujës. Por në këtë hartë, “Albanopolis jepet pranë Petrelës”. Kam bërë një kërkim pranë Petrelës, ku është një qytet i quajtur Persqop. Kam hedhur idenë se Albanopolis duhet të ndodhet pikërisht në Persqop. Muret dhe varret monumentale të Persqopit janë të tillë që mund të tregojnë se, pikërisht aty është Albanopolis. Në këtë hartë të 1695 unë shikoj këtë argument. Po në këtë hartë del edhe emri i lumit Erzen, që këtu quhet Argent. Etimologjikisht vërtetohet një tezë, që kanë hedhur gjuhëtarët, se emri Erzen vjen nga Argenta, emër i këtij lumi që është përdorur nga kronikanët bizantinë, duke veçuar në këtë hartë edhe shënimin për qytetin e Sfetigradit.
Në hartë ky qytet shënohet pranë qytetit të Lezhës. “Sfetigrad përkthehet qyteti i shenjtë. Këtu është bërë një betejë e famshme, e cila u bë nga Skënderbeu dhe përmendet nga Marin Barleti. Deri më tani, ky qytet është lokalizuar nga historianët në afërsi të Dibrës. Ndërsa në këtë hartë ai ndodhet midis Lezhës dhe Krujës. Ky emër gjendet për herë të parë i fiksuar në një hartë. Në këtë hartë gjenden edhe qytete të Mesjetës, si qyteti i Sardës, i Drishtit etj.
Ndërsa Shëngjini në këtë hartë shënohet Medea.
Ekziston një toponim që quhet Shën Gjini i Medeas.
Kjo, lidhet me jehonën e një legjende të shtegtimit të Medeas, e cila u martua me Jasonin dhe kaloi në këto vise. Medea ka ndaluar në Ulqin, në Medea (Shën Gjin) dhe më pas në Korfuz. Fakti që gjendet në këtë hartë emri Medea, tregon se jehona e këtij miti të lashtë është fiksuar edhe në hartat e mesjetës.
Harta e vitit 1695 paraqet pamjen e përgjithshme të Mesdheut, ku janë Gadishulli Apenin dhe Gadishulli i Ballkanit. Në këtë hartë është e ravijëzuar edhe Shqipëria dhe disa të dhëna të veçanta për Shqipërinë. Këtu shënohet emri Elbazan. Kjo formë Elbazan është shumë afër origjinalit të sotëm Elbasan. Dihet që në shekullin XVII, emri i Elbasanit në perëndim quhej Terranova, që do të thotë toka e re. Kurse grekërit e quanin Neokastro, që do të thotë Kështjella e re. Kësisoj, emri Elbazan del për herë të parë në një hartë të 1695. Kjo hartë mund të jetë realizuar nga një hartograf venedikas, i cili jep për herë të parë këtë emër. Në këtë hartë, Shqipëria jepet me kufijtë e saj deri në kufijtë e Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën.(1998)
RECENSION PËR LIBRIN “MJESHTËR TË MENDIMIT HUMANIST” NGA FATOS TARIFA
E lexova me kujdes: një libër i karakterit të publicistikës shkencore. Kjo lloj publicistike është kaq shumë e domosdoshme aktualisht. Është fakt që biblioteka filozofike dhe e mendimit në Shqipëri është në përgjithësi e varfër, e mangët gati në mënyrë të pajustifikueshme. Urgjentisht duhet kompletuar.
Publicistika shkencore sidomos e historisë së filozofisë plotëson edhe nevojat e karakterit universitar, edhe nevojat e publikut të gjerë. Përsa i përket specialistëve të mirëfilltë padyshim që kërkohet shumë më tepër.
Libri në fjalë përmbush kërkesat të një manuali të vogël për studentët dhe publikun në përgjithësi. Është i nevojshëm të botohet.
Libri bën në mënyrë kronologjike paraqitjen e figurave ndër më të njohurat të humanizmit të Rilindjes Evropiane e më pas. Është shkruar saktë. Ka një ndërthurje të mjaftueshme të të dhënave biografike me platformat e mendimit, me gjërat e reja që ka sjellë secili filozof apo mendimtar në shkencën e mendimit në përgjithësi apo dhe në fusha të veçanta që lidhen sa me shkencat ekzakte aq edhe me ato shoqërore si dhe të artit. Autorët nuk i kanë vënë vetes për qëllim që të bëjnë analiza shumë të mirëfillta të specifikuara sipas fushave të ndryshme qoftë të shkencës qoftë të artit. Qëllimi i tyre është që të japë një vizion të karakterit enciklopedik, të një fjalori të vogël me figura më përfaqësuese. Mendoj se ia kanë arritur qëllimit.
Konkretisht kam këto mendime:
- Parathënia të bëhet më e plotë, më përfaqësuese. Të mos i drejtohet lexuesit të ri siç është shkruar, po lexuesit, qoftë të ri apo të vjetër (është fjala për moshën).
- Sythi Rilindja Evropiane, epoka dhe njerëzit e saj në vetvete është i domosdoshëm për të krijuar sfondin historik. Mendoj që këtu të shtohet informacioni duke u pasuruar për të thënë diçka më shumë se sa thuhet në tekstet e njohura shkollore për këtë çështje.
Është e nevojshme që këtu të shtohet diçka për raportin që ka vetë Shqipëria me epokën e Rilindjes Evropiane. Shqipëria ka dhënë kontribut në Rilindjen Evropiane me disa figura të përmasave vërtet bashkëkohore për të cilat do të flas më poshtë. Ky syth mund të zhvishet nga një lloj vështrimi në formë leksioni që bie në sy dhe që duhet eliminuar.
- Sythi për Leonardo da Vinçin është shkruar mirë dhe mendoj që nuk ka nevojë të shtojmë më tej. Është i botueshëm, por mund të theksohet më tepër roli i tij prej shkencëtari universal dhe për ç’arsye njerëzit polivalentë, me shumë talente që njihet me termin Rilindas ishin të domosdoshëm në këtë epokë kur më vonë në shekujt që pasojnë kjo gjë bëhet gati e pamundur për arsye të kualifikimeve të ngushta. Kjo mund të shpjegohet duke marrë si pikë referimi pikërisht figurën e Leonardo da Vinçit.
- Sythi për Nikolla Kopernikun është gjithashtu i mirë, i botueshëm. Këtu duhet shtuar marrëdhëniet e tij me Leonik Tomeon me origjinë shqiptare si dhe diçka për marrëdhëniet që kishte Gjon Gazulli po me origjinë shqiptare në lidhje me astronominë dhe mendimet e tij për veprën e Redio Montanit e Ptolemeut.
- Sythi për Xhordano Brunon është gjithashtu i botueshëm dhe e plotëson vijimësinë e librit. Ndoshta këtu mund të flitej diçka më shumë për talentin e tij prej letrari që nuk është i zakonshëm si dhe për heroizmin e tij njerëzor.
- Sythi për Galileo Galileun është shkruar gjithashtu mirë. Nuk kam asnjë vërejtje për të, madje as sugjerim.
- Sythi për Tomas Morin është gjithashtu i botueshëm. Mendoj të hiqet citati i fillimit ku flitet për pronën private. Nuk është as aktual por as dhe plotësisht i saktë nga ana shkencore. Këtu në këtë kapitull duhet folur më shumë për vetë Erazmin e Roterdamit i cili ka marrëdhënie të posaçme me Tomas Morin dhe në shtëpinë e këtij të fundit ka shkruar kryeveprën e tij “Lavdërimi i Marrëzisë”.
- Sythi për Tomaso Kampanelën është i botueshëm. Mendoj që ana e heroizmit të tij moral të fuqizohet si dhe të shtohet diçka për talentin e tij poetik si dhe për himnin e tij të famshëm kushtuar Diellit.
- Sythi për Frensis Bekonin është i saktë por ndoshta të specifikoheshin më shumë disa nga parimet themelore të tij me citate nga vetë vepra. Roli i Bekonit është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe mund të thuhet që ndonjë mendim që ka Bekoni për metodën e gjejmë edhe tek Frang Bardhi.
- Sythi për Rene Dekartin është nga më interesantët e librit. Dekarti është absolutisht një nga filozofët më të mëdhenj të gjithë kohërave, kjo është dhënë qartë. Ndoshta diçka për karakterin e dualizmit të tij duhej nënvizuar më mirë.
Në fund të librit është dhe bibliografia e cila është e mjaftueshme. Do të sugjeroja që ana grafike e librit të plotësohet me portretet, fotografi ose grafika të këtyre përfaqësuesve të mendimit humanist.
Të shihet mundësia që raporti i Shqipërisë me Rilindjen Evropiane të nënvizohet herë pas here. Ose të shtohet një syth i veçantë ku të përmenden shkurtimisht në mënyrë lakonike pa shumë hollësira roli i humanistëve të tillë shqiptarë si Leonik Tomeon, Mikel Marulin, Martin Segoni, Marin Barletin, Marin Beçikemin, vëllezërit Gazulli deri tek figura të tilla si Gjon Buzuku e Pjetër Bogdani, Frang Bardhi që kanë luajtur role të mëdha për mendimin humanist shqiptar duke qenë të nivelit Evropian, aq sa kanë qenë natyrisht pa e zmadhuar dhe pa e tepruar duke iu përmbajtur karakterit të këtij libri i cili synon më shumë të jetë një fjalor i vogël me disa emra të mendimit humanist. ( 1979 )

Mos ver data kot ti mashtrues,se te diskretitojne.
Ne 1998 Vangjel Kapidani bashke me Drita Canken nuk kishin rene ende ne gjah te majme dhe qyl.
Ato harta dhe ato libra me vlere te Vangjel Kapidanit,i perkasin Bibliotekes se Elbasanit.
Jane fondi i Bukinistit,koleksionistit dhe arkivistit te shquar te Rilindjes Kombetare Lef Nosi dhe fondi i Koleksionit te studiueses Margaret Hazllek te strehuar ne 1945-1946 ne bodrumet e Bibliotekes se Elbasanit.Pas emerimit te Drita Cankes drejtoreshe te asaj Biblioteke,,,Fonti i Rralle i Librave,antikuareve,monedhave antike,ikona dhe qendizma shekullore,u vodhen nga Drita Cankja dhe ne bashkepunim me Vangjel Kapidanin u shiten deri ne AUSTRI DHE SHBA.
Keta persona duhet ti dorzohen Prokurorise dhe objektet me vlere ti kthehen Shqiperise.
Zeqo nqs nuk ka dore ne keto grabitje te TRASHEGIMISE KULTURORE ,eshte ne rolin e Fatos Nanos,qe ha e pi me Mirin e Xhikes.