Altoparlantë përgjatë vijave të vreshtit dhe Mozarti që luhet me zë të lartë.
Kjo është pak a shumë ajo që ndodh në disa kodra të Montalcinos në Toskana të Italisë, pasi pronari i vreshtit ka zbuluar se duke vendosur Mozartin, rrushi rritet më shpejt dhe kokrrat janë më të fryra.
Në këtë mënyrë vera rezulton më cilësore.
Që muzika e Mozartit ka impakt te njerëzit, thuhet prej kohësh. Ama askush nuk e kishte menduar se do të kishte impakt edhe te bimët. Në fakt, këta kultivues e dinë prej së paku 10 vitesh këtë.
E gjitha filloi nga një eksperiment: në disa seksione të vreshtit u vendos muzika e Mozartit me disa altoparlantë. U zbulua se hardhitë rriteshin më lehtësisht dhe prodhonin kokrra më të mëdha dhe më të ëmbla.
Që nga ai moment muzika nuk hiqet më. “Bimët duken më të mbushura”, shtojnë ata.
Ndoshta mund të duket një fenomen mes vetëmashtrimit dhe gjetjes së marketingut, por mesa duket ka edhe një bazë shkencore. Bimët nuk janë në gjendje ta vlerësojnë muzikën klasike, por sipas disa studiuesve, vlerësojnë valët zanore. Kjo mund t’i bëjë që të rriten në drejtim të burimit nga vijnë tingujt.
Për sa i përket cilësisë së kokrrës dhe rrumbullakësisë nuk gjenden shpjegime bindëse. Sipas studiuesve, muzika e Mozartit ka meritën e mbajtjes larg të insekteve dhe të zogjve. Kjo ndihmon në rritjen e bimës pa ndërhyrjet e pesticideve.
j.l./ dita
