Shoqëria shqiptare po përballet me fenomene të rënda, të cilat mund të shmangeshin nëse institucionet përgjegjëse do të kryenin më mirë punën e tyre. Duke marrë shkas nga ngjarja tragjike e raportuar në media dy ditë më parë, për abuzimin dhe vrasjen e djalit 11-vjeçar Julian Çela, si dhe gjetjen e një tjetër të mituri që rezultonte i zhdukur, Koalicioni Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve, krahas kritikave të lëshuara për punën e dobët të bërë në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve, u ka kërkuar institucioneve që të ndërhyjnë për forcimin e masave ligjore ndaj pedofilisë apo krimeve të tjera ndaj të miturve.
Sipas përfaqësuesve të këtij koalicioni, strukturat përgjegjëse e veçanërisht Ministria e Drejtësisë dhe ministri të tjera të linjës duhet të marrin role më aktive në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në tërësi, duke bërë të mundur krijimin e një sistemi të dhënash me individët të cilët janë akuzuar për vepra të tilla penale jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë Shqipërisë.
Mbajtja e këtyre të dhënave do të bënte lehtësisht të verifikueshëm informacionin nga strukturat mbrojtëse në komunitet për të monitoruar më mirë sjelljen e individëve të tillë në zonat ku banojnë. Kjo do të parandalonte përsëritjen e rasteve të tilla.
“Është e patolerueshme që një individ i caktuar i cili cenon mirëqenien e një fëmije të vazhdojë ta bëjë këtë për shkak të mungesës së reagimit apo reagimit të pamjaftueshëm të strukturave përgjegjëse të mbrojtjes së fëmijëve, strukturave parandaluese, monitoruese e garantuese për mirëqenien e fëmijës apo strukturat e pushtetit gjyqësor”, deklarojnë zyrtarisht ekspertët e këtij koalicioni.
Sipas tyre, janë pikërisht këto struktura të cilat duhet të kenë në vëmendjen kryesore, përgjegjësinë, gatishmërinë dhe seriozitetin për të vepruar në kohë dhe për të realizuar një hetim të plotë e të gjithanshëm ndaj veprave të turpshme kriminale që cenojnë rëndë zhvillimin dhe mirërritjen e të miturve. Punë, e cila në të vërtetë nuk është bërë, çka po faktohet edhe me ngjarjet e shëmtuara të servirura së fundmi në media.
Sipas koalicionit, sistemi gjyqësor duhet të jetë më funksional, efektiv dhe aspak tolerant në rastet e gjykimit të çështjeve me të mitur, duke marrë parasysh jo vetëm interesin më të lartë të fëmijës, por edhe t’u referohen konventave ndërkombëtare apo ligjeve e mekanizmave të tjerë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës në mënyrë që abuzues të tillë të mos përbëjnë rrezik për vendin tonë.
Më tej koalicioni argumenton se “organet e pushtetit gjyqësor duhet t’i kushtojnë vëmendje maksimale rasteve kur në procese gjyqësore i pandehur është një person që akuzohet për një vepër penale ndaj të miturit. Raste në të cilat gjykata duhet të japë vendime më të rënda e që bazohen në rrethana reale dhe objektive nëse provohet fajësia, dhe jo thjesht gjoba qesharake të paarsyetuara”.
Për të frenuar përhapjen e fenomeneve të tilla, ky koalicion nxit reagimin dhe sensibilizimin e të gjithë individëve, qytetarëve, strukturave shtetërore të pushtetit lokal dhe qendror, ligjvënësit, organet e drejtësisë, që të sigurojnë mbrojtjen e fëmijëve duke ndërtuar mekanizma që parandalojnë, identifikojnë dhe dënojnë në kohë krime të tilla .
Këshillat
Psikologët u kërkojnë prindërve që të jenë më të kujdesshëm në edukimin e fëmijëve të tyre në sjelljet që duhet të kenë ndaj personave të panjohur, të cilët përfitojnë duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e të miturit. Arjana Muçaj, pedagoge e psikologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale, detajon disa nga këshillat që prindërit shqiptarë nuk duhet t’i neglizhojnë kurrsesi në edukimin e fëmijëve të tyre.
Një ndër to është që t’i mësojnë fëmijët që në moshë të vogël që të mos u flasin njerëzve të panjohur, si dhe kujdesin që duhet të ketë ndaj njerëzve të rrezikshëm.
“Një nga këshillat më të mira që prindërit duhet t’iu japin fëmijëve, është që në moshë të vogël të mos flasin me njerëz të panjohur dhe kurrsesi të mos u besojnë atyre. Kur flasim për rastin e pedofilëve, një pedofil mund të jetë brenda territorit të lagjes që ne banojmë dhe fëmija mund ta njohë shumë mirë. Ne nuk duhet kurrsesi që fëmijën ta mësojmë që mund të hyjë dhe të trokasë në çfarëdolloj dere, nëse ai ka nevojë për diçka. Një prind i mirë është i vëmendshëm që fëmija të ketë kujdesin dhe të përpiqet që të mos bjerë viktimë e këtyre individëve”, bën të ditur pedagogia Arjana Muçaj.
Duke vlerësuar rreziqet e ngjarjeve të tilla, Muçaj shprehet se realiteti shqiptar dikton nevojën e përfshirjes së teksteve të veçanta, përmbajtja e të cilave jep informacione më të thelluara që nxënësit duhet të dinë në lidhje me njohjen e njerëzve. “Kam vënë re që mungojnë disa lëndë ku fëmijët duhet të mësohen me këto fenomene, të njohin njerëzit dhe të mos kenë të bëjnë me njerëz të tillë. Ne kemi rolin e psikologut nëpër shkolla, që është shumë i rëndësishëm”, shton më tej Muçaj.
Kujdes! Profili i një personi pedofil
“Një pedofil mund të jetë një njeri i shoqërueshëm, mund të jetë një individ me një sjellje sociale të denjë për shoqërinë dhe nuk ka tipare të dallueshme për të treguar që ai është pedofil. Ndërsa një fëmijë i abuzuar dhe i dhunuar nga një pedofil mund të pikaset nga mënyra e të sjellurit. Ai bëhet një fëmijë më i mbyllur në vetvete, më pak i komunikueshëm dhe prindi duhet të arrijë të kuptojë dhe zbulojë përse ka ndryshuar kjo sjellje”, thotë Muçaj.
Psikiatrja Ariana Reli: Fëmijët e dhunuar duhet të trajtohen
Rastet e fëmijëve të abuzuar duhen trajtuar detyrimisht nga grupe të specializuara të shëndetit, pasi në të kundërt ata rrezikojnë të shfaqin probleme të rënda psikologjike gjatë rritjes, teksa kanë edhe të gjitha gjasat që në moshë madhore të shndërrohen nga viktima në dhunues. “Një fëmijë i abuzuar pa diskutim që fillon të shfaqë një sjellje komplet ndryshe nga e mëparshmja, frikë, panik, ankth, fillon të urinojë natën. Ndërkohë që mund të ketë sjellje të tjera agresive apo të papërshtatshme me moralin e shoqërisë. Këto janë pasojat afatshkurtra, për të përmendur pastaj pasojat afatgjata, që jo vetëm mund të kthehet dhe ai në një përdhunues, por dhe mund të bëjë çrregullime të mirëfillta mendore”, deklaron psikiatria Ariana Reli.
Gjatë 2012-s u regjistruan 47 denoncime për dhunë seksuale ndaj fëmijëve
Realiteti shqiptar tregon se dhuna fizike dhe psikologjike është ambienti në të cilin rriten shumë fëmijë shqiptarë. Vetëm nga të dhënat e raportuara gjatë vitit të shkuar në linjën në linjën telefonike falas për fëmijë “Alo 116”, rezulton se të paktën 20 mijë fëmijë kanë raportuar ushtrim dhune në familje, shkollë dhe ambiente të tjera shoqërore. Rreth shtatë mijë prej këtyre të miturve janë larguar të paktën për një ditë nga shtëpia. Sa i takon rasteve të dhunës seksuale të ushtruar ndaj të miturve gjatë vitit të shkuar, janë raportuar 47 raste të denoncimit të tyre.