Ziver Vieizi nuk është vrarë nga një plumb rikoshet. Ky është përfundimi i ekspertit Dritan Zoto, i thirrur nga Prokuroria për ekspertimin e njërës prej 4 vrasjeve të 21 janarit.
Zoto ka dëshmuar sot në seancën e radhës në Gjykatën e Tiranës. Sipas Zotos, dy copëzat e drunjta nuk janë gjetur në pjesën e dëmtuar nga plumbi në këmishën e Veizit, por më poshtë. Eksperti i thirrur nga prokuroria vërejti se në këto kushte rezulton se dy ashklat e vogla nuk mund të kenë udhëtuar së bashku me predhën që i mori jetën demonstruesit, pra ajo ka qenë e drejtpërdrejtë dhe jo e devijuar.
Zoto arriti në një përfundim të tillë pasi shqyrtoi me kujdes materialin filmik të dhënë nga gjykata, ku pasqyrohej gjithë ekspertimi i bërë rrobave të viktimës.
Në lidhje me vrasjen e Ziver Veizit, më parë janë kryer edhe disa ekspertime të tjera, sipas të cilave, plumbi ka qenë rikoshet për shkak se ka mbetje të drurit. Pritet me interes qëndrimi i gjykatës në lidhje me ekspertiza kontradiktore, pasi pranimi i njërës ose tjetrës lidhet direkt me fatin e Agim Llupos, gardistit të akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit në 21 janar.