Policia dhe Prokuroria, ende nuk kanë arritur në një konkluzion përfundimtar shkencor dhe teknik për aksidentin ku humbi jetën deputeti i Partisë Demokratike Sokol Olldashi, mbrëmjen e së mërkurës në Qafë-Krrabë. Por dinamika e ngjarjes dhe hetimet e deritanishme, ku nuk përfshihet ende rezultati i ekspertimit autoteknik të makinës luksoze “Benz Mercedes”, me targa AA003HN, flasin për një humbje të kontrollit të mjetit në kthesën mbi fshatin Ibë, vendi i quajtur “Lapidari i Krrabës”. Policia dhe Prokuroria konfirmuan dje të dyja në unison, se “ish-ministri Olldashi udhëtonte i vetëm në makinë dhe brenda saj u gjet vetëm një person”. Konfuzionin e krijuar për personin e dytë në mjet, ku u publikuan edhe disa emra, grupi hetimor e shpjegoi me paqartësinë e krijuar nga vetë rrethanat e situatës, fakti se grupi hetimor ishte i shkëputur nga pjesa tjetër e grupit ku bënin pjesë banorë, gazetarë, deputetë dhe drejtues të institucioneve. “Shiu i rënduar, errësira, makina e përmbysur dhe me dyer të mbyllura, vonuan procesin e verifikimit zyrtar për personat brenda saj. Vetëm pasi u arrit të kryhej këqyrja e plotë e makinës, u bë konfirmimi zyrtar edhe për mediat”, tha një burim nga ky grup hetimor.
Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi i ekspertëve, në përbërje të të cilit edhe prokurorë, në matjet e realizuara rezultoi se kthesa në rrugën interurbane dytësore Elbasan-Tiranë, ishte 45 gradë. Rruga ka qenë e lagësht dhe me reshje shiu, kushtet atmosferike të këqija dhe me pamje deri diku të kufizuar. Zyrtarisht ende nuk është arritur të konfirmohet nëse deputeti ka qenë në rrip sigurimi apo jo, por sipas këqyrjes paraprake mendohet se nuk e ka pasur atë. Prokurorët janë shprehur se autovetura besohet se nuk ka qenë me shpejtësi të madhe, ndaj dyshohet se shkaku kryesor mbetet humbja e kontrollit të makinës dhe pakujdesia, ndikuar edhe nga lagështira në rrugë. Ende po hetohet për rrethanat dhe shkakun përse Olldashi ka humbur kontrollin e mjetit. Ndaj po verifikohen thirrjet telefonike që ka bërë, ku është njoftuar biseda me deputetin e Durrësit, Igli Cara dhe nëse telefoni ka shpërqendruar ish-ministrin që të humbte kontrollin e “Benz”-it. Mjeti pasi ka dalë nga rruga kryesore në një tatëpjetë, ka ecur për 10 metra, është rrokullisur dhe për disa metra të tjerë është përmbysur në rrugën rurale që të çon për në Krrabë. Makina ka bërë 1-2 rrokullisje, ndërsa dëmtimet e saj kanë qenë jo të mëdha, ku nuk janë vërejtur shtypje të theksuara të kabinës apo pjesës së përparme dhe as të xhamave anësorë. Gjithashtu kondicionet që ka ky mjet ofrojnë për drejtuesin dhe pasagjerët kushte sigurie në airbag. Ndërkohë që mësohet se airbagu në krahun e pasagjerit nuk është hapur, ndaj edhe ekspertimi autoteknik është me rëndësi. Nga grupi hetimor mësohet se Olldashi ka pasur dëmtime në pjesën e kokës, që i shkaktuan vdekjen. Por ende nuk thuhet zyrtarisht se si është realizuar ky dëmtim në dinamikën e aksidentit fatal. “Për të arritur në një konkluzion shkencor të plotë dhe rezultat hetimi për shkaqet e aksidentit dhe vdekjes, duhet të presim rezultatet e verifikimit autoteknik të makinës që gjendet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të parë nëse të gjitha mekanizmat kanë funksionuar. Gjithashtu do të presim edhe rezultatin e ekspertit për plagët, shenjat e tjera, hematomat dhe në fund rezultatet e autopsisë. Nuk mund të themi me siguri shkakun që ka ndikuar në këtë aksident, ndaj duhen parë me kujdes të gjitha rezultatet që do prodhohen. Kryesore mbetet edhe autopsia, pasi mjekët ligjorë do përcaktojnë nëse deputeti mund të ketë pasur shqetësime shëndetësore në atë moment apo ka qenë thjesht një shpërqendrim dhe humbje kontrolli e mjetit”, tha për gazetën “Dita” një burim pranë grupit hetimor, që dëshiroi të mbetej anonim. Dy prokurorë nga Tirana kanë shkuar dje në vendngjarje. Prokurorët Ramadan Tosi dhe Blerim Tominaj, pasi kanë këqyrur vendin e ngjarjes, kanë deklaruar se nga hetimi nuk rezulton që deputeti Olldashi të ketë udhëtuar me shpejtësi të lartë.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit për aksidentin
“Në datë 20.11.2013, në rrugën interurbane dytësore, Tiranë-Elbasan, në Fshatin Krrabë, pranë vendit të quajtur “Lapidari i Krrabës”, ka ndodhur një aksident rrugor me pasojë vdekjen e shtetasit Sokol Olldashi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Mjeti autoveturë i markës “Benz Mercedez”, me targa AA003NH, i drejtuar nga deputeti Sokol Olldashi, ka qenë duke udhëtuar në drejtimin e lëvizjes Elbasan-Tiranë. Policia është njoftuar për këtë aksident rreth 21:20 të ditës së djeshme (e mërkurë). Pranë Sallës së Komandimit të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë ka ardhur njoftimi se në dalje të tunelit të Krrabës në drejtimin e lëvizjes Elbasan-Tiranë, një mjet kishte dalë nga rruga. Në ora 21:28 në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet Policisë Rrugore, që mbulonin këtë aks rrugor dhe pak minuta më pas edhe shërbimet e tjera të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, si dhe grupi hetimor. Të gjitha veprimet proceduriale u drejtuan nga Prokurori i Rrethit i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është caktuar grupi i ekspertëve autoteknikë, të cilët do të realizojnë aktin e ekspertimit për të përcaktuar dinamikën e aksidentit si dhe shkaqet e ndodhjes së tij”.