Hidhet në erë me bombë të telekomanduar autovetura e një biznesmeni në Tiranë. Shpërthimi ka ndodhur gjatë natës, rreth orës 01:30, pranë Unazës, në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, e njohur si rruga “Muhamet Gjollesha” në kryeqytet. Nga shpërthimi i automjetit tip “Fiat Punto”, me targa AA531CP, i cili ndodhej i parkuar, nuk pati të lënduar. Policia tha se mjeti ishte në pronësi të Leonard Prengës, 28 vjeç, ish-pronar i një lokali lojërash fati dhe bastesh sportive, i cili u mor në pyetje. Por Prenga ka thënë se nuk ka konflikte me askënd, nuk ka pasur as kërcënime dhe nuk e di kush mund të jenë autorët apo motivet e ngjarjes. Sipas policisë, Prenga ka qenë i përfshirë më herët në biznesin e lojërave të fatit dhe nuk ka precedentë penalë, ndërsa ngjarja dyshohet të jetë kryer për kërcënim ndaj tij për shkak të aktivitetit. Mësohet se 28-vjeçari nuk kryente më këtë aktivitet, pasi e kishte shitur biznesin. Por hetimet e mëtejshme pritet të zbardhin të gjitha rrethanat dhe motivet e ngjarjes. Pista e parë është ajo e konkurrencës, por nuk përjashtohen edhe konfliktet banale. Ngjarja po hetohet nga policia e Komisariatit nr. 2 dhe Krimet e Rënda. Sipas ekspertëve, mjetit i është vendosur të paktën 200 gramë tritol i lidhur me celular, që e ka dëmtuar në pjesën e përparme.
Eksploziv makinës së ish-biznesmenit të lojërave të fatit, vetëm dëme materiale
