Ndërsa u tentua vrasja e një polici, një tjetër polic përfundoi në pranga. Ekspertë të policisë së Tiranës kanë zbardhur mekanizmin e ngjarjes ku automjeti i efektivit të policisë së Kombinatit Shkurt Toplana, u hodh në erë me lëndë plasëse. Në pranga përfunduan dy persona, njëri prej të cilëve rezultoi të ishte kolegu i policit ndaj të cilit u krye atentati. Të arrestuarit janë Renato Kazani, 18 vjeç, banues në Kodër Kamëz dhe Shaban Lami 52 vjeç, lindur dhe banues në Kamëz Tiranë, me profesion punonjës policie në Komisariatin e policisë Nr:5 Tiranë. Arrestimi i tyre u bë vetëm pak orë pas ngjarjes në afërsi të rrugës “Petraq Leka” në Kombinat. Ekspertë të Seksionit Kundër Akteve Terroriste dyshojnë se dy shtetasit tashmë të arrestuar në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë tentuar të vrasin duke vendosur një sasi lëndë eksplozive në automjetin tip “Ford Fiesta” me targa TR 0086 D, në pronësi të punonjësit të policisë Shkurt Toplana. Grupi hetimor i angazhuar për zbardhjen e plotë të mekanizimit të ngjarjes ka hedhur dyshime të forta që atentati kundrejt efektivit të policisë, i cili fatmirësisht u mbyll pa dëme në njerëz, të ketë si motiv hakmarrjen.
Dyshimet
Dyshimet ekspertët të çështjes i kanë ngritur në bazë të dëshmisë së dhënë nga polici, të cilit iu krye atentati. Hetuesit dyshojnë se ngjarja ka ndodhur në shenjë hakmarrje për shkak të një arrestimi që komandanti i Shërbimeve në komisariatin e Kombinatit Shkurt Toplana kishte kryer tre ditë më parë. Konkretisht, mësohet se Toplana ka arrestuar për akuzën e kundërshtimit të forcave të policisë djalin e kolegut të tij, i cili kishte kundërshtuar patrullën, duke përdorur faktin se ishte djali i një polici. Policia dyshon se pikërisht për këtë motiv nga ana e autorëve është ndërtuar dhe mekanizmi për shpërthimin e automjetit të Shkurt Toplanës. Nga ana e hetuesve mbetet ende e paqartë nëse kolegu i efektivit që iu ngrit atentati kishte për qëllim eliminimin fizik të tij, apo gjithçka u ndërtuar vetëm për ta trembur. Gjithsesi versioni i plotë i ngjarjes dhe motivi i saj pritet të zbardhet nga prokuroria e Tiranës, e cila ka administruar dosjen e dy të arrestuarve. Mbi Lamin e Kazanin, rëndon akuza “vrasjes me dashje e punonjësit të policisë, e mbetur në tentative” si dhe “shkatërrimit të pronës me lënë plasëse”.
Ngjarja
Shpërthimi i mjetit tip Ford Fiesta ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes të së enjtes në rrugën “Petraq Leka” në Kombinat. Shpërthimi i automjetit tip “Ford Fiesta” me targa TR 0086 D, fatmirësisht nuk shënoi të lënduar në njerëz por vetëm dëme materiale. Për të zbardhur atentatin u angazhua një numër i madh i efektivave të policisë, ndërsa në vendngjarje mbërritën dhe krerët më të lartë të policisë së shtetit. Nga hetimet e kryera në vendngjarje rezultoi se nga shpërthimi është dëmtuar automjeti i mësipërm, ndërsa punonjësi i policisë fatmirësisht arriti t’i shpëtojë shpërthimit, duke mos pësuar lëndime.
Kuvendi duhet te ndryshoje kodin penal duke forcuar ndeshkimin per te gjithe llojet e krimit.
Vjedhjen ne rruge dhe ne banese jo me pak se 10 vjet burg, raste te tilla si kjo me siper jo me pak se 25 vjet. Te bej drejtesia nja 20 vete bedele dhe te shohim a do mendohen te tjeret mire para se te kryejne akte te tilla.