Industria fason-material porositës, duket se mbetet pika e vetme e ekonomisë shqiptare që rrit treguesit e eksportit. Kësaj industrie po i krijohen nga qeveria avantazhe fiskale për të nxitur më tej atë, por ajo çfarë vetë synohet nga ky target biznesi, është që cikli të mbyllet brenda vendit. Në këtë kontekst është industria e këpucëve dhe jo e tekstileve që po e mbyll ciklin në vend dhe po ndikon në rritjen e eksporteve në këtë fushë.
Si e paraqet INSTAT në shifra?
Eksportet e tekstileve u rritën ndjeshëm me 30% me bazë vjetore për tre muajt e parë të vitit, për të arritur në 21.6 miliardë lekë, duke dalë sërish në grupin e parë më të eksportuar në vend, me 36% të totalit. Sipërmarrjet vendase po i gëzohen së fundmi shtimit të porosive nga partnerët italianë, që po i largohen Kinës e Lindjes së Mesme. Industria ka tërhequr së fundmi dhe interesin e qeverisë, që po punon për një paketë të veçantë masash nxitëse për këtë sektor. Sipas të dhënave më të detajuara të publikuar nga INSTAT, që janë të disponueshme për dy mujorin, janë eksportet e këpucëve ato që po udhëheqin këtë rritje. Shitjet jashtë vendit të kompanive që eksportojnë veshjet e këmbëve u rritën me gati 30% për periudhën janar-shkurt 2014, në raport me dy mujorin e një viti më parë, ndërsa ato të tekstileve me rreth 24%.
Si paraqitet industria e këpucëve
Industria e veshjeve të këmbëve në Shqipëri është më e zhvilluar se ajo tekstile. Bazuar në vëzhgimet dhe rekomandimet e këshilltarëve ndërkombëtarë të industrisë së këpucëve, prodhuesit shqiptarë kanë ecur më shpejt drejt mbylljes së ciklit të prodhimit, në raport me sipërmarrësit e tekstileve. Vlerësohet se rreth 80% e industrisë së veshjeve të këmbëve në Shqipëri ka kaluar në cikël të mbyllur, (me të paktën 10 kompanitë më të mëdha në treg që i bëjnë të gjitha proceset vetë), ndërkohë që për industrinë tekstile, kjo shifër është shumë më e ulët. Kjo i jep industrisë një vlerë më të madhe të shtuar, që reflektohet në xhiron më të lartë të këtij sektori. Duke pasur avantazhin e të prodhuarit me cikël të mbyllur, kompanitë e këpucëve në Shqipëri janë në gjendje që të punojnë me partnerë më të mëdhenj dhe më seriozë ndërkombëtarë, në raport me ato të tekstileve.
