Eksportet rriten me 13.4% për 10 mujorin, kryesojnë “ndërtimi-metalet” dhe “tekstile-këpucë”

Edlira Shehu

Eksportet kanë vijuar me ecurinë e tyre pozitive edhe në muajin tetor. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, për 10 mujorin, kompanitë shqiptare shitën jashtë vendit 225 miliardë lekë, me një rritje prej 13.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja është e nxitur nga dy grupe kryesore, ai i “materialeve të ndërtimit dhe metaleve” dhe “tekstileve e këpucëve”, ndërsa “mineralet, lëndët djegës e energjisë” vijojnë me performancën e tyre të dobët.

Grupi i “tekstileve dhe këpucëve” është më i madhi në vend, përsa i përket eksporteve. Ky grup ka si avantazh krahun e lirë të fuqisë punëtorë, dhe punon përgjithësisht me regjimin e përpunimit aktivi, me vlerë të shtuar të ulët, ndonëse vitet e fundit ka përpjekje për të mbyllur ciklin, sidomos në industrinë e këpucëve. Për 10 mujorin, ky grup eksportoi 98 miliardë lekë mallra, me një rritje prej 9.5% në krahasim me 10 mujorin 2016. “tekstilet dhe këpucët” zinin 43% të totalit për 10 mujorin.

Eksportet e “Mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë” kanë mbetur të pandryshuara në 36.2 miliardë lekë, (rritje vetëm 0.5%). Ky grup vijon të jetë i dyti, me 16% të totalit.

Një ecuri shumë pozitive këtë vit ka shënuar grupi i “materialeve të ndërtimit dhe metaleve”, që për 10 mujorin ka shënuar dhe rritjen më të madhe në vlerë absolute me rreth 10 miliardë lekë (nga 27 miliardë lekë që ishte rritja në total e eksporteve), duke arritur në 36 miliardë lekë (+39%).  Pesha e këtij grupi ka arritur në 16%, pothuajse sa ajo e “minerale, lëndë djegëse dhe energji”.

Eksportet e “pijeve, ushqimeve dhe duhanit” janë zgjeruar me 17% në 24 miliardë lekë, me ritme më të ngadalta rritjeje se një vit më parë.

Në rritje këtë vit janë edhe eksportet e “makinerive dhe pajisjeve”, që janë zgjeruar me 31%, por pesha e tyre mbetet e ulët, në 5% të totalit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *