Eksportet shënojnë rënie 12.8 për qind në mars

redaktor

Eksportet kanë shënuar një rënie të fortë prej 8.6% për tremujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si rrjedhojë e ecurisë negative të “minerale, lëndë djegëse e energji” dhe “materiale ndërtimi e metale”.

Të dy këto grupe kanë shënuar një rënie tepër të forte dyshifrore. I vetmi grupmall që po mban në këmbë eksportet shqiptare është ai i tekstileve e këpucëve që po rritet me ritme dy shifrore.

Vetëm në muajin mars, tkurrja e shitjeve jashtë vendit ishte 13%. Kjo konfirmohet nga të dhënat e Institutit të Statistikave të bëra dje publike.

Sipas këtyre të dhënave në muajin mars 2016 eksportet e mallrave arritën vlerën 19 mld lekë, duke u ulur me 12,8 % në krahasim me marsin e vitit të kaluar dhe duke u rritur me 9,9 % në krahasim me shkurtin e këtij viti.

Importet e mallrave në muajin mars arritën vlerën 46 mld lekë, duke u rritur me 4,6 % në krahasim me mars 2015 dhe 11,1 % në krahasim me shkurt 2016.   Eksportet e “mineraleve lëndë djegëse e energji” ranë me 44% në 8 miliardë lekë, duke zënë vetëm 15% të totalit të eksporteve, nga 25% që përbënin të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ulja e çmimeve të naftës e mineraleve në tregjet ndërkombëtare kanë ndikuar në këtë tendencë negative, ndërkohë që dhe moti ka qenë i pafavorshëm për eksportet e energjisë, ndryshe nga dimri i vitit të kaluar.

Eksportet e materialeve të ndërtimit e metaleve ranë me 34% në 6.6 miliardë lekë.  I vetmi sektor që po ecën mirë në këtë periudhë është ai i materialit të porositësit, tekstile e këpucë, që u rrit me 19% me bazë vjetore për janar-mars, duke arritur në 26 miliardë lekë. Ky zë përbën tashmë 50% të totalit të eksporteve tona, duke na çuar mbrapa në kohë, kur shitja e krahut të lirë të punës, që është avantazhi kryesor i fasonit, përbënte deri në 70% të totalit të eksporteve.

Gjithsesi, sektori, që ka vlerë të shtuar të ulët po e humb gradualisht dhe këtë avantazh për shkak të shtimit të kostove të energjisë e taksave, duke vënë në pikëpyetje rritjen afatgjatë të tij.

Në rritje, përveç industrisë me material porositësi, janë edhe “ushqimet, pije e duhan”, që u zgjeruan me 31%, për të arritur në 4.7 miliardë lekë, por që gjithsesi mbetet e pamjaftueshme për të amortizuar rënien e grupeve të tjera.

Që në fillim të këtij viti u paralajmërua se eksportet do të ishin të dobëta si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare të çmimeve të naftës e mineraleve, teksa vendi ynë është shumë i varur nga shitja jashtë e lëndëve të para.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *