Masat që duhen marrë për shtimin e eksporteve kanë mbledhur rreth një tryeze të përbashkët diskutimi aktorët e qeverisë dhe vetë eksportuesit. Në mbledhjen e parë të Këshillit Konsultativ të Eksporteve, të thirrur gjatë ditës së djeshme, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka diskutuar rreth problemeve më të shpeshta që hasin në përditshmërinë e tyre eksportuesit më të mëdhenj shqiptar. Disa nga çështjet që ngritën eksportuesit ishin lehtësirat fiskale veçanërisht për mallrat që janë të destinuara enkas për eksport dhe jo për tregtim të brendshëm, ku u kërkua dhe drita jeshile për mallrat që nuk mund të presin në doganë dhe të kalohen sa më shpejt për në destinacionet e tyre. Eksportuesit e bimëve medicinale prodhimet e te cilëve shkojnë 100 për qind eksport kërkuan të subvencionohet vetëm fara autoktone e këtyre bimëve dhe të ndalet fara e importit për të ruajtur për të ruajtur vlerat dhe cilësitë e këtyre bimëve origjinale që rriten në veri të Shqipërisë. Eksportuesit e gështenjave, një frut që zë vendin kryesor në eksport krahasuar me frutat e tjera, (vetëm vitin e shkuar janë eksportuar 4200 tonë gështenja në BE) kërkuan rrugë transporti pasi trajlerat frigoriferikë nuk shkojnë dot deri në rrugët e Tropojës, po kështu kërkuan pika grumbullimi, etj. Duke e konsideruar eksportet si promotorët e zhvillimit të bujqësisë shqiptare dhe ekonomisë në përgjithësi, ministri Panariti ka vënë në dukje se një nga objektivat e Qeverisë është të rrisë eksportet dhe të ndryshojë raportin aktual 1 me 5.7 që është në favor të importeve. Në këtë takim merrnin pjesë eksportues të perimeve e frutave të freskëta, vajit të ullirit, bimëve medicinale, gështenjave, mjaltit, etj. Ky Këshill konsultativ i eksportuesve, i krijuar me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, do të mblidhet në mënyrë periodike, synon që të evidentojë të gjitha problemet që kanë eksportuesit, që nga problemet ligjore, fiskale administrative, të transportit, etj, me qëllim që ata të mos pengohen, por të maksimalizojnë eksportet e produkteve shqiptare në vende të tjera, përfshi vendet e BE-së. Ministri Panariti garantoi se shumica prej kërkesave të tyre do të reflektohen e zgjidhen, veçanërisht lehtësirat fiskale, të cilat do të diskutohen me Ministrinë e Financave.
