Ekspozita e flamujve, një iniciativë e kreut të opozitës, Edi Rama, ka përfunduar sot udhëtimin në vendin ku 100 vjet më parë u ngrit i lirë flamuri kuq e zi. Pasi është shpalosur në shumë treva shqipfolëse, koleksioni i flamujve të të gjitha periudhave të historisë së shqiptarëve është ndalur sot në teatrin “Petro Marko”, ku po vizitohet nga një numër i madh qytetarësh.
“Sot ky 100-vjetor është i bekuar sepse flamuri shqiptar është i lirë në të gjitha trojet shqiptare. Jemi të lumtur që e patën privilegjin që ta shëtisim rrugën e flamurit në të gjitha trojet shqiptare.
Është një emocion i veçantë që këtë ekspozitë të çelim sot për të gjithë ata që kanë ardhur nga të katër anët e vendit për 100-vjetorin e pavarësisë. Dua ta falënderoj kryetarin e Bashkisë së Vlorës, sepse sfida e organizimit të festimeve ishte një sfidë që kërkonte jo vetëm përkushtim, por edhe arsyetim të posaçëm për të kapërcyer të gjitha pengesat që bashkia pati. I takon një mirënjohje e veçantë kësaj bashkie dhe qytetarëve të Vlorës, që vullnetarisht u bënë bashkë dhe hapën dyert për mijëra shqiptarë”, tha Rama.