Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye sot ekstradimi nga Aeroporti “Nënë Tereza” Tiranë në drejtim të territorit italian i shtetasit shqiptar Olsi Selman Shaqlli, 38 vjeç, lindur në Korçë.
Në ngarkim të shtetasit Olsi Shaqlli, më datë 3.10.2008, autoritetet gjyqësore të Barit, Itali, kanë lëshuar urdhërin e arrestit për kryerje të veprave penale të “pjesëmarjes në organizata të armatosura”, “grabitjes me armë“, “vrasjes”, në bashkëpunim, “plagosjes me dashje”, dhe “armëbajtjes pa leje”, vepra penale të parashikuara nga Kodi Penal Italian.
Sipas urdhër arrestit të lëshuar nga autoritetet italiane, rezulton se shtetasi Olsi Shaqlli, më datë 6 janar 2008, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka hyrë forcërisht në shtëpinë e një shtetasi italian, me qëllim grabitjen, ku gjatë kryerjes së grabitjes ky shtetas ka qëlluar me arme zjarri duke lënë të vdekur një nga pjesëtarët e familjes.
Arrestimi në vendin tonë i shtetasit Olsi Shaqlli, më datë 09.07.2012, me qëllim ekstradimi drejt shtetit italian, u arrit si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën. Në aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas, ky shtetas iu dorëzuar autoriteteve italiane.