Italia sjell në pranga Enver Dondollakun, të njohur si krahu i djathtë i Aldo Bares dhe numri dy i “Bandës së Lushnjës”, i dënuar në një proces të gjatë gjyqësor dhe i arrestuar në vitin 2006 në vendin fqinj. Rreth mbrëmjes së djeshme, me një nga avionët e linjave Romë-Tiranë, agjentët e Interpolit të të dy vendeve kryen ekstradimin e 38-vjeçarit në Rinas, në masa të rrepta sigurie. Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar në mungesë më 12 qershor 2009, me 25 vite burgim, për vrasjen e një efektivi policie, tentativën e vrasjes së shefit të komisariatit, pjesëmarrje në 4 vrasje të tjera dhe vendosje eksplozivi, gjoba dhe rrëmbime.
Arrestimi dhe ekstradimi
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi në Itali i Enver Dondollakut, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Ai u arrestua në maj të vitit 2006 në qytetin e Padovës në Itali, ndërsa mbante me vete një pasaportë çeke me emrin Denis Chochlanov, por punonjësit e policisë e zbuluan gjatë një kontrolli në stacionin e trenit. Pas gjykimit për falsifikim e trafik droge, dënim i vuajtur në Itali, është vendosur edhe ekstradimi i tij në Shqipëri, me qëllim vuajtjen e dënimit të gjykatës. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Akuzat dhe dënimi
Dondollaku akuzohet për vrasjen e inspektorit të policisë Klenti Bano, vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-shefit të komisariatit të policisë Lushnjë, komisar Sinan Meta, vrasjen e Nimet Zeneli, Masar Aliu, Idajet Beqiri, dhe Xhevdet Demiri, vendosjen e eksplozivit në stadiumin e qytetit të Lushnjës, marrje peng dhe vënie gjobash, trafik ndërkombëtar droge dhe prostitucioni. Për viktimat e mësipërme ka pasur akuzën vrasje me paramendim, ndërsa është gjykuar edhe për tentativën e vrasjes së Gramoz Selmanit. Gjithashtu është akuzuar për shkatërrim i pronës, armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë dhe pjesëmarrja në organizata kriminale.
Tjetër ekstradim
Po dje, Interpol Tirana ekstradoi nga Greqia edhe Lulzim Paja, 39 vjeç, nga Elbasani. Gjykata e ka dënuar më 5 qershor 2012, me 3 vjet e 6 muaj burg, për arratisje nga burgu. Më 15-18 dhjetor 2011, ka marrë leje nga burgu, por nuk është kthyer më, duke u larguar drejt Greqisë, ndërsa ishte dënuar për kanosje të dy efektivëve të policisë. U kap më 10 prill 2013 në Kastoria.
Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar në mungesë më 12 qershor 2009, me 25 vite burgim, për vrasjen e një efektivi policie, tentativën e vrasjes së shefit të komisariatit, pjesëmarrje në 4 vrasje të tjera, vendosje eksplozivi, gjoba e rrëmbime.
