Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve evropiane, nuk do të publikohen deri pas mbarimit të plotë të tyre. Por, sondazhet paraprake (Ipsos) të kryera në Holandë menjëherë pas votimit konkludojnë se nacionalizmi dhe ekstremi i djathtë në Holandë ka humbur ndjeshëm. PVV, partia anti-BE dhe anti- imigracion e Geert Wilders ka arritur të marrë vetëm 12,2% të votave, kundrejt 17% të fituara pesë vite më parë, të cilat përkthehen me 3 vende në PE, kundrejt 5 në vitin 2009. Partitë pro-europiane të qendrës, D66 ka arritur të marrë 15,6% dhe Kristian-Demokratët 15,2%, duke arritur në 4 deputetë secila. Ndërsa Liberalët e kryeministrit Mark Rutte kanë arritur të marrin 12,3%.
Përqindja e pjesëmarrjes vlerësohet shumë e ulët, vetëm në 37%. Një fenomen që ka tërhequr gjithmonë vëmendjen pasi holandezët kanë pjesëmarrje të lartë në zgjedhje kombëtare, çka e veçon nga shtetet e tjera të BE-së.
Kreu i ekstremit të djathtë Geert Wilder ka përmbyllur një marrëveshje me ekstremin e djathtë francez Frontin Kombëtar, duke shpresuar në formimin e një grupi parlamentar me peshë të konsiderueshme në PE. Fronti Kombëtar kryeson sondazhet për zgjedhjet evropiane në Francë dhe po rivalizohet vetëm nga UMP, e cila ka ashpërsuar gjuhën elektorale duke kërkuar dalje të Francës nga Shengen. Ish presidenti francez Sarkozi, ka deklaruar se Franca duhet të pezullojë menjëherë marrëveshjen mbi Shengen I, e cila duhet zëvendësuar me një Marrëveshje Shengen II, ku shtetet anëtare mund të anëtarësohen vetëm nëse kanë adaptuar paraprakisht të njëjtën politikë mbi imigracionin. Sarkozi vlerëson se imigracioni është shndërruar në një problem të rëndësishëm për vendin, ku imigrantët sipas tij, pasi kalojnë kufirin e Shengen u ngelet thjesht të zgjedhin vendin, në të cilin përfitimet sociale janë më të mëdha.
Në programin e saj elektoral mbi Europën UMP sqaron 5 akset kryesore, ndër të cilat tërheq vëmendjen, politika e UMPS-së në lidhje me zgjerimin dhe imigracionin:
Për të reduktuar imigracionin në Francë: (…)
“ Ne kundërshtojmë çdo zgjerim të ri evropian; refuzojmë hyrjen e Turqisë në BE; (…) kundërshtojmë hyrjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në Shengen”
(…)
Pretenduesi kryesor i zgjedhjeve evropiane në Francë, Fronti Kombëtar francez po përdor si imazh propagande të rrezikut që i kanoset vendit nga imigracioni portretin e minorenes kosovare Leonarda, që i përket komunitetit rom të cilën Franca e përzuri më 13 tetor 2013. Slogani shoqërues i imazhit propagandon “Presim që pasaporta jonë kroate të jetë gati dhe do të jemi të lirë, mund të shkojmë ku të duam pastaj.”
Britani e Madhe
Ndryshe nga Holanda në Britaninë e Madhe nuk janë bërë publike sondazhet e realizuara menjëherë pas votimit. Por, anti-europianët e UKIP pritet të kenë dalë mjaft mirë në rezultate, ndërsa konservatorët e Kamerun pritet të renditen në vend të tretë. Fitorja e paralajmëruar e ekstremit të djathtë UKIP, përbënte një nga arsyet që angazhuan kryeministrin Kamerun për të shpallur mbajtjen e një referendumi popullor mbi daljen ose jo nga BE, gjithmonë nëse konservatorët do të mund të dalin fitues në zgjedhjet legjislative të vitit të ardhshëm./im.ta/