Ekzekutohet në lokal, dyshohen borxhet dhe konfliktet

anazapta

Një person i panjohur i është afruar në befasi te lokali ku qëndronte dhe ka qëlluar duke zbrazur karikatorin e pistoletës me silenciator. Tre plumbat që i përshkruan trupin dhe kokën, e lanë të vdekur 51-vjeçarin Palok Lazri, nga fshati Melgush i komunës Bushat, që megjithë ndihmën që i dhanë duke e dërguar në spital, nuk arriti të mbijetonte. Krimi tronditi rreth orës 11:00 të mëngjesit të djeshëm qytetin e Shkodrës dhe ndodhi afër qendrës, në vendin e quajtur “Ura Dervishbeg”. Policia ka përqendruar hetimet tek borxhet e vjetra të viktimës, e kaluara e tij pasi njihej si kontigjent dhe konfliktet për pronësi. Prej disa vitesh viktima jetonte në qytetin e Shkodrës dhe merrej me aktivitet ndërtimi.

Sipas informacioneve të para policore dhe të grupit hetimor, krimi ka ndodhur pranë një lokali ku dy persona me motoçikletë janë parë të qarkullonin në shpejtësi, e me skafandra në kokë, duke mos e bërë të mundur identifikimin. Një prej tyre ka ndihmuar, kurse tjetri nxori pistoletën dhe ekzekutoi në vend 51-vjeçarin, te dera e lokalit. Në pak sekonda të dyshuarit u larguan po me motor, duke humbur gjurmët, ndërsa shfrytëzuan panikun e madh të qytetarëve. Dyshohet se në një tjetër rrugicë i ka pritur një automjet dhe gjurmët e motorit janë zhdukur para se të mbërrinte policia. Plumbat prekën edhe xhamat e lokalit ku po hynte viktima, po për fat të mirë nuk prekën askënd.

Menjëherë dëshmitarët e dërguan të plagosurin Lazri me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, por sipas mjekëve ka ndërruar jetë rrugës, si pasojë e plagëve të marra. Futja e 51-vjeçarit në urgjencë dhe më pas për operacion ka rezultuar e kotë. Nuk dihen ende motivet e krimit, por policia e cila ka shkuar në vendngjarje ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjes së plotë të ngjarjes. Një nga pistat kryesore është një borxh i mbartur i viktimës tek personat e tjerë, por nuk përjashtohet edhe vrasja për hasmëri, ndaj po verifikohen konfliktet e kaluara të familjes. Gjithashtu po pyeten të afërmit për të mësuar nëse në fshatin ku jetonte familja Lazri ka pasur edhe konflikte të pronësisë. Sipas policisë, viktima ka pasur edhe konflikte të vjetra, pasi njihej si kontigjent, ndaj edhe po i verifikojnë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *