Errësohet historia e Skënderbeut në Kupat e Europës. Suksesi i shqiptarëve eklipsohet nga gazeta spanjolle “El Pais” e cila shkruan se ka dyshime serioze se kampionët e Shqipërisë kanë manipuluar ndeshjet e kthimit me Crusaders dhe Dinamon e Zagrebit, të vlefshme për Champions League.
UEFA e kontaktuar nga “El Pais” nuk ka preferuar të komentojë lidhur me hetimet. Por ka thënë se Crusaders dhe Dinamo e Zagrebit, janë jashtë çdo hetimi, por një të tillë nuk e ka thënë për Skënderbeun.
Gazeta spanjolle bazohet në hetimin e shoqatës kundër fiksimit të rezultateve “Federbet” e cila studion lëvizjet e koeficienteve të ndeshjeve.
Dyshimet për Crusaders e Dinamon
Në ndeshjen e dytë ndaj Crusaders, thuhet se pati një fluks bastesh pas minutës së 78, kur ndeshja ishte 2-1 për Skënderbeun. Mirëpo në minutat e fundit pësoi dy gola të tjerë. Por megjithatë kaloi raundin, për shkak se fitoi ndeshjen e parë 4-1.
Qëndrimet e lojtarëve shqiptarë në fushë në momentin e shënimit të golave dhe lëvizjet në kuotat e basteve kanë hedhur dyshime të forta se ndeshje ishte e trukuar sipas “El Pais”, bazuar te “Federbet”.
Pas kësaj ndeshjeje, Skënderbeu u përball me Milsamin nga Moldavia. Pasi eliminuan Milsamin u përballën me Dinamon e Zagrebit ku i humbën të dyja ndeshjet, 2-1 dhe 41.
Por ajo që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është ndeshja e dytë dhe saktësisht pjesa e dytë e ndeshjes, pasi Dinamo luajti me një lojtar më pak, por arriti që të shënonte dy gola ndaj Skënderbeut. Edhe këtu ngrihen dyshime të forta, pasi sipas “El Pais” koeficientet për Dinamon e Zagrebit në vend që të rriteshin, u ulën që të shënonte sërish duke ngjallur dyshime se Skënderbeu ka lënë edhe ndeshjen në Kroaci, pasi pësoi edhe dy gola kur ishte me një lojtar më shumë në fushë.
