Në fushë, ndërsa përplaste topin në rrjetë, shquhej një vajzë bionde, e gjatë dhe ambicioze. Ishin vitet ‘80-’90. E kush nuk e mban mend gjashtëshen e famshme të volejbollisteve të “Dinamos”. Ajo dukej gjithë kohës në ajër. Rinia e sotme emrin e saj e ka dëgjuar vetëm nga prindërit ose nga ato pak kronika që jepen herë pas here. Shumëkujt mund t’i shkojë mendja te emri i Ela Tases. Po, ajo është. Kemi folur me volejbollisten ikonë të atyre viteve, sot pedagoge në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari”.
Nuk ka humbur asgjë nga zhdërvjelltësia e rinisë, vetëm disa thinja më shumë në flokët që vazhdon t’i këtë në të njëjtën ngjyrë. Ndërsa nis e na rrëfen për fillimet e saj, tregon se ka tentuar të bëhej pianiste. Të paktën, mësimet e para i ka marrë për këtë vegël muzikore në shkollën e muzikës, por shumë shpejt hoqi dorë. Kuptoi që nuk ishte natyra së cilës i pëlqente të qëndronte në një vend. Fakti që kishte një vëlla i cili merrej me sport e ndihmoi atë të merrte rrugën drejt sportit. Në moshën 13-vjeçare, tregon se vendosi që do të angazhohej në volejboll. Shumë shpejt, pas përfshirjes, shkëlqeu, që në fillimet e veta. 23 vjet si sportiste aktive dhe me shumë çmime gjatë rrugës e bënë atë të jetonte një jetë si nëpër filma. E suksesshme aq sa me plot gojën thotë: “Nuk më binin këmbët në tokë”.
Ishin 23 vitet e një sportisteje që ngrinte në peshë stadiumet ku luante. Madje, me nostalgji rrëfen se, sportdashësit vinin dhe shinin “Dinamon” ku ajo bënte pjesë, edhe gjatë stërvitjes. Është ndier e vlerësuar edhe e respektuar në ato vite, edhe në sajë të punës që vetë dinamovitja bënte, duke i dedikuar jetën sportit. Tase na rrëfen se i ka ndodhur që edhe për dy javë më radhë të mos ketë pasur mundësi të shkojë në shtëpi, pasi ka qenë me grumbullime që ishin të zakonshme në atë kohë.
Familja
Suksesi në sport nuk e ka penguar Elën që të ketë një familje të shëndetshme. Është martuar fare e re. Kur ishte vetëm 21 vjeç. Bashkëshorti i saj, Bashkimi, ishte trajner basketbolli ndërsa ajo një volejbolliste e në hapat e para. U njohën në rrethin sportiv të tyre dhe Ela nuk i tha “Jo” interesimit të tij për një lidhje me të. Në vitin 1984 ajo u bë nënë e një djali. Ai, sot është 29 vjeç dhe punon si menaxher marketingu. Nuk ka dashur të ndjekë rrugën e sportit, por edhe prindërit nuk kanë insistuar për futjen e tij drejtë kësaj rruge. Kur Tase vendosi të bëhej nënë ishte në kulmin e karrierës sportive. I është dashur që të mos merret shumë me rritjen e djalit, aq sa me keqardhje tregon se me këtë pjesë është marrë vjehrra, e cila e ka ndihmuar shumë. Ndërsa Elës vetë i mungon shumë ajo pjesë. Ndjen një boshllëk sot e kësaj dite. “Që kur m’u bë djali 13 vjeç unë kam ndenjur shumë pak me të. Sot ndjej nevojën të qëndroj në shtëpi. Më duket sikur kompensoj kohën që nuk i kam kushtuar familjes në vitet e mia të punës si sportiste”- shprehet ajo.
Post Sport
Pas vitit 1990, gjithçka në Shqipëri pati një ngrirje, po ashtu edhe sporti ku Ela bënte pjesë. Në një kohë kur shumë emigruan. Kur fushat dhe stadiumet u shkatërruan dhe askush nuk e kishte mendjen. Kur miqtë edhe mikeshat e saj zgjodhën jetën jashtë vendit. Gjithçka në këtë vend i dukej bosh dhe pa të ardhme. “ Në këto momente, pësova një krizë”- tregon ajo. Ela nuk kishte orientim. Kishte ardhur koha që duhet të linte sportin, por ku të shkonte? Një oferte për të dhënë mësim në Akademinë e Policisë nuk do t’i thoshte “Jo”. Tashmë i janë bërë 19 vite që edukon uniformat blu të policisë shqiptare për sa i përket përgatitjes fizike. Puna me studentët e policisë i ka dhënë një tjetër dimension jetës së saj. Sot, në anën profesionale ajo numëron dy etapa, shkëlqimin si volejbolliste dhe punën si pedagoge. Gjatë këtyre viteve ndihet shumë e lumtur që ka nxjerrë sa e sa breza që sot janë kuadro të lartë të Policisë Shqiptare. Tashmë çdo mëngjes në orën 8 ajo vesh uniformën dhe fillon mësimin, deri në orën 3 pasdite kur i hipën makinës e kthehet në shtëpi. Pjesën tjetër të kohës e kalon me familjen. Dëshiron shumë që pjesën e dytë të ditës ta ketë të sajën, sidomos të shijoj muzgun në kryeqytet
“Më ka munguar shumë një vajzë”
Zonja Ela, rruga e sportit për ju ishte traditë familjare apo rastësi?
Profesionin e ushqeve nga vëllai. Nardi sapo kishte filluar sportin me të rinjtë e Dinamos. Sigurisht, që në familjen tonë flitej shumë për sport dhe kjo pa diskutim që ka ndikuar. Shkollën e kam bërë te “Kongresi i Përmetit” ka qenë në fillim shkollë muzike. Madje fillimisht, kam studiuar piano. Po aty e pashë që nuk isha nga ato që qëndroja në një vend. Isha nga ato që lëvizja. E dëshiroja lojën. Edhe atëherë kishim më shumë mundësi, kishim oborre të mëdha. Është absolutisht e kundërta me mënyrën se si luajnë fëmijët e sotëm. Kur e panë që kisha të dhëna, fillova të zgjatesha. Më ndihmoi shumë edhe fakti që kisha një vëlla më të madh për sport. Dhe kështu filloi rruga ime… Nuk isha nga ato që më të më thoshin: hë… po isha vetë.
Çfarë ju bënte në atë kohë të mbanit gjallë pasionin për sportin?
E imagjinoni dot që ne edhe në stërvitje kishim tifozë. Bënim stërvitje dhe salla ishte e mbushur. Duartrokiteshe nga njerëzit. Atëherë kishim ego, dhe ego pozitive për më tepër.
Sa kohë keni qëndruar aktive?
Që kur jam futur, në moshën 13 vjeç dhe e lashë në moshën 36-vjeçare. Domethënë 23 vjet. Pastaj, ne ishim dashuruar me sportin dhe njerëzit ishin dashuruar me volejbollin. Në ’79 për herë të parë, unë cilësohem si më e mira në Ballkan. Nuk ishte pak për mua që në moshën 20-vjeçare unë të marr çmimin si më e mira e Ballkanit. Këtë çmim e kam marrë tri herë gjatë karrierës. Unë e kam ndier veten në ajër. Atëherë ndiheshim të respektuar.
Zonja Ela, ju keni dalë në atë kohë edhe jashtë vendit. Çdo të thoshte për ju, të shihnit botën jashtë dhe të vinit në Shqipëri e të mos flisnit për këtë gjë?
Ishte ndryshe. Mua më ra rasti të dilja jashtë që në vit të parë në gjimnaz. Kam fluturuar më avion 14 vjeç. Ishte shumë gjë e bukur për mua të shihja vende të ndryshe të botës, ndërkohë që bashkëmoshataret e mia nuk e bënin dot këtë. Duhet të kuptoni diçka, ne u edukuam me një formim për të qenë të frenuar dhe të mbyllur. Jemi brezi që nuk kemi folur dot hapur dhe kjo është mangësi mund ta quajmë në këto ditë. Mua sot më ka ardhur goja, unë nuk kam pasur gojë. Duke u ruajtur, nuk je në gjendje të shprehësh atë që mendon.
Kur keni krijuar familje?
Kur isha në vit të dytë në fakultet. Isha 21 vjeç. Pati qenë një rastësi. Nuk e di, po nga që u futëm më shumë zell në sport, nuk mendoja të krijoja familje aq herët. Njohja me bashkëshortin erdhi rastësisht dhe në mënyrë të papritur. Unë dhe Bashkimi (bashkëshorti) kemi qenë në një fushë stërvitore. Ai ishte basketbollist, trajner i ekipit Dinamo. Ai kishte njohje me vajzën e hallës sime. Ishin një grup që shoqëroheshin bashkë dhe po ashtu ishin të gjithë të martuar, vetëm unë dhe Bashkimi ishim beqar. Kemi qenë edhe shumë të çiltër e të hapur. Mblidheshim te “Bar Sahati” në qendër të Tiranës. Ka pasur muzikë live, aty ishte shumë bukur. Takoheshin çdo të shtunë e të diel, këta si shoqëri më ftonin edhe mua. Ai filloi të shprehte interes, megjithëse unë nuk e kisha menduar. Kështu që njohja e parë u bë në këtë mënyrë, brenda fushave, brenda sportit. Kemi ndenjur jo më shumë se gjashtë muaj dhe patjetër duhet ta shpallnim fejesën. Nuk mund të rrinim më shumë. Ashtu ishin kohët.
Ju keni vetëm një djalë. Ju ka munguar një vajzë?
Shumë. Gjatë viteve, kam dhënë mësim edhe në shkollën e mesme ekonomike. Kisha shumë vajza në mësim. Kam një lloj ndjeshmërie ndaj tyre. Mospasja e një fëmijë të dytë erdhi si fillim si një ego profesionale. Unë mund ta bëja një fëmijë edhe pasi lash sportin, por periudha ishte e tillë pas viteve 90’ që unë nuk dija ku isha, as në sport e as në punë dhe nuk po kuptoja si do të merrte jeta ime, kjo më pengoi më shumë.
Titulli
Volejbollistja më e mirë shqiptare e të gjitha kohërave
Në vitin 1978, kur bëri ndeshjen e parë ndërkombëtare në Kampionatin Ballkanik të volejbollit në Rumani, u shpall volejbollistja më e mirë e Ballkanit. Më pas ajo u quajt kështu si mjeshtre e madhe edhe në Bullgari në vitin 1982 dhe në Tiranë në vitin 1988. Tase, ka qenë 16 herë kampione kombëtare në volejboll, 14 herë fituese e kupës së Shqipërisë, 10 herë fituese e anketës sportive “10 sportistët më të mirë të vendit”. Është cilësuar volejbollistja më e mirë shqiptare e të gjitha kohërave.

Sportiste e shkelqyer, vajze model.
Meriton vetem respekt.
se bashku me te vellain, kane qene yje te voleibollit dhe njerez shume te mire ne te gjitha paramet
Vertet e shkelqyer ka qene.
Faleminderi Entela Resuli qe na risjell personazhe te tille. Uuau cfare nostalgjie!!! Me kujtohet kur thrrisnim ne stadium: Plase Ela Tase 🙂
Sic duket Rames nuk i pelqejne personat e shkelqyer si Ela Tase perderisa e hoqi nga drejtimi i KOKSH-it.
Pershendetje Ela, te uroj fat & mbaresi ne jete!
Ela Tase …e shkelqyer
Mijera kujtime te bukura sjell ajo ….
Ela e pa arritshme ka qene,na ka mbajtur gjalle ne ate kohe.
Ela, emocione pafund tani qe te shoh. Sa vite te bukura kane qene. Ti nje yll ishe dhe mbetesh. Faleminderit nga zemta gazeta DITA qe na ke sjell kete person. Ju dua. Faleminderit gazetare Resuli
E ndjek Entelen dhe e di qe bene pune shume te mire, dhe ne kete rast kete gje ka bere, nje pune shume te mire, nje personazh qe na bene nostalgjik, na kthen pas ne kohe, kur stadiumet dhe pallatet e sportit mbusheshin plote e perplote. Sot nuk ka me, as shpirt loje, as pasion, as dashuri. Te uroj jete te gjate Ela Tase
nostagji……………shume emocione, jemi brezi i eles.
ELA e vecante,ne ngritjen morale te ekipit dinamo,drejtuar ngaa tartari,se bashku me mozen organizatore, na dhane lumturi me ndeshje e fitoret e bukura, ne ndeshjet brenda e jashte vendit
i urojme shendet e lumturi.
Ela, gezohem shume qe je mire. Sa vite te bukura kane qene, sa shume nostalgji. Me emcionove. Ishte koha kur sporti ishte sport!
Shume respekt per Ela Tasen dhe te tjera shoqe te saj, per ato cfare i dhane Shqiperise dhe popullit shqiptar. Respekt dhe nderim!
Pershendetje Ela. Na ktheve prapa, ku entusiazmi i moshes dhe energjia jote pozitive, na mbushnin shpirtin me emocione te papershkueshme dhe na zbukuronin jeten. FALEMINDERIT.
Ishte koha ku jo vetem sporti ish sport por shum e shum ishin ashtu sic dukeshin! Shoqeria,miqesia,dashuria e frika qe na shoqeronte nga ndonje “tull klasore” ! U shperndam e u tretem ne detin e mergimit e nostalgjia na mundon, e Ela na kthen ne ato te bukurat e asaj kohe ! Fituam “lirin”por humbem njeri tjetrin e ram ne nje tjeter skllavrim ! Nuk dinim cishte stresi e tani sa hapim syt ne mengjes e kemi “shokun” e dites ! Nuk dinim sa puntor ishim e cfemij inteligjent lindem e ritem me aq sakrifica ! Ne atdheun ton dikur te diktatures te luftes klasave e varferis por te mbushur me vepra nga duart tona qe u shkateruan pa meshir ,sot ka zen vendin tjeter diferenc klasore ,te pasur e te varfer, me nje atdhe korupsioni e borxhesh e me nje drejtesi vaj hallit ! Sidoqoft na ktheve tek e bukura e asaj kohe kur si banor i ruges Durresit ju shihja tek kalonit me cantat sportive ashtu te bukura ,te qeshura e te zhdervjellta ! Uroj ,jo vetem ti por gjith shoqet e shoket tuaj per te cilet aq tifo benim te jen mir e sa me mir e tju shohim keshtu rastesisht ………..