Dyshohet se djali 27-vjeçar kishte sherre me të atin për shkak të nuses italiane. Përgjatë një muaji sipas policisë, babë e bir janë përplasur disa herë, ku nuk ka munguar as dhuna fizike e djalit ndaj të atit
Ervin Sanja
Babai vret djalin dhe nusen. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar në qytetin e Elbasanit, rreth orës 20:00. Burimet nga policia thonë se ngjarja ka ndodhur mbas një sherri mes babait dhe djalit, ndërkohë që njoftohet se në gjendje shumë të rëndë psikologjike ndodhet nëna 55-vjeçare.
Viktimat sipas policisë janë 27-vjeçari Sokol Llucaj dhe gruaja e tij italiane Xhulia Portafieri, 24 vjeçe. Ndërkohë në pranga ka përfunduar autori Engjo Llucaj. Gruaja e këtij të fundit gjatë orëve të natës është marrë në pyetje nga policia si dëshmitarja e vetme në vendngjarje, por bëhet e ditur se ajo ka qenë në gjendje shumë të rënduar psikologjike, ndërsa u është lutur policisë që të vrisnin edhe atë, pasi ka parë vdekjen e të birit dhe nuses.
Engjo Llucaj është arrestuar menjëherë pasi është dëgjuar e shtëna e fundit. Dikush nga familja, që pritet të identifikohet, kishte njoftuar sallën operative për sherrin që po ndodhte në shtëpi, duke kërkuar ndihmën e policisë që të ndërhynte. Por ndërsa policia ka mbërritur, gjithçka kishte marrë fund dhe e vetmja gjë që është mundur të bëhet ka qenë arrestimi i autorit dhe tërheqja e trupave.
Burimet shprehen se Engjo Llucaj kishte në fytyrë shenja dhune, çka ka çuar në dyshimin se përpara se të ndodhte vrasja, ai është dhunuar fizikisht nga i biri.
Mësohet se familja Llucaj kishte nisur të banonte në një pallat të ri në lagjen “Sul Kaprri” të Elbasanit vetëm tre vjet më parë. Djali i familjes, 27-vjeçari Sokol Llucaj ishte kthyer rreth një muaj më parë nga Italia ku jetonte dhe kishte sjellë me vete edhe nusen italiane, Xhulian 24-vjeçare. Dyshohet se ka qenë martesa me një të huaj shkaku i mosmarrëveshjes babë e bir, pasi gjendja e tyre ekonomike ka qenë mjaftueshëm e mirë, për të mos shkaktuar probleme. Gjithashtu dyshohet se kryefamiljari është rrahur rregullisht nga djali i tij dhe gjatë gjithë periudhës 1-mujore të kthimit të tij, ata kanë pasur konflikte të herëpashershme. Gjatë kësaj kohe Engjo Llucaj mësohet se ka gjetur edhe një armë.
Mbrëmjen e së mërkurës, kur ka filluar sërish konflikti, një nga personat ka marrë në telefon policinë, ndërsa babë e bir kanë qëlluar njëri-tjetrin. Por më pas babai ka marrë armën dhe ka shtënë fillimisht mbi të birin e më tej mbi nusen. Në këtë moment, në të shtënën e fundit ka mbërritur edhe policia në vendngjarje, ndër Engjo Llucaj është dorëzuar, duke u dhënë edhe armën.
Fqinjët përveçse kanë dëgjuar grindjen dhe të shtënat mësohet se nuk kishin shumë dijeni lidhur me problemet familjare, duke qenë se ishin të gjithë të ardhur.
Deri në orët e vona të mbrëmjes në vendin e ngjarjes nuk kishte mbërritur asnjë familjar tjetër për të mësuar nëse familja Llucaj kishte edhe persona të tjerë apo jo.