Humbja me Teutën 5-1 dhe disfata e tretë në tre javë kampionat ka bërë që të rrëzohet trajneri i parë i këtij sezoni në Superiore. Ilirjan File dha dorëheqjen nga drejtimi i Elbasanit duke u largua menjëherë nga stadiumi i Peqinit pa dashur të japë detaje të mëtejshme mbi këtë vendim të tijin. Ndërkohë, në kampin tjetër, atë të Teutës, fitorja me rezultatin e thellë 5-1 nuk mund të mos linte të kënaqur trajnerin Hasan Lika, aq më tepër që ishte suksesi i parë në kampionat për të tijtë. Sipas teknikut të durrsakëve përveç ndikimit pozitiv në aspektin psikologjik që kjo fitore do të ketë gjithashtu ajo përmirëson dhe klasifikimin e të tijve. “Kemi marrë pikët maksimale, me një kundërshtar me pozita të njëjta, që kishte luajtur mirë por nuk kishte mundur të merrte pikë. E rëndësishme është që krijuam shumë raste dhe arritëm të konkretizonim në ndryshim nga takimet e tjera, ku gjithashtu patëm shumë mundësi por nuk shënuam”, tha Lika. Në javën e katërt të kampionatit, Teuta do të luajë në shtëpi ndaj Laçit, ndërsa Elbasani do të ketë një transfertë të vështirë ndaj Tiranës.
