Letër e nënshkruar
Astrit Çerma, aktor
I dashur z.Kryeredaktor! Trumpetuam me “daulle e me zurrna” se Eurovizioni së fundi s’ka nga “t’ia mbajë”, do s’do, do të na shpalli fitues. Shqipëria zuri vendin e 17! Dhe si gjithnjë filluan anatemat e mallkimet për Europën kurvë, e tjera e tjera. Unë s’kuptoj: Ç’të keqe ka këtu??!! Në fund të fundit, vërtetë s’është në vendet e nderit por s’është as në vendet e “turpit”. Apo jo?
Pastaj, dale një herë ore! Kush tha se na takonin vendet e para??!! A, po, e thamë vetë! Dhe i vumë edhe pikën, edhe vulën. Se mos është hera e parë. Baah! More edhe çmimet “Nobel” e “Oskar” i kemi fituar, por nuk i kemi marrë sepse…nuk na i kanë dhënë.
Ore, vërtetë që Elhaida “stonoi pak”, por po të mos “krisnin allishverishet e dallaverexhijve”, ne të ndershmit e dynjasë do të kishim kapërcyer edhe kreun. Pavarësisht se fjalët e liga thonë se nuk është mirë “të stonosh” në një festival. Epo ja që ne mendojmë që s’do bëhej qameti nëse ata që dhurojnë pikët të mbyllnin veshët.
Ah të kishim fituar! Sidomos në këto pragje zgjedhjesh. Oiii! Do të sulej qeveria, bashkia, Shqupi, etj., etj, kush e kush të rrëmbente suksesin e Elhaidës. Dhe populli do të mallëngjehej kaq shumë, sa do të harronte hallet. Ah moj Europë, ç’na bëre!