Drejtuesit e Dinamos duket se e kanë marrë shumë seriozisht objektivin për ngjitjen në Kategorinë Superiore. Pas afrimit të lojtarëve me shumë eksperiencë si Igli Allmuça dhe Daniel Xhafaj, presidenca blu kërkon t’u bëjë dhuratë tifozëve Elvis Kotorrin, portierin aktual të Elbasanit. Në fakt, 18 herë kampionët e Shqipërisë do t’i ofronin destinacionin e duhur 35-vjeçarit, i cili ka fituar titullin kampion me Dinamon në sezonin 2008-2009.
Por çfarë e shtyn Kotorrin ta prishë para kohe marrëveshjen me skuadrën e vendlindjes së tij? Gjatë javëve të fundit nga Elbasani janë larguar futbollistë të rëndësishëm, ku veçohet Dorian Bylykbashi, fakt që kompromenton objektivat e drejtuesve për mbijetesë. Këto zhvillime nuk i kanë pëlqyer aspak Kotorrit, që në një moshë të pjekur nuk dëshiron të jetë pjesë e një skuadre që është e destinuar për të rënë nga kategoria.
Bisedimet mes futbollistit dhe Dinamos nuk kanë hasur asnjë pengesë, por, për të finalizuar gjithçka, duhet marrë miratimi i presidentit të Elbasanit, Arben Laze, që vështirë se do ta pengojë Kotorrin të transferohet në kryeqytet.
