Pas konfirmimit se dhëndri i Presidentit Trump, Jared Kushner, ka përdorur edhe e-mailin personal gjatë komunikimit me zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë, ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, ka lëshuar edhe njëherë akuza në drejtim të të liderit të Uashingtonit, duke u shprehur se administrata aktuale amerikane dhe senatorët republikanë po tregohen hipokritë.
Sipas Clinton, në rast se Trump do t’i kishte patur seriozisht kritikat e hedhura në drejtim të saj gjatë fushatës presidenciale, atëherë ai do të kishte kërkuar hetime edhe për dhëndrin e tij.
“Kjo tregon hipokrizinë e kësaj administrate, e cila në rastin tim, e dinte se nuk kishte një skandal real dhe se nuk kishte arsye që të shkaktohej një reagim i tejskajshëm. Gjithashtu, senatorët republikanë që e politizuan rastin tim, por edhe shumë çështje të tjera gjatë kohës që unë shërbeva si Sekretare e Shtetit, duhet të kishin kërkuar një reagim në të njëjtën mënyrë edhe për Kushner. Fakti që ata nuk po e bëjnë diçka të tillë tregon se niveli i hipokrizisë ka qenë mjaft i lartë.”
Jared Kushner, i cili aktualisht shërben si këshilltar i lartë i Presidentit, ka shkëmbyer një sërë mesazhesh me zyrtarët e tjerë të Uashingtonit.
Për arsye sigurie, ligji amerikan e ndalon diçka të tillë. Megjithatë, avokati i Kushner deklaroi se klienti i tij, nuk ka rrezikuar ekspozimin e të dhënave konfidenciale, pasi në përmbajtjen e e-maileve flitet për çështje me rëndësi relativisht të ulët.
