Muaj korrik shënon edhe çeljen e provimeve të radhës për të gjithë arsimtarët e rinj që duan të jenë pjesë e procesit mësimor në nisje të vitit të ri shkollor 2014-2015. Në testim do të marrin pjesë të gjithë ata kandidatë që kanë përmbushur detyrimet e kryerjes së praktikës profesionale në specialitetin përkatës ku dhe janë diplomuar. Marrja e licencës profesionale nëse kalojnë provimin e shtetit i lejon këta mësues që aplikojnë për një kontratë pune. Autoritetet e arsimit sqarojnë se është vendosur që testimet për licencat e reja në mësuesi të zhvillohen gjatë tre javëve të para të muajit korrik. Kjo me qëllim që të gjithë arsimtarët që arrijnë të marrin provimin të mund të konkurrojnë për të fituar vendet e lira të punës që do të raportohen nga Drejtoritë Arsimore në të gjitha rrethet e vendit. Sipas planifikimeve të bëra në shumë prej shkollave që janë të mbingarkuara me nxënës parashikohet edhe shtimi i arsimtarëve që do të ndihmojnë në zhvillimin më cilësor të procesit mësimor. Një pjesë e mirë e kandidatëve hyjnë në këtë provim për të dytën apo tretën herë, pasi nuk kanë mundur të kalojnë me sukses testimet e bëra më parë. “Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimet e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit, ju bëjmë me dije se testimet për profesionin e rregulluar të mësuesit, do të zhvillohen gjatë tre javëve të para të muajit korrik në godinën e Agjencisë Kombëtare të Provimeve”, bëjnë me dije burimet zyrtare të kësaj agjencie. Aktualisht po planifikohet edhe kalendari i testimeve që do të kryhen të grupuara për të gjitha profilet lëndorë në të cilat janë diplomuar mësuesit që do të marrin pjesë në këtë testim. Vetëm në rastet kur arsimtarët e rinj do të mund të kalojnë me sukses këtë provim kanë të drejtë të aplikojnë për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit gjatë vitit të ri shkollor si në arsimin e detyruar ashtu edhe në shkollat e mesme.
Sipas të dhënave të detajuara nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, pasi të njihen me kalendarin testimeve që i përket çdo lënde, kandidatët duhet të dinë se në ditën e provimit duhet të paraqiten në këtë agjenci 40 min para fillimit të provimit të shtetit. “Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me letërnjoftim kartë identiteti ose pasaportë, për pjesëmarrje në provimin e shtetit, dokumente të cilat duhet të jenë origjinale. Gjithashtu duhet të kenë edhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP-së, derdhur në një bankë të nivelit të dytë ose në postë”, sqarohet me tej nga AKP. Sipas procedurave të detajuara thuhet se në rastet e ndryshimit të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme: “Ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi, ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimi, si dhe komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.
