Emigrantët, Bushati: Shqipëria në operacionin e NATO-s në Egje

Elton Tafaruci

Shqipëria do të kontribuojë në operacionin detar të NATO-s në Egje për menaxhimin e fluksit migrator, duke dhënë ndihmesën e saj në adresimin e kësaj problematike.

Mbështetjen për këtë nismë e ka dhënë Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, në Konferencën për Siguri dhe Stabilitet, që u zhvillua në Rodos.

Në fjalën e tij mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet hapësira gjeografike e vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Ministri Bushati nënvizoi “se pasojat e kaosit në Jug po shkojnë drejt Evropës Veriperëndimore. Ndaj, si kriza e refugjatëve ashtu dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit dëshmojnë ndërvarësinë e brigjeve veriore dhe jugore të Mesdheut.”

Në punimet e konferencës që u zhvilluan në datat 8-9 shtator morën pjesë Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, kandidate, dhe Vendeve Arabe.

Ministrat e vunë theksin tek rëndësia e respektimit të detyrimeve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në dhënien e ndihmës dhe mbrojtjes ndërkombëtare për refugjatët, forcimin e sigurisë nëpërmjet menaxhimit efikas të kufijve, luftën kundër krimit të organizuar dhe mbështetjen e komuniteteve pritëse dhe vendeve të tranzitit.

Konferenca e Rodosit synon t’i hapë rrugë formimit të një forumi vjetor për dialog, me qëllim krijimin e urave te nevojshme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve që përballen në linjë të parë me fluksin migrator dhe atyre nga gjenerohet ky fluks.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *