Muharrem Xhafa
(Kafe me një mik emigrant)
E njihja prej kohesh! Ai kishte ardhur te shihte njerëzit e tij. Por gjeti kohë e me ftoi edhe mua për një kafe si mik i vjetër!
Nisa, ndërsa pinim kafe, t’i flisja për gjendjen e vendit, po ai me tha se e njihte gjendjen në Shqipëri, ndaj i fola për pak gjëra, duke e vënë theksin te varfëria dhe te shkatërrimi i pasurisë së popullit, vënë kjo me djersën e tij për 50 vjet! Edhe pse dukej që kishte njohje të mirë për emigrantët, unë nuk doja t’i besoja ato që po më thoshte! Më tha se emigrantët janë të përçarë e se atyre nuk mund t’u zihet besë! Ia kundërshtova fort, duke i treguar rastet që unë njoh. Po sërish ai nuk tërhiqej nga çfarë tregonte! Dëgjo, më thoshte, shumë emigrantë, nuk flasin me njeri-tjetrin, as e duan njeri-tjetrin, madje edhe “shpifin” për njeri-tjetrin, janë të ndarë në grupe e grupashe e nuk ka kurrfarë solidariteti midis emigrantëve! Bindu, më theksonte, se borgjezia e vendeve ku punojnë, duke qenë kështu, jo vetëm i shtyp e i shfrytëzon me më lehtësi pa mëshirë, po i përdor edhe si “mish për top”! Çfarë nuk bën ajo në kurriz të emigrantëve!! Po jo vetëm ajo, edhe borgjezia shqiptare! Se ato klane te pista, që veprojnë në Shqipëri, veprojnë edhe në emigracion, janë të lidhur kriminalisht me njeri-tjetrin, në shërbim të së keqes! Më foli se shqipja po harrohet edhe nga të mëdhenjtë, pa lere fëmijët, që nuk dinë të flasin shqip! Për të shkruar jo e jo! Po asimilohemi në mënyrën më të padenjë, o shok, më thoshte! Ato shoqata a organizata të emigrantëve, që ju dëgjoni se veprojnë atje, janë abuzueset me te meëdha në sherbim të kapitalit, jo të shqiptarizmës! A i di shteti shqiptar këto gjera?! – këmbëngulte! A ndjen ky (shteti) ndonjë përgjegjësi për ne emigrantët?! – thoshte i nervozuar! Unë shoh se, bie fjala, emigrantët grekë në Amerikë nuk guxon t’i poshtëroje kush! – shtonte me indinjatë!
Për hir të së vërtetës, për çfarë më foli e kundërshtova jo pak gjatë bisedës; as në fund të saj nuk rashë dakord me gjithë çfarë më tha, ndaj i kërkova me ngulm që të mos i përgjithësonte dukuritë negative të emigrantëve e të emigracionit shqiptar, sepse kanë kultivuar dhe gëzojnë edhe shumë vlera!
Ndonse u tërhoq nga ndonjë doë sektarizmi, si për të më sfiduar, ma ktheu, m’u përgjigj: Koleg, mos harro se ashtu sikurse partitë politike kanë përçarë shqiptarët në Shqipëri, po ashtu ato kane përçarë edhe emigrantet ne vendet ku jetojnë e punojnë! Secili grup, ndarje, “njeh” partinë e tij politike, jo shtetin shqiptar!
Gjithë këto që më tha emigranti mundet mbase të jenë pak ose mundet të ketë në to edhe ekzagjerim, teprime! Po, sidoqoftë, problemi mbetet! S’është çudi qe emigracioni të jetë, qyshse nisi, një strategji e qarqeve antishqiptare për shkombëtarizimin e kombit shqiptar përmes nxitjes se emigracionit masiv! Një tragjedi kjo jo e largët, qe e pret vendin tone!
Shteti duhet t’u kthehet emigrantëve! Ata janë shqiptarë dhe duhet te mbeten në shekuj shqiptarë!