Spanja ka pranuar 40 për qind të emigrantëve të paligjshëm, të cilët kanë tentuar këtë vit të kalojnë Mesdheun për të hyrë në Europë.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Emigracionin (IOM) raporton se, numri thuajse është trefishuar krahasuar me shifrat e një viti më parë.
Spanja ka pritur deri në fund të korrikut 23.741 emigrantë, ndërsa shifra e një viti më parë ka qenë 8.677.
IOM deklaron se Spanja ia ka kaluar edhe Italisë, që është parë deri më tani si destinacion kryesor i emigrantëve të paligjshëm.
“Të ardhurit në Itali kanë shënuar rënie me mbi 80 për qind krahasuar me vitin 2017”, njofton IOM.
Ndërsa numri i personave që kanë hyrë në Greqi është rritur thuajse 50 për qind, me afro 5.000 të ardhur më shumë sesa totali i vitit të kaluar.
Por pavarësisht kësaj, shifrat e IOM-së tregojnë se numri i refugjatëve dhe emigrantëve që hyjnë në Europë nga deti është ulur ndjeshëm.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Emigracionin, 59.271 emigrantë kanë hyrë në Europë deri më datë 5 gusht, ndërkohë që, shifra për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 117 mijë.
Komisioni Europian ka akorduar 30 milionë euro ndihmë për Spanjën, për të përballuar rritjen e fluksit të refugjatëve.
Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, rritja e numrit të emigrantëve nga Afrika nënsahariane në Spanjë vjen si pasojë e vështirësisë për të depërtuar në Europë.
s.a/dita
