Vijon të jetë i lartë tensioni në kufirin italo-austriak pas vendimit të Vjenës zyrtare për të dërguar aty 750 trupa ushtarake.
Autoritetet austriake shprehen se trupat janë të domosdoshme për mbrojtjen e kufirit dhe pengimin e fluksit të emigrantëve, me të cilin po përballet Italia.
Një lëvizje e tillë nuk u prit mirë nga qeveria italiane që thirri ambasadorin austriak për sqarimin e çështjes.
Italia nga ana tjetër ka mbështetjen e Bashkimit Europian, që njoftoi lëvrimin e një fondi ndihme prej 35 milionë eurosh. Brukseli mendon të ndërhyjë duke ndërtuar qendra koordinimi në Libi, që do të funksionojnë si një filtër për hyrjet në Europë, duke ia lehtësuar barrën Italisë. Komisioni Europian pritet të ndërtojë edhe disa zona shpëtimi në Tunizi dhe Libi, ku do të dërgohen emigrantët e shpëtuar në det.
Sipas organizatave ndërkombëtare, mbi 101 mijë emigrantë nga fillimi i këtij viti kanë mbërritur në Europë përmes detit, pjesa më e madhe e tyre, rreth 85%, kanë mbërritur në Itali.
