Emiri i Katarit blen gjashtë ishuj të Greqisë. Sheikh Hamad bin Khalifa Al-Thani ka bërë të vetët ishujt që mendohet se do t’ua dhurojë fëmijëve të tij. Ai ka 24 fëmijë nga tre gratë e tij dhe zona ku ndodhen ishujt është ndër më të preferuarat për pushime për të.
Sipas mediave greke, për ishullin Oksia, me sipërfaqe 500 hektarë, ai ka dhënë 5 milionë euro, ndërsa për 5 ishujt e tjerë që janë vetëm 160 hektarë, ka paguar edhe 3,5 milionë euro të tjera. Të gjithë ishujt ndodhen në lindje të Qefalonisë në detin Jon, pranë Itakës.
Emiri i Katarit ka një pasuri që vlerësohet të jetë mbi 50 miliardë euro. Krahas kësaj, ai është një nga udhëheqësit më liberalë të Gjirit Persik, me lidhje politike dhe biznese në Europë dhe në mbarë botën, përfshirë këtu edhe financimin e televizionit Al Jazeera. Pavarësisht pasurisë dhe pushtetit, ai shpeshherë shfaqet si një njeri i thjeshtë, madje e kanë etiketuar edhe si “emiri me pantofla”, pasi shpesh është parë teksa blen vetë peshqit e tij në tregun vendas në mëngjes kur është me pushime.
Përveç vilave personale, 60-vjeçari Al Thani ka projektuar ndërtimin e një kompleksi turistik. Ai gjithashtu ka premtuar se do të çoje ujë në ishullin e Odisesë, Itakë, për të cilin deri tani asnjë qeveri në Greqi nuk ka ndërtuar një ujësjellës nga zonat përreth.