Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë(5)
Arkivat sekrete ruse
Shqipëria dhe Kosova në arkivat sekrete ruse 1946-1961. Takimi i Nako Spiros më 13 shtator 1947 me diplomatin rus Gagarinov lidhur me evidentimin e një grupi(Mehmet Shehu, Nako Spiro, Liri Belishova, Fadil Paçrami) me prirje kundër jugosllavëve e pro rusëve. Letra e ambasadës ruse në Tiranë më 6 dhjetor 1947 për përplasjet Shqipëri-Jugosllavi dhe stategjia për afrimin e shqiptarëve.
Diplomati rus Gagarinov: Grupi që kryesohet nga Nako Spiro, ku bën pjesë Mehmet Shehu, Liri Belishova, Fadil Paçrami, etj, filluan të orientohen ekskluzivisht drejt njerëzve sovjetikë. Ndonëse, Nako i shikon pozitat e lëkundura, ai dhe bashkëpunëtorët e mësipërm janë duke krijuar në popull opinione negative në lidhje me Jugosllavinë, në favor të afrimit me ne.
(Vijon nga numri i kaluar)
Muajt e fundit të vitit 1947, evidentojnë hapur pakënaqësitë e udhëheqjes shqiptare ndaj Jugosllavisë së Titos. Ndërkohë, diplomatët rus në Tiranë kanë pikasur një grup në udhëheqjen shqiptare (Nako Spiro, Mehmet Shehu, Liri Belishova, etj) kanë prirje pro sovjetike dhe informojnë Stalinin… Sipas dokumenteve origjinale të arkivave sekrete ruse (përfshirë në studimin e Hamit Kabës e Et’hem Çekut), në vazhdim sjellim për lexuesin pjesë nga ditari sekret i sekretarit të Parë të Ambasadës ruse në Tiranë (13 shtator 1947) lidhur me informacionin në Moskë për përkeqësimin e marrëdhënieve të Enverit me Titon dhe shfaqjen e një grupi në udhëheqjen shqiptare me prirje pro ruse…
(Nga ditari i Sekretarit të Parë të Misioni të BRSS në Shqipëri
A. N. Gagarinov. Regjistrim i bisedës me ministrin e Industrisë të Shqipërisë Nako Spiru, mbi procesin gjyqësor ndaj sabotatorëve në industri, mbi kuadrot, rininë dhe situatën në udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare)
Tiranë, më 13 shtator 1947
Sekret
Sot më bëri vizitë Nako Spiru. Biseda u zhvillua rreth tri çështjeve.
I. Nako Spiru mendon se procesi që po zhvillohet në Tiranë, është përgatitur keq. Çështja kryesore qëndron në faktin, se si pasojë e dobësisë së punonjësve, të cilëve u është ngarkuar zhvillimi i këtij procesi, ky i fundit po merr një drejtim të padëshiruar. Del që grupi i kriminelëve që ndodhet në bankën e të akuzuarve, veprimtaria e të cilëve ishte drejtuar kundër interesave të popullit, nuk është grup agjentësh të shitur te anglo-amerikanët, por është një grup që ka zhvilluar një luftë parimore politike kundër regjimit ekzistues. Lidhur me këtë, Nako Spiru, filloi të flasë për Bedri Spahiun.
“Prokurori i Përgjithshëm, Bedri Spahiu është person i dyshimtë. Ne e ndjekim prej kohësh aktivitetin e tij, por tani për tani nuk kemi fakte të mjaftueshme. Ç’është e vërteta, ne kemi marrë njoftim se Bedri Spahiu, jo shumë kohë më parë, vizitoi ish-ministrin e Arsimit Sejfulla Malëshova. Çfarë i duhej Prokurorit të Përgjithshëm nga ky njeri? Kësaj pyetje, tani për tani, ne nuk mund t’i përgjigjemi. Bedri Spahiu ka një ndikim të fuqishëm në ushtri, veçanërisht midis oficerëve. Madje, edhe oficerët e rinj janë të gatshëm ta mbështesin. Disa nga shokët ushtarakë, në veçanti Memet Shehu, na ka thënë se që në vitin 1944 veprimtaria e Bedri Spahiut është armiqësore për ne. Ndërkaq, Bedri Spahiu është figurë tepër e fuqishme, kurse të dhënat tona kundër tij, janë shumë të pakta e të pamjaftueshme për të biseduar me atë shumë seriozisht apo për të marrë ndonjë masë konkrete.”
Ishte e qartë se Nako Spiru, megjithëse një gjë të tillë nuk e shprehu hapur, ka shprehur mendimin se, ata kanë frikë “ta kapin” Bedri Spahiun, pasi ai është tepër i fuqishëm e me ndikim të madh në ushtri. “Në kohën time fillova procesin kundër Sejfulla Malëshovës dhe e çova deri në fund. Tani, e them hapur, që personalisht dal kundër Bedri Spahiut, nuk e di se si do të përfundojë kjo çështje”.
Duke folur mbi qëndrimin e jugosllavëve ndaj procesit, Nako Spiru tha, se tani shokët udhëheqës jugosllavë që punojnë në Shqipëri (Koshmërl, Peroviç), filluan të flasin për faktin se vala e prirjeve anti-jugosllave ishte inspiruar padyshim, nga ata, që tanimë gjenden në bankën e të akuzuarve. Në këtë gjendje të mjegullt, ai (procesi gjyqësor) na krijoi mundësinë për të kuptuar, se jugosllavët kishin bashkuar për tendenca anti jugosllave edhe emrin e tij (të Nako Spirut) me njerëzit, fatet e të cilëve përcaktohen nga ky proces. Në bisedë me shqiptarët, Koshmërl – i ngarkuari me punë i Jugosllavisë – ka hedhur tezën, se Shqipëria është baza kryesore e spiunazhit anglo-amerikan dhe veprimeve (të tij) në Ballkan.
Më tej, Nako Spiru deklaroi: “Gjatë zhvillimit të procesit po dalin persona të rinj, të cilët kanë marrë pjesë në këtë apo atë shkallë në veprimtari antiqeveritare”. Ndër të tjera, ai përmendi mbiemrin Xega (inxhinier në Ministrinë e Industrisë – tashmë është arrestuar), sekretarin e organizatës së partisë së Shkodrës, çështja mbi arrestimin e të cilit tashmë është vendosur. Në lidhje me Bonatin (punonjës i misionit francez në Tiranë) Nako Spiru deklaroi: “Organet tona kanë bërë gabim të madh që nuk kanë marrë masa aktive për arrestimin e tij, para publikimit të emrit të tij në këtë proces. Tani, Bonati fshihet dhe ne nuk dimë ku gjendet, ndoshta, në godinën e misionit francez, apo në godinën e misionit amerikan. Pra, arrestimi i Bonatit nuk mund të realizohet”. Nako Spiru u shpreh shumë i pakënaqur që gjatë zhvillimit të procesit (gjyqësor) po del se gjoja, sabotatorët kanë mundur të bëjnë shumë në fushën e industrisë. “Mund ta vërtetoj me fakte, se synimet e sabotatorëve në fushën e industrisë nuk u realizuan. Por sipas procesit, po del se ata i kanë arritur synimet e tyre dhe rrjedhimisht, unë si drejtues i industrisë mbaj përgjegjësi direkte për këtë. Do të ishte e drejtë që gjatë procesit të tregohej që sabotatorët kishin synimet e tyre, por ato nuk patën rezultat”.
Nako Spiru më tregoi një fakt interesant për Dali Ndreun, ish-anëtar i KQ të Partisë Komuniste Shqiptare, i cili u përjashtua nga radhët e Komitetit Qendror në gusht të këtij viti. Ky i fundit, gjoja ka marrë pjesë jo vetëm në mbledhjet e Sheh Karbunarës, por edhe ka diskutuar me të për domosdoshmërinë, që së bashku të kalojnë në ilegalitet. Kur Dali Ndreu shkoi për bisedime me Sheh Karbunarën, për ta bindur këtë të fundit, se ai vepron bashkërisht me këtë grup, vuri në dispozicion të delegacionit makinën e vet personale. Dali Ndreu e paraqiti çështjen në mënyrë të tillë, që në fillim duhej të kalonte në ilegalitet Sheh Karbunara e më pas ai, Dali Ndreu. Ndryshimi i situatës bëri që këto synime të mos realizoheshin. Ai, përmendi gjithashtu se, nga materialet e hetimit u bë e qartë se zbulimi anglo-amerikan, duke ditur një lloj pakënaqësie të Mehmet Shehut (Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare) dhe luhatjet e marrëdhënieve të tij me udhëheqës të shtetit shqiptar e vartësit e tij, me shumë këmbëngulje “zgjodhi çelësin e përshtatshëm” për këtë njeri. U interesua nëse ka lakmi për para, ose nëse ka mundësi që të blihet me ndonjë lloj mënyre, duke qenë i njohur me faktin, se në kohën e tij, Mehmet Shehu kishte qenë dëgjues i Shkollës Teknike, që kryesonte Fulci (shkollë që përgatiste spiunë të kualifikuar).
II. Në mënyrë të veçantë Nako Spiru u ndal në çështjen e gjendjes ekonomike në vend, mbi emërimet e kuadrove. Ai u shpreh, se “organizatat lokale të fshatit e qytetit janë mbushur plot me njerëz të paaftë e elementë të huaj. Pavarësisht se kjo gjë është tejet e qartë, me këtë punë nuk po merret askush dhe nuk është marrë asnjë masë konkrete për rregullimin e gjendjes. Gjatë kësaj periudhe kanë dalë njerëz të mirë e energjikë, veçanërisht nga rinia, të cilët mund të zëvendësojnë me sukses në organizatat lokale ata, të cilët ose nuk mund të realizojnë punët për shkak të aftësive të kufizuara profesionale, ose sabotojnë si njerëz me tendenca armiqësore. Organizatat e partisë në terren, si pasojë e dobësisë së punonjësve drejtues të tyre, të cilët jo vetëm që nuk e njohin gjendjen e vërtetë të situatës në terren, për mungesë komunikimi me popullin, por nuk njihen as me punën e shokëve drejtues vendorë. Emërimi i kuadrove sipas meritave dhe aftësive për zëvendësimin e njerëzve të paaftë, apo me prirje armiqësore ndaj nesh, tash për tash, është një çështje me rëndësi kryesore, nga i cili varet realizimi i planit, dhe realizimi i të gjithë detyrave që qëndrojnë para nesh, me qëllim ecjen përpara në rrugën e demokracisë”. “Kam guximin, – tha Nako Spiru, – të deklaroj se tek ne (kuptohet qartë që bëhet fjalë për organet e larta të partisë e qeverisë) nuk e kuptojnë të gjithë seriozitetin e këtij problemi. Si rezultat del se me fjalë dhe sipas informacioneve gjendja aktuale ekonomike është e mirë, kurse në të vërtetë ajo është keq. Kështu është puna me drithin – me mbledhjen e dorëzimin e tij shtetit; kështu është puna me kantieret tona të ndërtimit, duke përfshirë ndërtimin e rrugës Durrës-Elbasan”.
III. Nako Spiru shfaqi rezervat e tij të mëdha, në lidhje me trajtimin që i bëhet rinisë. “Unë mendoj, tha ai, se rinia jonë, në supet e së cilës faktikisht ra barra e gjithë Luftës Nacionalçlirimtare, përfaqëson në vetvete një bagazh të mrekullueshëm e një forcë kryesore lëvizëse”. Ai, shprehu këto rezerva edhe për faktin se rininë nuk po e çojnë përpara, nuk e mësojnë, nënvlerësohen forcat e aftësitë e saj, injorohet mendimi i saj, që shprehet përmes organit të saj qendror, nuk merren parasysh idetë që rinia, duke pasur kontakt direkt me popullin, i bën ato publike. Midis shumë punonjësve drejtues ekziston një kuptim jo i drejtë i konceptit, që “komsomoli është një organizatë më vete, e pavarur, dhe prandaj disa e konsiderojnë të nevojshme të kërkohen veprime konkrete e të pavarura nga organizatat e komsomolit, duke harruar faktin se në terren, në shumë rajone faktikisht e gjithë veprimtaria e organizatave të partisë bie mbi supet e përfaqësuesve të rinisë”. “Unë e kuptoj këtë punë, – tha ai, – se fillesa e vetme organizative në vend është Partia jonë Komuniste dhe organizmat e saj në terren. Veprimet e organizatave të tjera, duke përfshirë edhe komsomolin, duhet të koordinohen nga një qendër e vetme – nga Partia”. Si shembull i mospërfilljes ndaj disa problemeve, të cilat ngrihen nga organizatat e rinisë, Nako Spiru solli shembullin, se, kur Liri Belishova iu drejtua Enver Hoxhës me një letër-kërkesë për t’u marrë e zgjidhur disa probleme të fiskulturës, kjo letër-kërkesë i kaloi për shqyrtim e zgjidhje sekretarit të Frontit Demokratik Hysni Kapo! (njeriut që ishte aq larg njohjes e si pasojë zgjidhjes së këtyre problemeve). “Mua më duket, – u shpreh Nako Spiru, – se Enver Hoxha nuk është i informuar krejtësisht mbi ngjarjet dhe gjendjen faktike në terren. Informacioni i shtrembëruar, që e ka fillesën e vet në organizatat bazë, i bazuar në dëshirën për ta zbukuruar paksa gjendjen reale, transmetohet gjithnjë e më lart. Si pasojë, Enver Hoxha merr informacion tendencioz nga persona të interesuar për një gjë të tillë dhe konkluzionet e tij i mbështet vetëm mbi këto informacione”. “Kjo është situatë e rrezikshme, – tha Nako Spiru, – e mbarsur me pasoja të mëdha”.
Duke kujtuar, mesa duket, mëkatet e tij në të kaluarën, Nako Spiru shprehu mendimin se, vlerësimi i njerëzve duhet bërë jo në varësi të gabimeve të tyre të kaluara, por në varësi të veprimtarisë së tyre në kushtet e një regjimi të ri. Ai, pa e fshehur, foli mbi faktin, se Pandi Kristo, drejtues i Komisionit të Kontrollit, zhvillon një farë pune kundër tij. Duke folur për Pandi Kriston, ai u shpreh se “ky njeri, pavarësisht se në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare ishte sekretar organizate partie dhe duhej të drejtonte e të organizonte masat në luftën kundër okupatorit, në ditët më të vështira maskohej me detyrën e ordinancës në shtab, kurse tani i është dhënë e drejtë e pakufizuar për të kontrolluar të gjithë, përfshi këtu edhe kuadrot drejtuese, madje edhe ata me merita të veçanta (Mehmet Shehu e Nako Spiru)”.
Duke folur mbi qëndrimin e jugosllavëve ndaj tij, Nako Spiru tha: “Ata përpiqen ta paraqesin çështjen në mënyrë të tillë, se për gjithçka që nuk shkon mirë në fushën ekonomike, përgjegjësia është vetëm e tij. Përpiqen të justifikojnë të gjithë kuadrot e tjerë drejtues, të cilët punojnë në fushën e industrisë. Në rast se ndonjë prej tyre (përveç Nako Spirut) qëllon të paraqesin ndonjë problem gjatë ushtrimit të detyrës, jugosllavët menjëherë luajnë rolin e të habiturit – gjoja se ky problem nuk është ngritur më parë dhe aq sa kanë mundësi, përpiqen që ta zgjidhin atë, pra është e qartë tendenca për të hedhur sa më shumë dyshime për aftësitë drejtuese të Nako Spirut, si funksionar i industrisë dhe në të njëjtën kohë, për të tërhequr në anën e tyre të gjithë të tjerët”.
Siç kuptova nga zhvillimi i bisedës me Nako Spirun, para pak kohësh ai kishte patur një takim serioz pune me Enver Hoxhën, dhe, me sa duket, përmbajtja e përgjithshme e bisedave të zhvilluara në atë takim, situata nuk ishte në favor të N. Spirut. Shkarazi ai u shpreh se Enver Hoxha hodhi poshtë shumë argumente, në veçanti mbi problemet e kuadrit dhe qëndrimet e partisë ndaj komsomolit. Mund të kuptohet që kjo bisedë kishte ngjallur dyshim e alarm tek Nako Spiru. Në qoftë se këtu do të shtojmë se me Vendim të Këshillit të Ministrave me cilësinë e zëvendës Ministrit të Industrisë nuk u emërua personi i propozuar nga Nako Spiru (Ministër i Industrisë), atëherë mund të kuptohet qartë që midis Enver Hoxhës dhe Nako Spirus kanë lindur disa divergjenca.
Tani ai, përveç gjithçkaje tjetër, e ndjen se jugosllavët po bëjnë një farë pune në mënyrë që ta “djegin” atë, e në veçanti ai konsiderohet si një nga iniciatorët e krijimit të “frontit antijugosllav”. Procesi i sabotimeve në ekonomi e industri mori një drejtim të tillë, ku nuk përjashtohet mundësia që Nako Spiru, si drejtues i lartë i industrisë, do të akuzohet nga opinioni i gjerë shoqëror si përgjegjësi kryesor.
Mua, m’u krijua një përshtypje e tillë se Nako Spiru kohët e fundit, po fillon të ndjejë frikë për fatin e tij të mëtejshëm. (E gjithë puna është se, e kaluara e tij, nuk është fort e pastër. Thonë, se ai ka qenë drejtues i organizatës së Rinisë Fashiste në Durrës dhe se duke qenë në këtë pozicion, ka vizituar edhe Italinë në kohën e luftës). Ndoshta ky është shkaku i vërtetë i debatit të tij me Enver Hoxhën.
Sekretari i Parë i Misionit të BRSS në RP të Shqipërisë.
A. Gagarinov
(Burimi:SF VE, T.I, AVP RF, F. 067, Op. 15, P. 106, D. 9, L. 55- 60. Nr. 173. Origjinal)
* * *
(Letër e V. Popoviçit drejtuar A. A. Zhdanovit, mbi pozicionin
e grupit të Nako Spirut)
Moskë, më 6 dhjetor 1947
Sekret
Shokut A. A. Zhdanov, sekretar i KQ të PKS (b)
I dashur shoku Zhdanov!
Mbi bazën e bisedës, që unë pata nderin të bëj me ju më 4 të këtij muaji dhe kërkesës suaj për sqarime, në të cilën thuhej: “Për cilin bashkëpunëtor të misionit tonë në Tiranë me të cilin mban kontakte Nako Spiru, bëhet fjalë – që siç duket, ky i fundit, u përpoq t’i shfrytëzonte për qëllime personale”. Sipas të dhënave që disponoj, mund t’ju jap Juve përgjigjen e mëposhtme:
Duke bërë një luftë sistematike, për largimin e punëtorëve nga KQ i Partisë Komuniste Shqiptare si Koçi Xoxe, etj., i cili faktikisht, është themelues i Partisë Komuniste Shqiptare, grupi me në krye Nako Spirun u përpoq të mbështetej tek ne për këtë çështje. Për shembull, kur Nako Spiru zhvillonte bisedime në Beograd për përfundimin e marrëveshjeve ekonomike, ai iu drejtua një shokut tonë, oficer, duke i thënë që, ai është për nënshkrimin e tyre, por kishte marrë telegram nga Enver Hoxha që të mos i nënshkruante ato. Por, siç e dini ju traktati u nënshkrua. Shembulli dy: Nako Spiru mori nga arkivi tepër sekret i Byrosë Politike të KQ, një nga fjalimet e shokut Enver Hoxha, për të cilin mendonte se përbënte interes për ne, dhe ia dha atë të dërguarit tonë në Tiranë.
Kur e ndjeu, se shokët tanë e kuptuan qëllimin e tij, duke i hedhur poshtë me zemërim veprimet e tij, ai u përpoq që të lidhej më fort me misionin tuaj dhe në përgjithësi me njerëzit tuaj që ndodhen atje.
Grupi me Mehmet Shehun, Liri Belishovën, Fadil Paçramin dhe me në krye Nako Spirun, filluan të orientohen ekskluzivisht drejt njerëzve sovjetikë. Është karakteristike, se ata filluan të bëjnë një politikë të tillë njëkohësisht me propagandën kundër të gjithë njerëzve tanë që ndodhen atje, duke krijuar në popull opinione negative në lidhje me Jugosllavinë. Nako Spiru frenoi realizimin e marrëveshjeve ekonomike midis dy vendeve tona, me mënyra nga më të mundshmet. Kur, për shembull, specialistët tanë propozuan disa masa, ata mbajtën qëndrim përbuzës ndaj këtyre propozimeve dhe i penguan takimet e specialistëve tanë dhe tuajt. Është karakteristike të thuash, se metodat e veprimtarisë të këtij grupi për të gjitha çështjet e ngritura ishin identike me metodat e zbulimit anglo-amerikan.
Kur instruktori ynë i KQ, vuri në dukje në seancën e Byrosë Politike të KQ të PKSH* veprimtarinë jo të drejtë e të dëmshme të disa anëtarëve të KQ, pozicionin e tyre jo të drejtë dhe të palejueshëm, që ata kishin zënë ndaj Jugosllavisë, dëmin që i sjell interesave të popullit shqiptar ndjekja e një politike të tillë, kur ai vuri në dukje se fajtori kryesor për këtë është Nako Spiru dhe grupi rreth tij, atëherë, Nako Spiru kërkoi që t’i lihen 24 orë për t’u menduar. Menjëherë pas seancës, ai vizitoi të Ngarkuarin Tuaj me punë në Tiranë, sekretarin e misionit shokun Gagarinov. Pas bisedës me te Nako Spiro iu lut Byrosë Politike, që t’i jepte edhe 5 ditë afat për t’u menduar. Pas kësaj, ai sërish donte të vizitonte shokun Gagarinov, por ai nuk e priti, duke thënë se është i sëmurë.
A do ta kishte vizituar Nako Spirun shokun Gagarinov në qoftë se aty do të ndodhej i dërguari juaj shoku Çuvashin, a ishte shoku Gagarinov i emëruar zyrtarisht për të mbajtur kontakte me të, këtë nuk e dimë, nuk i hymë kësaj çështje dhe nuk kemi për këtë asnjë të drejtë.
Nuk e di, nëse ju kënaq përgjigja për pyetjen e bërë nga Ju, por kjo është gjithçka që di lidhur me të. Në plotësim të përgjigjes time, ndoshta, Juve mund t’ju shërbejë teksti i letrës që Nako Spiru la për shokun Gagarinov. Lidhur me çështjen mbi specialistët e naftës ende nuk kam marrë përgjigje nga Beogradi sepse, siç e dini Ju, shokët tanë përgjegjës nuk ndodhen aty. Shfrytëzoj këtë rast për t’ju dëshmuar nderin tim të thellë dhe besnikërinë.
V. Popoviç
(Burimi:Sf ve, t. I, RGASPI, F. 77, Op. 3, D. 99, F. 3-5. Nr. 181. Origjinal).
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Arkivat sekrete ruse. Biseda e A.I. Lavrentjev me J. B. Titon, mbi marrëdhëniet e Jugosllavisë me Shqipërinë, Bullgarinë, Hungarinë dhe Rumaninë.
-Letrën e D. S. Çuvahinit drejtuar V.M. Molotovit, mbi gjendjen në Partinë Komuniste Shqiptare.
-Letërkëmbimi sekret i Stalinit me të ngarkuarit e tij në Shqipëri për inkurajimin e krahut dominues në Shqipëri që kryesohej nga Enver Hoxha për largimin nga Jugosllavia e afrimin me Bashkimin Sovjetik.
