Shumë shpesh ato që luajnë kundër suksesit tonë janë emocionet e menaxhuara keq. Ken Linder, agjent hollivudian dhe drejtues i shoqatës “Life-Chioce Psycolog”, me librin e tij “Your Killer Emotions” na mëson se si t’i shndërrojmë emocionet në pikën tonë të forcës
Zyrat, kompanitë dhe vendet e punës, në përgjithësi, sot janë ambiente shumë më miqësore se njëherë e një kohë. Në Perëndim menaxherë, drejtues zyrash apo punonjës të thjeshtë ftohen nga vetë kompanitë ku punojnë që të marrin pjesë në kurse formimi të cilat i ndihmojnë për të përdorur emocionet e tyre në mënyrë pozitive. Kësisoj ata mësojnë të manovrojnë zgjidhjen e problemeve me kolegët dhe përmirësojnë aftësitë profesionale. Kompani si ‘Google’, ‘Facebook’, ‘LinkedIn’ përveç se propozojnë seminare me tema se si të komunikohen emocionet, të vendosen raporte bashkëpunimi dhe pavarësie apo se si të menaxhohen frustrimet në vendin e punës, kanë vënë në dispozicion të çdo stafi një “trajner emocionesh” që i mbështet në progreset dhe regreset në punë.
Nëse zemërimi, turpi, ndrojtja, refuzimi, zhgënjimi dhe frustrimet përballohen në mënyrë negative, mund të dëmtojnë rëndë karrierën. Këtë e shpjegon edhe menaxheri i njohur hollivudian Ken Linder në librin e tij “Your Killer Emotions” (Emocionet e Tua Vrasëse). “Emocionet në vetvete nuk janë as pozitive as negative. Janë reagimet tona që ndryshojnë rrugëtimin e jetës sonë private dhe asaj profesionale”, shkruan Linder. Shumë shpesh ankthi, frika, ndjesia e kërcënimit se mund të humbim diçka të rëndësishme, e çojnë secilin prej nesh që të gjejë zgjidhje të dobishme duke marrë parasysh pasojat afatgjata të veprimeve tona. “Në konsultimet e mia të shumta, – vazhdon agjenti, – kam konstatuar se pjesa më e madhe e personave vendosin në rrezik karrierën e tyre sepse janë shumë të shqetësuar se si të kontrollojnë gjërat që nuk janë në varësi të tyre, si kolegë, klientë apo jetën në përgjithësi, duke mos i kushtuar rëndësi atyre që mund të kontrollojnë: emocionet”.
Sipas Linder, ankthi mund të kthehet në një aleat të mirë nëse kthehet në efiçencë. Po ashtu edhe zemërimi, nëse përdoret për të shtuar vrullin për punë, për të përmirësuar aftësitë apo për të arritur një ngritje në detyrë. Po kur na errësohet arsyeja si duhet të veprojmë? “Gjatë konferencave të mia iu mësoj ndjekësve një teknikë që quhet ‘Consequence Cognizant’, pra aftësinë për të vizualizuar objektivin dhe mënyrën për ta arritur atë. Kur gjendemi në situata emergjente duhet të sforcohemi që t’i rikthehemi objektivit. Nuk është e pamundur, duhet vetëm të edukojmë mendjen, të sillemi si një atlet që stërvitet çdo ditë dhe disiplinon veten për të arritur në Olimpiadë”. Linder shpjegon se për të pasur sukses në këtë metodë është e nevojshme të kihen parasysh tre pika: objektivi, personi që dëshirojmë të bëhemi dhe të përqasja e emocioneve me vende dhe situata që stimulojnë e frymëzojnë rritjen tonë individuale dhe profesionale.
“Pasi të kemi identifikuar këto tri pika dhe të kemi mbledhur bagazhin tonë me emocione, atëherë mund t’i përvishemi punës duke shmangur mungesën e vetëvlerësimit e cila ndikon në zgjedhjet tona të rëndësishme. Kur një person është i ndrojtur sa herë që ka një mbledhje me eprorin apo një përballje me kolegët e tij, e ka të vështirë të ndajë nevojat dhe opinionet e tij, prandaj duhet të mendojë se opinionet dhe kërkesat e tij janë më të rëndësishme se gjithcka tjeter dhe shërbejnë për të ndryshuar situatën. Pikërisht te ky mendim qëndron e gjithë forca”, përfundon Linder. /D.Gjuzi
