Emrat e komisioneve parlamentare, Meta: Konsensus, miratohen nesër

redaktor

Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta thirri dje mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, që u zhvillua vetëm mes tij dhe krerëve të grupeve kuvendore. Në përfundim të mbledhjes, Meta bëri të ditur se seanca e radhës plenare do të zhvillohet ditën e enjte për të konfirmuar përbërjen 8 komisioneve të përhershme, Byrosë si edhe delegacioneve në organizmat ndërkombëtarë. Ai sqaroi se pavarësisht diferencës në numra, komisionet do të ruajnë balancën politike. “Në takimin që kemi zhvilluar sot (dje) paradite me kryetarët grupeve parlamentare kemi rënë dakord që, seanca plenare të zhvillohet të enjten paradite. Natyrisht që me konsensus kemi rënë dakord edhe për rendin e ditës, i cili në thelb ka të bëjë me konstituimin e komisioneve të përhershme të Kuvendit, me drejtimin e tyre, me përbërjen e tyre, në përputhje me Rregulloren dhe njëkohësisht dhe me përbërjen e Sekretariateve dhe të delegacioneve të përhershme të Kuvendit të Shqipërisë dhe natyrisht dhe me miratimin e Zëvendëskryetarit të ri Kuvendit, propozuar nga ana e mazhorancës, z.Dule. Ka qenë një takim i cili është bazuar në vullnetin e krijimit të hapësirave maksimale për të gjitha këto dhe, në veçanti për opozitën gjë që reflektohet në konsensusin që është dhënë nga ana e mazhorancës me kohë, që pavarësisht rapor-teve elektorale të shprehura edhe në Parlament, ku mazhoranca aktuale është ndjeshëm më e madhe se mazhoranca e mëparshme; lidhur me drejtimin e komisioneve të përhershme, do të ruhet raporti i mëparshëm pasi Partia Demokratike ka bërë tri propozimet e saj për kryetarët e komisioneve”, – theksoi Meta. Me propozim të Partisë Socialiste është vendosur që Fatmir Xhafaj do të drejtojë Komisionin e ligjeve, Arta Dade atë të Politikës së Jashtme, Erjon Braçe, komisionin e Ekonomisë, Eduard Shalsi atë të Veprimtarisë Prodhuese. Nga LSI-ja do të drejtohet vetëm Komsioni i Sigurisë Kombëtare me Spartak Brahon. Ndërsa Partia Demokratike do të jetë në krye të Komisionit të Medias me Genc Pollon, tek Integrimi, Majlinda Bregu dhe Albana Vokshi Komisionin e Shëndetësisë.

VENDIMET E BERISHËS

Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare e mbledhur dje për më shumë se 1 orë, nuk përcaktoi se me ç’ligje këto komisione do të nisin punën. Qeveria “Berisha” ka lënë gati për miratim për Kuvendin e ri mbi 16 projektligje, po ashtu dhe kabineti Rama ka miratuar disa të tjerë. Por sipas kryetarit të kuvendit, Ilir Meta, kalendari i punimeve do të kordinohet me Këshillin e ri të Ministrave. “Do të veprohet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe me kompetencat që na jep kjo Rregullore me transparencë të plotë, natyrisht edhe në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, përsa i takon rendit të ditës të Parlamentit. Por sikurse jua thashë, në radhë të parë na duhet të përfundojmë miratimin e të gjithë këtyre projektvendimeve që kemi diskutuar sot (dje) në mënyrë që, të kompletohen të gjitha institucionet që drejtojnë Kuvendin dhe komisionet e tij që Kuvendi të fillojë punë me kapacitet të plotë 100%, në drejtim të përmbushjes së atyre objektivave për të cilët funksionon ky Kuvend dhe janë betuar forcat politike që përfaqësohen”, – tha Meta. I pyetur në lidhje me vendimin e qeverisë së kaluar për godinën e SHQUP-it, Meta tha: “nuk është kjo, çështja më e rëndësishme që preokupon as Kryeministrin Rama, as mazhorancën, pavarësisht nga problemet e kontestimet për vendimin në fjalë, që është marrë. Unë jam i bindur që kjo qeveri dhe kjo mazhorancë janë të orientuar qartë tek përmbushja e axhendës evropiane”, – deklaroi Meta.

DREJTIMI I TETË KOMISIONEVE TË PËRHERSHME PARLAMENTARE
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Kryetar – Fatmir Xhafaj (PS)
Zv/kryetar – Oerd Bylykbashi (PD)
Sekretar – Armando Subashi (PS)
Komisioni për Sigurinë Kombëtare
Kryetar – Spartak Braho (LSI)
Zv/kryetar – Flamur Noka (PD)
Sekretar – Pirro Lutaj (PS)
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
Kryetar – Erjon Braçe (PS)
Zv/kryetar – Ridvan Bode (PD)
Sekretar – Anastas Angjeli (PS)
Komisionit për Politikën e Jashtme
Kryetar – Arta Dade (PS)
Zv/kryetar – Aldo Bumçi (PD)
Sekretar – Namik Dokle (PS)
Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
Kryetar – Albana Vokshi (PD)
Zv/kryetar – Klodiana Spahiu (PS)
Sekretar – Vangjel Tavo (LSI)
Komisioni për Integrimin Europian
Kryetar – Majlinda Bregu (PD)
Zv/kryetar – Taulant Balla (PS)
Sekretar – Monika Kryemadhi (LSI)
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin
Kryetar – Eduard Shalsi (PS)
Zv/kryetar – Genc Ruli (PD)
Sekretar – Robert Bitri (LSI)
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Kryetar – Genc Pollo (PD)
Zv/kryetar – Alfred Peza (PS)
Sekretar – Mimoza Hafizi (PS)

GSH

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *