Para se të konkurrojnë për licencën, qindra profesionistë të rinj të infermierisë, logopedisë, fizioterapisë, teknikës së imazherisë dhe laboratorit, duhet të kalojnë testin e praktikës që do të zhvillohet në datat 20-26 tetor, sipas një grafiku të përcaktuar për secilin specialitet. Pasi kanë verifikuar shlyerjen e detyrimeve të praktikës profesionale për secilin kandidat, drejtuesit e Urdhrit të Infermierit, kanë zbardhur listën e 744 kandidatëve që kanë të drejtë të kalojnë në testin e praktikës, duke specifikuar edhe datat se kur secili prej tyre duhet të paraqitet për të dhënë këtë provim.
Kalendarin e plotë të testimit për kandidatët e të 6 specialiteteve mjekësore e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Ekspertët e këtij institucioni bëjnë me dije se: “Duhet të kontrolloni me kujdes emrin tuaj në profesionin përkatës për t’u njohur me datën tuaj të provimit, ditë në të cilën duhet të keni detyrimisht me vete kartën e identitetit, kartën e praktikantit, si dhe një përparëse të bardhë”. Nëse nuk përmbushni këto kritere të përcaktuara, ju nuk keni të drejtë që të jepni provimin përkatës, duke mbetur kështu edhe jashtë garës së fundvitit për sigurimin e licencës profesionale. Provimi i praktikës konsiderohet i kryer vetëm pas vlerësimit pozitiv të dhënë nga komisioni. Konkretisht, testimi i aftësimit praktik cilësohet pozitiv, nëse kandidati është vlerësuar me 50-100 pikë.
Ndërsa ata që do të marrin më pak pikë se sa ky kufi i përcaktuar, duhet që të japin nga e para provimin, por për këtë duhet të presin sezonin e vitit të ardhshëm kur do të zhvillohen testimet e radhës të praktikës profesionale. Hyrja në provimin e praktikës lejohet deri në pesë herë. Nëse kandidati do të dështojë edhe herën e pesat, ai nuk mund të ushtrojë më profesionin përkatës. Autoritetet e këtij urdhri shtojnë se vetëm kandidatët që do të kalojnë me sukses provimin e praktikës do mund të hyjnë në sezonin e radhës të provimeve për licencat e reja që pritet të zhvillohet në mbyllje të këtij viti.
Gjithashtu janë me qindra kandidatët e tjerë që i kanë shlyer detyrimet e praktikës në sezonet e shkuara, por që janë në pritje të sezonit final të testimeve të fundvitit për sigurimin e licencës, nëpërmjet të cilës më pas do mund të konkurrojnë për vendet e lira të punës në qendrat mjekësore, poliklinika dhe spitale, në sektorin publik dhe atë privat.
Lista e kandidateve per teknik imazheri
Lista e kandidateve per logoped
Lista e kandidateve per infermier
