Vilson Haxhiu është pronari i pasurive me vlerë 670 mijë euro të cilat policia e shtetit deklaroi se janë sekuestruar ditën e sotme në Kurbin, shkruan “Panorama”.
Policia e Lezhes
Mësohet se pas një hetimi të ka nisur në Mars 2017, është bërë sekuestrimi i pasurive të shtetasit Vilson Haxhiu, i cili rezulton se ka precedentë penalë jashtë Shqipërisë.
Hetimi i nisur 6 muaj më parë është finalizuar së fundi me identifikimin e pronave në emër të të dyshuarit.
Në një deklaratë ditën e sotme Policia e Lezhës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, deklaruan se kanë sekuestruar vila, njësi tregtare dhe automjete.
Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë dhe automjetet e mëposhtme:
a) 2 njësi tregtare ( ambiente biznesi bar kafe & parukeri)
b) 2 godina banimi ( 1 vilë 3 katëshe & 1 apartament 80 m2)
c) 1 sipërfaqe toke rreth 15 000 m2
d) 5 automjete luksoze ( me vlera monetare të konsiderueshme )
Vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 670 000 Euro.
Policia deklaroi se ndaj këtij shtetasi ka dyshime nga partnerët, se është i përfshirë në aktivitet kriminal për shfrytëzim prostitucioni në Milano – Itali dhe për trafik të narkotikëve në Francë dhe Belgjikë.
