Ëndërr…

J L

Ëndërr, o moj ëndërr,

Gjumin se ç’ma prishe

M’i përplase krahët

Si një dallëndyshe.

 

Si një dallëndyshe

Mu në zemrën time,

Obobo ç’u tretën

Ato ëndërrime…

 

Tani që u zgjova

S’heq aspak me zemër

E ndiej veten time

Më mirë se në ëndërr.

 

Nektari i jetës

Më rrjedh nëpër deje

Ëndrra më e bukur

Nuk vlen para teje.

 

Nuk vlejnë sa ti

As lulet e njoma,

Se ti je e gjitha

Fllad edhe aroma.

 

O-po ç’më verbove

Me dritë rrufeje

S’ka më ëndërrime

Kush jeton pranë teje.

 

Ëndërr, o moj ëndërr,

O shkumë sapuni,

Tani që më zgjove

Nuk më zë më gjumi.

 

Kush jeton pranë teje

S’pyet më për ligjet;

O do rrojë gjith’jetën,

O në çast do digjet.

20.03.2007

 

Motiv popullor…

 

-Duro, moj zemër e gjorë

Si durojnë malet me borë!…

 

-S’duroj dot se jam sëmurë

Si malet nuk jam me gurë;

 

Jam si valëza në lumë;

Jam si vesë e jam si shkumë…

 

Jo, mor, jo, nuk jam si mali,

Jam thërrmuar si kristali!…

Stamboll, 5.11.2004

 

Pa titull…

 

1.

Zot, o Zot, sa jam i lodhur

Shumë kam mbjellë e pak kam korrur!…

Mbolla shumë e në çdo stinë,

Dhe jo vetëm një lëndinë!…

 

2.

Shumë lëndina mbolla herët

Erdhën i korrën të tjerët

Eh, ç’më gjeti, Zot, o Zot,

Mbolla shumë e s’korra dot!…

 

3.

Mbolla, po mbeta i varfër

Se s’m’u ndodh, për dreq, një drapër.

Më dëgjo, po mos e fol

S’kam të blej një arkivol!…

 

4.

Ndaj do rroj sa një gogol,

S’kam ku shkoj pa arkivol

Se unë s’jam e s’jam një horr

Arën e tjetrit të korr!…

Kafe “Sofja”, 18.02.2009

Share This Article
2 Comments
  • Plaka Areti
    eshte e shqetesuar,
    C’te me kete Beni,
    pse kaq i helmuar

    Aretia plake-
    dite numeruar,
    pse me shume me mpak,
    Ben i argjenduar

    Ty te duam bir
    per sot e per neser,
    Aretia plake,
    s’te nderron me tjeter.

    Bir i asaj meme,
    qe e desh nje bote
    Me femije- lisa,
    Mundi s’i shkoi kot

    Mal me je, o bir,
    kurre i thermuar.
    Se librat e tua,
    s’kane te shteruar

    Ne mbete i varfer
    e di Aretia.
    Por sojin s’e shkele,
    Ku ka si sojllia!

  • 30 vite mashtrime të njëjtit popull nga të njëjtët politikanë!
    Të jemi kaq idiotë vallë?

    Në kohët që po kalojmë,
    situata është e vështirë,
    premtimet tona dallojnë,
    për një jetë më të mirë.

    PPP të gjitha do i heqim,
    të gjithë do i punësojmë,
    qejfin e armiqve do ndreqim,
    askënd nuk do harrojmë.

    Do ju vëmë më pak taksa,
    do paguani më shumë nën dorë,
    rroftë informaliteti e korrupsioni,
    kur të marrim pushtetin në dorë.

    Do të hani të gjithë me lugë floriri,
    nëse ndonjë grimcë për ju tepron,
    ne do shtojmë vilat dhe luksin,
    supermakina bythën na rehaton.

    Na duhen edhe nja 10 tualete,
    përkatësisht për çdo shtëpi,
    një rosario kot varur në qafë,
    do ju ndërtojmë plot xhami.

    Nëpër media si gjithmonë,
    veç sorrollatje me sofizma,
    debate shterpë propagandë,
    ku do punësojmë ca ministra?

    Po nuk ua zgjidhi hallet partia,
    shkoni lutuni Zotit në kishë,
    fukarenjtë e pafatë jeni ju,
    ne kemi lindur me këmishë.

    Do bëjmë gjithshka për pushtetin,
    ju si gjithmonë do mbani rrotën,
    kur u ndanë këto na ranë,
    a do ma jepni mua votën?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *