Ëndrra druide

J L

Moikom Zeqo

 

Skicë për Lisin e Dodonës.

Lisi profetik i përmendur nga Homeri dhe Herodoti.

Dihet se kultet e hershme të drurëve janë zanafilla e shumë arteve dhe parashikimeve.

Dodona i kishte femra priftëreshat e shenjta të kushtuara Lisit.

Ato studionin lëvizjen e  gjetheve, të zogjve por njohnin dhe zhvendosjen simetrike të yjeve në ndryshimet asimetrike të reve.

Këto femra binin në ekstazë pasi dëgjonin pyetjet e njerëzve që kërkonin të dinin fatin e ardhshëm.

Ato jepnin përgjigjet me vargje poetike, me një kuptimshmëri të dyfishtë, plot metafora misterioze, ç’ka të kujton lindjen e surrealizmit shumë më përpara sesa Andre Bretoni të bënte traktatet e tij të bujshme dhe tendecioze.

Është fakt që profecitë e Lisit të Dodonës kishin një autoritet gati absolut, qenë referenca të pakundërshtueshme të antikitetit pagan.

Kulti i drurëve njihet nga mitologët me emrin druidizëm.  Këtë kult e ushtronin ilirët dhe keltët.

Tek keltët fallxhorët quheshin druidë.

Habitërisht fjala druid ka një etimologji të njëjtë si për keltët ashtu dhe për ilirët dhe lidhet me fjalën dru.

Skica mëton të koncentrojë diçka për ilirët dhe shqiptarët.  Dihet që krishtërimi e rrënoi kultin e Lisit të Dodonës.

Po të shfletohet vepra e perandorit të Bizantit, Konstantin Porfyrogjenetit, mund të bindemi sesi perëndoi epoka e Lisit të Dodonës.

Ky perandor lindi në 905 dhe vdiq në vitin 959.

Ndonëse perandor, ai kërkonte të ishte më tepër shkrimtar.  Shkroi libra të shumtë dhe të çuditshëm.

Është pikërisht ai që përmend qytetin e Dodonës, ku gjendet Lisi që flet për misteret e perëndive.

Lisin e Dodonës e përmend edhe Grigor Teologu, i cili, si kundërshtar i thekur i paganizmit, shprehet se marrëzitë e Lisit të Dodonës nuk kanë më kuptim, as pija profetike e Kastalies të një burimi që quhet kështu nga emri i një nimfe.

Kritika e Grigor Teologut nuk kursen as Homerin, i cili ka thënë në epet e tij për lumin Arkeleos se uji i tij është hyjnor dhe më i ëmbli i të gjitha ujrave të burimeve dhe të lumenjve që krijuan perënditë.

Këto detaje referimi tregojnë se plotfuqishmëria mistike e paganizmit kishte marrë fund.

Ëndrra druide e lisit të Dodonës konsiderohej si një absurd.  Po kështu dhe profecia jetike e ujrave të shenjtëruara.

Por skica mund të ravizojë një ringjallje të ëndrrës druide.  Është një fakt historik, krejt i gjallë dhe funksionues tek shqiptarët deri në shek. XIX-të.

Në fshatin e Hormovës, afër Tepelenës, lëvizte një bandë kusarësh.

Ata vepronin në një mënyrë druide, me një koncept teatror të jashtëzakonshëm.

Në breg të lumit Vjosa ishte një lis shekullor, i zgavëruar nga brenda.

Kusarët i kapnin njerëzit e panjohur dhe i çonin përpara lisit.

Brenda zgavrës së lisit futej një nga kusarët, i cili konsiderohej si adhurues i plotfuqishëm i forcave magjike të Lisit.

Pra një lloj prifti druid.

Kusarët i çonin të kapurit e trembur dhe të shastisur para Lisit, përkuleshin përpara tij tri herë, vërtiteshin si në një valle rreth e qark drurit të lashtë, belbëzonin fjalë pa kuptim në formë formulash ritmike dhe të kumbueshme, për të krijuar kështu një ndjesi të fortë misteri.

Pastaj, kapedani i kusarëve, duke mbajtur në dorën e djathtë shpatën dhe në dorën e majtë koburen, afronte ritualisht një nga një personat e kapur.

Për secilin person bëhej pyetja se ç’duhej bërë me të.

Nga brendësia e Lisit vinin dy përgjigje.

Përgjigjia e parë qe “merrjani me gjithçka”.

Atëherë kapedani i kusarëve i bindej këtij orakulli dhe e zhvishte fare lakuriq fatëkeqin.

Përgjigjia e dytë qe “lëre mos e nga”.

Pas kësaj thënieje druide të kapurin e lironin me respekt, duke bërë që të çuditeshin të gjithë të pranishmit.

E linin të ikte pa e prekur.

Pastaj vihej përballë Lisit një tjetër.

Krijohej përshtypja se nuk qenë kusarët që e vendosnin fatin e secilit por pikërisht druri profetik.

Të kapurit nuk e dinin trukun brenda tij.

As nuk mund t’a imagjinonin.

Fama e profecisë u përhap kudo, e gjëmshme por edhe shpëtimtare.

Krijohej idea e një drejtësie kozmike, e mbartur në trupin e drurit.

Natyrisht që kusarët e dinin të vërtetën.

Njeriu që rrinte brenda zgavrës bënte një kombinim ku mitizohej rastësia.

Ai fitoi fuqi shpirtërore tek të gjithë kusarët e tjerë.

Në një kuptim artistik ai qe një aktor dhe njëkohësisht regjisor, që përcaktonte subjektin e fajit ose dhe të faljes.

Ai sugjestionohej vetë nga ky rol deri në atë pikë sa nisi të besonte se ishte me të vërtetë një njeri i shenjtë dhe aspak një kusar i rëndomtë.

Mund të shkruhet një tregim befasues për këtë motiv.  Është e natyrshme të mendosh se çeta e kusarëve të Hormovës, me njerëz të vrazhdë dhe të egër, nuk dinin asgjë për Lisin e Dodonës, as për teologjinë sfiduese të krishtërimit.

Tërë etapat e historisë që tregojnë lëvizjen dhe transformimin e miteve dhe të kulteve qenë absolutisht të panjohura për ta.

Në një hapësirë malore, ku nuk ekzistonin ligjet juridike, ku në çdo hap vdekja qe e përhershme dhe kërcënuese, këta shqiptarë të Hormovës bënë një skenar të kohërave përfundimisht të humbura.

Në të vërtetë ata e kishin një ëndërr druide.

Lisi në breg të Vjosës qe aq madhështor saqë përshtypjet e tyre nuk kishin sesi të mos ishin mistike.

U krijuan legjenda të shumta nga vetë kusarët dhe populli rreth e qark.

Disa legjenda thonin se brenda Lisit ishte një mbretëri e tërë në formën e një qyteti ku banonin qënie hyjnore që nuk mund t’i shihte askush.

Disa të tjerë besonin më me pak fantazi se brenda drurit të shenjtë ishte fshehur një thesar i madh, që nuk mund të zbulohej, as të grabitej.

E habitshme është se riti i pyetjeve dhe përgjigjeve të këtij Lisi ishte një lojë më enigmat, aq sa të kujtonte enigmat e vetë Sfinksit të Tebës.

Ky Lis sfinksor zotëroi për një kohë të gjatë vetëdijet e njerëzve.

Fundi i subjektit.

Lisi digjet nga një rrufe.

Flaka e tij vazhdoi tridhjetë e tre ditë derisa gjithçka u bë shkrumb.

Kusari i cili fliste nga zgavra e Lisit, vrau veten.

Me të vdiq dhe mbylli sytë prifti i fundit druid i Shqipërisë.(1996)

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *