Ëndrra e Valmir Berishës, t’i ngjajë idhullit Maradona

redaktor

Quhet “Ibrahimoviçi i ri”, por idhulli i tij në të vërtetë është Diego Armando Maradona. Valmir Berisha është rritur duke mbajtur veshur fanellën me numrin 10 të argjentinasit më të famshëm, teksa hidhte hapat e parë si futbollist në Suedi, vendi ku familja e tij emigroi nga Kosova para 15 vjetësh. “Nuk e di se si, por si i vogël tërë kohën kam veshur fanellën e Maradonës”, ka rrëfyer ditët e fundit Berisha për gazetën kosovare “Zëri”. “Ai më ka inspiruar të luaj futboll dhe të arrij deri këtu. Thjesht për mua ai ka qenë një udhërrëfyes që kur kam filluar të luaj futboll””. Djaloshi i rritur më fanellën e “El Pibes” dhjetë vite më pas e ka impresionuar botën me aftësitë prej sulmuesi të rrezikshëm, kur fitoi titullin e golashënuesit më të mirë në botërorin U-17, zhvilluar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Falë shtatë golave të tij, Suedia zuri vendin e tretë në botë dhe Berisha pranon se suksesi ia ka ndryshuar jetën, por jo qëllimin për t’u bërë si idhulli i tij. “Botërori ka ndryshuar shumëçka në jetën time. Pas suksesit që arritëm, e ndjej se njerëzit më respektojnë më shumë dhe tentojnë të jenë më afër meje. Po ndjehem mirë, por kjo nuk duhet të më mashtrojë, duhet të vazhdoj punën dhe të përparoj në karrierë, me shpresë që një ditë të arrij ato që ka arritur Maradona, apo t’u afrohem sukseseve që ka pasur ai”. Shtatë golat në botëror mjaftuan që Berisha të kërkohet nga klube të mëdhenj evropianë, si Milan, Totenham, Ajaks, Liverpul, Sunderland. Por ai thotë se preferon fillimisht një klub më të vogël. “Më gëzon interesimi që po tregojnë klubet e mëdha për mua, por unë kam dëshirë që të kaloj në ndonjë klub pak më të vogël, ku do të kem mundësi të luaj dhe tregoj veten dhe në të njëjtën kohë të piqem si lojtar”, thotë Berisha, i cili ka si synim final Italinë, por para saj si opsione mund të jenë Holanda ose Anglia. “E shoh futbollin holandez apo anglez si mundësi që të fitoj përvojën e duhur, e më pas të shkoj në Itali, që është edhe dëshira ime më e madhe. Aty Maradona ka arritur kulmin e karrierës dhe këtë dua ta bëj edhe unë”. Por Diego nuk është i vetmi që pëlqen, pasi mbresa i kanë lënë edhe braziliani Ronaldo dhe, sigurisht, ai me të cilin e krahasojnë, Zlatan Ibrahimoviç. “Ronaldo ka qenë lojtar i madh, i tillë është edhe Ibra. Nga lojtarë të tillë mund të mësosh shumë dhe fitosh motiv të madh për shkuar përpara në karrierë”, thotë djaloshi 17-vjeçar. E ardhmja e tij duket e sigurt me Suedinë, por sulmuesi nuk e përjashton mundësinë që një ditë të vesh edhe fanellën e përfaqësueses së Kosovës. “Nuk kam menduar për këtë deri tani, por besoj se do ta bëja, në një të ardhme të afërt, kur futbolli i Kosovës të njihet ndërkombëtarisht. Nuk kam pse mos të pranoj të luaj për Kosovën, kur jam lindur atje dhe gjithçka më lidh me të. Do ta marr vendimin e duhur kur të vijë koha, e besoj se do të vijë shpejt”, rrëfen Berisha për gazetën “Zëri”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *