Mëngjesi për to vjen shumë shpejt. Ende pa u dalë gjumi ngrihen me ëndrra të varura në qerpikë, vishen për te vajtur ne punë. Femrat, forca e sakrificës, durimit, dashurisë… janë ato të parat, që me hapat e tyre zgjojnë qytetin ku shumica e burrave ende ëndërrojnë në shtrat.
Në qytetet e mëdha, ku dhe numri i banorëve është i lartë, si mundësi të vetme shteti të ofron punë në fasone, pra në sektorin privat ku dhe forca e kapitalizmit dihet sa e egër është… Por femra lufton me forcën e saj.
Nevoja ekonomike është më e fortë. Femra duke punuar duket sikur i kalon brenda sekondës një tegel ëndrrave të saj, të cilat vetëm shpirti i saj i di.
Gratë nuk ankohen, sepse shteti nuk u siguron diçka më të mirë.
Ato punojnë e u qesh fytyra kur marrin rrogën, sepse mbyllin hallet që u buçasin në veshët e tyre. Ëndrrat e grave që punojnë nëpër fasone, do të kenë fuqi për të sjellë ndryshime një ditë? / Ermentila Guci
