Ujërat termalë apo siç njihen gjerësisht llixhat i kemi dëgjuar kryesisht si destinacione interesante për efektet e tyre kurative, por tashmë ka edhe një këndvështrim të ri mbi shfrytëzimin që lidhet me prodhimin e energjisë.
Në një dokument të qeverisë, përcaktohet pikërisht potenciali që ka vendi ynë në këtë drejtim dhe mundësitë e shfrytëzimit.
“Shfrytëzimi i energjisë së këtyre ujërave akoma nuk ka filluar të përdoret edhe pse potenciali i tyre e ofron një mundësi të tillë.
Vlerësimet eksperimentale energjetike për të katër burimet me të mëdha: Llixhat e Elbasanit, të Peshkopise, të pusit Kozani dhe Ishmi – 1/b rezultojne se prurja e pergjithshme e ujit termal është 44.8 l/sek, kapaciteti i energjisë gjeotermale 6.64 MW, dhe fuqia e mundshme për t’u instaluar 7084 KW.
Këto të dhëna janë mjaft premtuese për të filluar projekte energjetike për të shfrytëzuar këtë burim energjetik të rinovueshëm”, thuhet në këtë dokument. Shfrytëzimi i të gjitha burimeve të mundshme për prodhim energjie është kthyer në ambicie jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të tjera.
Deri tani ne varemi vetëm nga prodhimi i energjisë përmes burimeve hidrike, ndërkohë që tentativat për energji nga era apo termocentralet kanë dështuar.
