Energjia elektrike, skemë e re për 105 mijë debitorë

Dita

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka marrë vendimin për një skemë të tretë lehtësuese për debitorët, që nga nisja e aksionit kombëtar kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

Skema, e cila hyn në fuqi,  vlen në radhë të parë për të gjithë ata që nuk kanë asnjë marrëveshje, por edhe për ata që e kanë një të tillë me kushtet aktuale. Në varësi të shumave që një familjar apo biznes i detyrohet kompanisë së energjisë elektrike, parashikohet ndarja e kësteve në mënyrë të barabartë, çka do të thotë, se ato familje që kanë një debi 100 mijë lekë do të paguajnë për 12 muaj, dhe ata konsumatorë me debi mbi 3.5 milionë lekë, mund ta shlyejnë atë, për 168 muaj. Kjo do të thotë, se ai që do t’i përgjigjet thirrjes se OSHEE-së, do të paguajë një shumë prej 8300 lekësh në muaj deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.

Por, ajo që i lehtëson105 mijë subjektet në të gjithë vendin është fakti se, në rast se ata e paguajnë të gjithë detyrimin njëherësh, përfitojnë ulje të kamatëvonesës me 70 për qind. Një kusht tjetër lehtësues që ka vendosur OSHEE për abonentët familjarë, është edhe fakti që, nëse ai paraqitet brenda 6 muajve nga firmosja e aktmarrëveshjes për paguar detyrimin, do të përfitojë 50 për qind të reduktimit të kamatës në datën e mbylljes së detyrimit, raporton Shekulli.

Vendimi i marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë, për konsumatorët familjarë dhe bizneset debitorë, parashikon që të përfshijë në skemën e aktmarrëveshjeve edhe ata që kanë debit të krijuar ndaj OSHEE-së deri në 31 korrik, përkundër vendimit të mëhershëm që favorizonte debitë deri në 31 dhjetor 2014. Institucioni ka vendosur edhe afatin për këtë vendim të marrë, duke iu bërë thirrje abonentëve të dorëzojnë dokumentet deri në datën 31 dhjetor. Për të përfituar nga skema, abonentët familjarë, të cilët duhet të paguajnë faturat e prapambetura, duhet të dorëzojnë pranë sporteleve të OSHEE-së, fotokopjen e kartës së identitetit dhe kopjen e librezës ose faturës së  fundit. Por, individi mund të autorizojë edhe një person tjetër të autorizuar dhe këtë mund ta bëjë nëpërmjet një autorizimi me shkrim dhe dy dokumenteve identifikuese përkatëse.

Në rastet kur mbajtësi i kontratës në sistem nuk është i njëjtë me personin që është mbajtësi, atëherë kërkohet dhe dokumenti i pronësisë në një nga format ligjore të tyre që janë parashikuar në procedura. Deri më tani, me skemën e vendosur nga OSHEE, konsumatorët familjarë e paguanin debinë në katër fasha.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *